Berisha: Rezoluta me fakte konkrete denoncon shkeljen e parimeve ndërkombëtare të zgjedhjeve!
Kryetari i PD, Sali Berisha theksoi në konferencën me gazetarët se rezoluta e fundit, që vjen pas asaj të tetorit, është një dëshmi konkrete e shkeljeve të rëndë të parimeve ndërkombëtare të zgjedhjeve në Shqipëri.
Ndërsa rezoluta e parë paralajmëronte farsën zgjedhore me gjithë pasojat e saj, rezoluta e dytë, bazuar në raportet e institucioneve ndërkombëtare pas zhvillimit të procesit, e denoncon hapur dhe me fakte të pakundërshtueshme këtë farsë.
“Është e vërtetë që kjo është rezoluta e dytë, e para është në tetor.
Rezoluta e parë e paralajmëron farsën me të gjithë shëmtinë e saj.
Rezoluta e dytë bazohet në raportet e institucioneve ndërkombëtare pas zhvillimit të farsës, dhe kjo rezolutë me fakte konkrete denoncon shkeljen e parimeve ndërkombëtare të zgjedhjeve të sanksionuara në dokumente ndërkombëtare.
Pra, ajo e paralajmëroi kurse kjo e denoncoi zhvillimin e kësaj farse.
Kështu ndodh dhe me rezolutën e Valencias. Ajo i ka të gjitha këto. Por rezoluta e Valencias në datën 30 prill, ishte në fund të fushatës, i kishte mbledhur elementët e fushatës.
Tani kjo është pasi u zhvillua fushata, zgjedhjet, dhe faktikisht kjo konkludon siç kishte paralajmëruar se, u zhvillua në Shqipëri një farsë elektorale.
Çfarë tregon kjo? Kjo tregon se prozhektorët e komunitetit ndërkombëtar, të organizatave partiake politike janë non stop mbi Shqipërinë, narkoshtetin shqiptar.