Neglizhenca për pacientët me kancer/ Gazetari Osman Stafa çon në SPAK ministren

Neglizhenca për pacientët me kancer/ Gazetari Osman Stafa çon në SPAK ministren

Gazetari Osman Stafa ka depozituar një kallëzim penal pranë Prokurorisë së Posaçme (SPAK), duke denoncuar mosfunksionimin dhe mungesën e mirëmbajtjes së aparaturës së brakiterapisë në Spitalin Onkologjik të QSUT-së – një trajtim për pacientët që luftojnë me kancerin.

Në dokument përfshihen si të kallëzuar drejtuesit e QSUT-së, titullarët e pavijonit onkologjik, si dhe drejtues të Ministrisë së Shëndetësisë, përfshirë ministren Albana Koçiu çdo funksionar që ka pasur përgjegjësi ligjore dhe institucionale për garantimin e shërbimit.
Sipas Stafës, pajisja e brakiterapisë është lënë jashtë funksionit për shkak të mungesës së mirëmbajtjes, duke i privuar pacientët nga një ndër trajtimet më të rëndësishme për kancerin gjinekologjik.

“E bëra këtë kallëzim jo për veten time. E bëra për çdo grua që po lufton me kancerin gjinekologjik dhe që ka nevojë për brakiterapi, një trajtim i domosdoshëm që nuk bëhet aktualisht në Shqipëri, sepse pajisja është lënë pa mirëmbajtje”, shkruan gazetari në një postim në Facebook, ku ka publikuar edhe vetë kallëzimin.

Ai e konsideron këtë veprim si hapin e parë në një betejë për drejtësi dhe transparencë, ndërsa paralajmëron se do të vazhdojë me këmbëngulje për të nxjerrë në dritë përgjegjësit.

Çfarë është brakiterapia?

Brakiterapia, e njohur edhe si radioterapi e brendshme, është një metodë trajtimi kundër kancerit ku burimi radioaktiv vendoset shumë afër ose brenda vetë tumorit. Kjo teknikë është veçanërisht efektive për kancerin e qafës së mitrës, mitrës dhe vaginës, duke i dhënë pacientit shpresa reale për mbijetesë dhe rikuperim.

Aktualisht, në Shqipëri, ky trajtim nuk ofrohet, duke lënë pacientet përballë alternativës së për t’u kuruar jashtë vendit, ose përballë heshtjes spitalore që kushton jetë.

Share it :