Sektori i ndërtimit kontribuoi me 14.4% në krijimin e vlerës së përgjithshme ekonomike të Shqipërisë në vitin 2024, sipas të dhënave që janë publikuar nga Eurostat, me rritje 0.6 pikë përqindje, në raport me nivelin prej 13.8% që zinte ky sektor një vit më parë.
Shqipëria ka nivelin më të lartë të kontributit të ndërtimit në Europë, teksa në Bashkimin Europian, mesatarja që zë ky sektor në vlerën e shtuar bruto ishte 5.6%, ose gati tre herë më e ulët se në Shqipëri.
Shteti i dytë me kontributin më të lartë të ndërtimit në Ekonomi është Kosova, me 9.8% në 2024-n, nga 10.7% një vit më parë. Në vend të tretë është Sllovakia, me 8.7%, e ndjekur nga Islanda, me 8.4%.
Në rajon, përveç Shqipërisë e Kosovës, më shumë ndërtohet në Maqedoninë e Veriut (6.6% e vlerës së shtuar bruto), e ndjekur nga Serbia (5.9%), Bosnjë Hercegovina (5.5%) dhe i fundit është Mali i Zi me 3.9%. Në Europë, shteti që ndërton më pak është Greqia, ku ndërtimi kontribuoi në 2.2% në krijimin e vlerës ekonomike të vendit.
Varësia e Shqipërisë ndaj ndërtimit ka ardhur sërish në rritje vitet e fundit. Në 2019-n, viti më i hershëm që raporton të dhënat Eurostat, ndërtimi kontribuonte në 13% të ekonomisë.
Pesha e lartë që zë ndërtimi në Shqipëri reflekton një një varësi të tepruar të ekonomisë nga ky sektor dhe investimet në pasuri të paluajtshme. Kur sektori përbën gati 15% të vlerës së shtuar bruto, çdo lëvizje e tregut të pronës apo ngadalësim i ndërtimit mund të godasë në mënyrë disproporcionale punësimin, të ardhurat fiskale dhe rritjen e përgjithshme ekonomike.
Së dyti, përqendrimi në sektorin e ndërtimit tregon për mungesë diversifikimi të ekonomisë, sidomos në drejtim të shërbimeve inovative. Kjo e bën ekonominë më të ndjeshme ndaj cikleve koniunkturale dhe rreziqeve gjeopolitike.
Ndërtimi ka qenë gjithnjë bashkëshoqërues i ekonomisë, me dy cikle. I pari ishte pas vitit 1999, arriti maturimin në 2011-n dhe filloi më pas rënien deri në vitin 2015. Nga viti 2017 nisi cikli i ri, i nxitur fillimisht nga ndërtimet në kryeqytet, e më pas në bregdet. Cikli i dytë nuk ka arritur ende maturimin dhe nuk dihet se kur do të ndodhë teksa lejet e ndërtimit, sidomos në kryeqytet, çdo vit po arrijnë një rekord, ku çdo ditë prezantohen projekte të reja të ndërtesave shumëkatëshe.
Të dhënat e kryqëzuara mes rritjes së të ardhurave (pagave), aktivitetit real të ekonomisë, kredisë në banka, strukturës së bizneseve e kërkesës reale sugjerojnë se një pjesë e këtij sektori financohet nga burime informale. P.sh., që nga viti 2014, çmimet e apartamenteve janë rritur 10 herë më shumë se paga mesatare, duke e bërë pothuajse të pamundur për shtresën e mesme blerjen e një apartamenti, që sot kushton minimalisht 1500-2000 euro/m², teksa paga mesatare mujore është rreth 770 euro/muaj.
Forcimi i ndjeshëm i Lekut është një tjetër faktor që tregon praninë e lartë të parave informale. Nga fundi i 2016-s, kur filloi vala e dytë e ndërtimeve, Euro është zhvlerësuar me rreth 27% (monedha e përbashkët u këmbye mesatarisht me 100.7 lekë në vitin 2024, nga 137.4 lekë në 2016). Për të njëjtën periudhë, deficiti i llogarisë korente (që mat hyrje-daljet e valutës nga vendi) nuk ka shënuar përmirësim të dukshëm, si rrjedhojë e nivelit të lartë të importeve në një vend që pothuajse nuk prodhon më asgjë./ MONITOR/