Berisha: Lulzim Basha nuk vrapoi pas denoncimit të farsës elektorale, por vrapoi pas karriges së tij!
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha akuzoi Lulzim Bashën për mungesë reagimi ndaj asaj që ai e quan “farsa elektorale” e 11 majit.
Në një deklaratë për mediat, Berisha tha se ndërsa ai vetë kishte nisur denoncimin e parregullsive që para zgjedhjeve, Basha, sipas tij, nuk u angazhua për të mbrojtur votën, por u përqendrua vetëm te mbajtja e karriges së tij.
Berisha shtoi se, Basha kishte një “projekt tjetër”, duke aluduar për një marrëveshje politike, dhe se kishte vepruar në kundërshtim me interesat e opozitës.
“Lulzim Basha, siç e dini ju, nuk bëri, me porosi, as edhe përpjekjen më të vogël për të faktuar farsën.
Unë e denoncova farsën.
Me datën 27 prill, unë kam publikuar statusin ‘Vota vdiq pa hyrë në kuti’ dhe kam rreshtuar një seri faktorësh se pse unë e shpalla votën të vdekur pa hyrë në kuti.
Natyrisht, të jem i sinqertë, ato në vitin 2021, ishin jo më shumë se 50 përqind të këtyre që janë sot.
Por përsëri ato i shndërruan zgjedhjet në farsë.
Dhe unë përsëri e them këtu, se komuniteti ndërkombëtar qëndroi në raportin e tij.
Raporti paraprak i zgjedhjeve të vitit 2021, një raport serioz, që vë gishtin në problemet madhore.
Lulzim Basha nuk vrapoi pas denoncimit të farsës elektorale, por vrapoi pas karriges së tij.
Dhe po unë, në atë artikull, e kam mbyllur: është e domosdoshme që PD të faktojë, të vërtetojë, të denoncojë të gjithë këto që ndodhën në këto zgjedhje dhe pastaj të merret me analizën e vet.
Lulzim Basha ndërpreu atë proces dhe vuri në epiqendër karrigen e tij.
E kam mbështetur apo nuk e kam mbështetur, lexoje atë që kam shkruar.
I kam kërkuar në mënyrë të përsëritur, por ai kishte projekt tjetër.
Ai nuk ishte i lirë. Ai kishte projekt tjetër.
Ai kishte projekt koalicionin.
U pa e qartë. Lexoje ti mesazhin që i shpallte të dy fitimtarë të zgjedhjeve.
Lexojeni vetë! Nuk kisha parë kurrë!
Tani, të jesh i sigurt që kjo është një parti e hapur, është një parti demokratike, është një parti që nuk largohet kurrë nga analiza, nga shqyrtimi i të metave, gabimeve, nga ripërtëritja, përmirësimi.
Por ka periudhën e vet.
Unë që në vitin 2021 kam shkruar për tjetrin, se fillimisht kjo dhe pastaj analiza, unë nuk kam dy standarde.
Unë jam koherent në qëndrimet që mbaj.
Jam vërtet shumë koherent, nuk lëviz unë.
Bashkëpunëtorët e mi sot janë të bindur se kjo ishte një farsë.
Dhe janë të bindur se po bëhet çdo përpjekje bashkërisht për të denoncuar këtë farsë.
Por ky është proces i ndërlikuar, me punë voluminoze shumë, me mund, me djersë.
Por ne këtë po bëjmë.
Edi Rama, plasi që të marrë një urim.
Kudo u çon deputetëve të huaj, bëjeni një urim, nisni një urim.
Po, mos më bëni të them emra këtu.
Unë nuk hyj në korrespondencën private, nuk prish privacinë. Por nuk po i vjen askush”, tha Berisha.