Nuk ka surpriza/ Begaj i bindet Rames, dekreton zgjedhjet

Nuk ka surpriza/ Begaj i bindet Rames, dekreton zgjedhjet

Deri më sot Erion Veliaj është ankuar për metodat e hetuesve të SPAK, që i vunë prangat dhe e dërguan pas hekurave të qelisë, por Veliaj nuk e kishte provuar ende ç’të bëjnë shokët e partisë. Këta nuk po e lënë as të ankohet për shkarkimin si kryetar bashkie.

Natyrisht, sipas një procesi të dirigjuar nga Edi Rama, presidenti Bajram Begaj e mbylli kapitullin “Veliaj” dhe shpalli datën e zgjedhjeve në Tiranë në datën 9 nëntor, bashkë me atë të 5 bashkive të tjera. Dekreti e hedh në koshin e plehrave ankimin që Erion Veliaj dorëzoi Gjykatën Kushtetuese. Në teori, ai mund të vlejë si precedent juridik, por praktikisht me caktimin e datës së zgjedhjeve dhe me zëvëndësimin e Veliajt në Bashki, vendimi i Kushtetueses zhvlerësohet dhe humbet efektin e menjëhershëm

Edhe pse Veliaj i prishi planet treshes Rama-Balluku-Manastirliu, lideri duket se nuk heq dorë nga strategjia e tij. Ai vendosi të shfrytëzojë “gjeneral” Bajram Begajn, i cili është shndërruar në “ushtar” të kryeministrit, sapo ky e emëroi në krye të Shtetit.

Begaj iu bind urdhërit të liderit dhe dekretoi datën e re të zgjedhjeve për Bashkinë e Tiranës. Duke bërë diçka të tillë, ndërkohë që ankimi i Erion Veliajt është në shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese, atëherë Presidenti mund të shndërrohet vetë në subjekt të shkeljes kushtetuese dhe, rrjedhimisht, edhe subjekt i shkarkimit nga detyra.

Njoftimi zyrtar i Presidencës
Presidenti i Republikës dekretoi sot ditën e dielë, datë 9 nëntor 2025, si datën për zhvillimin e zgjedhjeve të pjesshme për kryetar bashkie për bashkitë Tiranë, Vlorë, Berat, Mat, Tepelenë dhe Cërrik, pas marrjes së njoftimit për vakancat nga Këshilli i Ministrave në datën 30 shtator 2025.

Vakancat në bashkitë Vlorë, Berat, Mat, Tepelenë dhe Cërrik janë krijuar për shkak të dorëheqjes së kryetarëve të bashkive, kurse vakanca në Bashkinë Tiranë është krijuar për shkak të shkarkimit të kryetarit të bashkisë nga Këshilli i Ministrave, pas propozimit nga Këshilli Bashkiak Tiranë, i cili me votën e këshilltarëve të shumicës dhe të pakicës (50 vota pro dhe vetëm 1 kundër) kërkoi që t’i hapet rruga zgjedhjeve të parakohshme për kryetar bashkie në Tiranë.

Për shkak të interesit të lartë publik, Institucioni i Presidentit të Republikës sqaron se për vakancën e krijuar në Tiranë, Presidenti shqyrtoi rregullshmërinë e procedurës së ndjekur, në këndvështrim të respektimit të pavarësisë dhe autoritetit propozues të këshillit bashkiak dhe konstatoi se deklarimi i vakancës është bërë në përfundim të një procesi konstatimi dhe verifikimi, të kryera sipas kompetencës nga Këshilli Bashkiak Tiranë dhe nga Këshilli i Ministrave.

Në respekt të neutralitetit institucional, Presidenti i Republikës nuk shqyrton meritën e çështjes.

Nga praktika dokumentare e çështjes rezulton, se Këshilli i Ministrave ka referuar tek kuadri ligjor, i cili përcakton se shkarkimi për “mosparaqitje në detyrë për një periudhë 3-mujore të pandërprerë” përbën rast të ndryshëm nga shkarkimi “për shkelje të rënda të Kushtetutës ose të ligjeve” që parashikon neni 115 i Kushtetutës, gjë që do të thotë se për VKM nr.539, datë 25.09.2025 nuk zbatohet juridiksioni kushtetues për të drejtën e ankimit, por juridiksioni gjyqësor administrativ.

Vendimi i Këshillit të Ministrave që shkarkon kryetarin e bashkisë “për shkelje të rënda të Kushtetutës ose të ligjeve” pezullohet, në rastin kur ndaj tij paraqitet ankim në Gjykatën Kushtetuese. Çdo vendim tjetër që shkarkon kryetarin e bashkisë për shkakun, se ky i fundit “dënohet për kryerjen e një vepre penale, me vendim të formës së prerë, nga gjykata” ose se “propozohet për shkarkim nga këshilli bashkiak përkatës për mosparaqitje në detyrë për një periudhë 3-mujore të pandërprerë”, përveçse ankimohet në Gjykatën Administrative (jo në Gjykatën Kushtetuese), pezullohet vetëm nëse pezullimi urdhërohet posaçërisht nga Gjykata Administrative.

Sikurse rezulton nga dokumentacioni shoqërues i VKM-së, ky sqarim ligjor ka qenë në dispozicion të palës dhe të publikut që në datën 25.09.2025.

Presidenti i Republikës konstaton se në periudhën nga data e miratimit të VKM-së nuk është regjistruar ankim në organin kompetent gjyqësor dhe nuk ka një vendim pezullimi nga ana e tij, ndërkohë që afati i Presidentit të Republikës për shpalljen e zgjedhjeve është vetëm 48 orë nga marrja e njoftimit.

Me daljen e dekretit, mjetet ligjore mbeten në dispozicion të palëve me qëllim që ato të realizojnë mbrojtjen e interesave të tyre të ligjshme.

Duke shpallur zgjedhjet e pjesshme për bashkitë Tiranë, Vlorë, Berat, Mat, Tepelenë dhe Cërrik, Presidenti i Republikës bën thirrje për një fushatë konkurruese, etike dhe në respektim të plotë të Kodit Zgjedhor, sikurse shpreh dëshirën që qytetarët e këtyre bashkive të përfshihen gjerësisht dhe të votojnë masivisht në këto zgjedhje.

Share it :