Policia në kompromis me krimin/ Rrëfimi i Erion Alibej për vrasjet në Elbasan
Rrëfimet për vrasjet mes bandave të Elbasanit janë pasuruar me një dëshmi tjetër tronditëse nga një prej personazheve kyç të përplasjeve. Bëhet fjalë për Erion Alibej, një emër që për shtatë vite ka marrë frymë vetëm për një qëllim: të hakmerret për vrasjen e të vëllait në masakrën e dhjetorit të vitit 2018 në Bradashesh. Në atë atentat mbetën të vrarë vëllai i tij Endrit Alibej, daja Arben Dylgjeri dhe një mik i tyre nga Turqia. Motivi ka qenë mosmarrëveshjet për trafikun e drogës dhe ky ishte momenti që ndryshoi gjithçka për Endrit Alibej, moment të cilin ai e rrëfeu edhe këtë të enjte në sallën e gjyqit.
“Unë aty arrita i pari. Nuk kishte asnjë person, as polici. E çuditshme, sepse aty zakonisht qëndron gjithmonë një patrullë policie. Edhe sot po të kalosh aty, është një patrullë.
Kur mbërrita, gjeta nënën, tezen, motrën dhe fëmijët që bërtisnin e ulërinin. Ishte një skenë që nuk mund ta përshkruaj dot me fjalë. Kapa Endritin në krahë, mu duk sikur ishte ende i ngrohtë, por kishte shumë plumba në një anë të trupit. Erdhi një furgon policie dhe ambulanca, por ndërroi jetë në spital” tregoi Alibej për vrasjen e të vëllait.
Pas kësaj ngjarjeje, Erion Alibej u vu në kërkim të gjakut. Ai nisi një rrugë pa kthim për të gjetur ekzekutorët dhe porositësit e masakrës. Përgjatë udhës u bashkua me një tjetër emër famëkeq të krimit, Nuredin Dumanin, vrasës me pagesë nga Dibra. Objektivi i përbashkët? Talo Çela, dorasi që drejtonte një brigadë vrasësish me pagesë në Elbasan, Tiranë dhe Durrës dhe që sot është zhdukur pa lënë gjurmë, që prej intervistës së tij të fundit me gazetarin Spartak Koka.
Për të arritur te Çela, Alibej akuzohet se ka porositur shtatë vrasje dhe sot akoma e drejton gishtin për masakrën e Bradasheshit te dy vëllezërit nga Dubai, Hajdar dhe Florenc Çopja.
Por përtej detajeve të konfliktit mes klaneve të drogës, rrëfimi i Alibej nxjerr në pah një tjetër realitet alarmant: rolin e policisë si aktor i pafuqishëm, i korruptuar dhe në kompromis me krimin.
Fillimisht Erion Alibej përmendi një rast konkrete ku policia ka hyrë në kontakt të drejtpërdrejtë me të, ndonëse ai ishte zyrtarisht në kërkim.
“Ditën që çova familjarët në banesën e fundit, drejtor në Elbasan ishte Altin Qato. Më erdhën policët dhe donin të flisnin me mua, ndërkohë që unë isha në kërkim. Niko Brahimaj ishte tek Krimet e Rënda. Më thanë: ‘Hajde bëj një deklaratë dhe do të të lirojmë, që të jesh afër familjes.’”
Një person në kërkim që ftohet nga drejtues policie për të bashkëpunuar, me premtimin se do të lirohet tregon se çdo normë ligjore tashmë është e shkatërruar. Kjo është edhe një dëshmi që policia nuk kishte as informacion, as fuqi, por mbi të gjitha asnjë orientim për të ndalur përplasjen mes bandave.
Dhe për të shtuar edhe më shumë dyshimin mbi kapjen e strukturave të sigurisë, Alibej jep një detaj për një nga shefat e policisë, emrin e të cilit nuk e përmendi në gjyq:
“Shkova. Ishin aty Qato, Brahimaj dhe shefi i komisariatit, për të cilin e dija që ishte i shitur tek Suel Çela. I thashë: “Nuk e dua këtë këtu.” E nxorën jashtë. Më thanë: “E dimë që je në kërkim, por na ndihmo me ndonjë informacion – për kë dyshon?” U thashë: “Do ju duket çudi, por mos kanë ngatërruar objektiv? Nuk di ku t’ju drejtoj.” Ashtu siç ma dhanë fjalën që do të më lironin për të përcjellë familjarët në banesë, ashtu edhe më liruan. I thashë atij shefit të komisariatit që nxorën jashtë: “Bën mirë të ikësh nga ky qytet” ka treguar Alibej.
Ky është një tjetër pohim kompromentues për strukturat e policisë, një drejtues policie në listën e pagesave të bandave dhe kolegët e tij që bien dakort ta largojnë, si një fakt i gjithëpranuar.
Rrëfimi i Alibej nuk është thjesht rrëfimi i një njeriu të lodhur nga rruga e mundimshme e hakmarrjes, as dëshmia e radhës e një krimineli që më në fund ka luksin të flasë para gazetarëve. Këtu kemi një akuzë të detajuar për një shtet që ka humbur kontrollin mbi territorin. Këtu është fjala për qytet të dorëzuar krimit, ku bandat kanë më shumë pushtet se policia dhe Elbasani është vetëm pjesa e dukshme e ajsbergut, pasi nga një dosje në tjetra del se në Shkodër, Vlorë, Lezhë apo në Durrës, policia i ka zgjatur dorën krimit për të bërë paqe dhe pas paqes, zgjat dorën edhe për ndonjë lek më shumë./Lapsi.al