Ilir Meta shpërthen ndaj Braimllarit dhe SPAK: Një gënjeshtar i konvertuar në rilindas, ndërsa unë në izolim për firmat e tij…
Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar ashpër ndaj Endrit Braimllarit, duke e akuzuar atë si shembullin më të qartë të ndikimit të SPAK për të ‘konvertuar njerëzit pa karakter në rilindas gënjeshtarë’.
Nëpërmjet një postimi në Facebook që e shoqëron edhe me një video, Meta shkruan: ‘Vetëm një rilindas mund të harrojë firmat që ka hedhur vetë dhe arsyet për të cilat i ka hedhur. Një gënjeshtar ordiner, që përpiqet të fshihet pas harresës.’
Meta thekson se firma për lobimet e LSI-së në periudhën 2018–2019 mban emrin e Endrit Braimllarit, në një kohë kur vetë Meta ushtronte detyrën e Presidentit të Republikës dhe nuk ishte më në krye të LSI-së.
Ai shton se për shkak të këtyre firmave, ai është vendosur në izolim ekstrem, ndërsa Braimllari “gradohet” si nënkryetar i Këshillit Bashkiak të Tiranës.
Postimi i plotë në FB:
Endrit Braimllari është shembulli më i gjallë i mënyrës se si SPAK-u arrin t’i konvertojë njerëzit pa karakter në “rilindas” të denjë – gënjeshtarë.
Vetëm një “rilindas” mund të harrojë firmat që ka hedhur vetë dhe arsyet për të cilat i ka hedhur.
Një gënjeshtar ordiner, që përpiqet të fshihet pas harresës, por e vërteta nuk fshihet as me lojëra fjalësh, as me konvertim teserash partie.
Firma për lobimet e LSI-së në periudhën 2018–2019 është e Endrit Braimllarit. Në atë kohë, unë nuk isha kryetar i LSI-së, por President i Republikës.
Për firmat e tij unë qëndroj në izolim ekstrem, ndërsa Endriti “gradohet” nënkryetar i Këshillit Bashkiak të Tiranës.
Apo mos ndoshta është Altin Dumani që gënjen në shkresën zyrtare të firmosur prej tij?