Përse ‘Tigrat’ punësojnë macet!?

Përse ‘Tigrat’ punësojnë macet!?

Nga Basir Çollaku

Pra, shkurt e ashiqare, ish-ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, pas pensionimit në SHBA, është punësuar në Shqipëri, meqë kompania ku sojnikja shkoi drejtoreshë, sipas vetënjoftimit, merr së paku 100 mijë dollarë taksa shqiptare në ditë, pa prodhuar kokërr kilovati energji. Hajër qoftë, por telashet janë të hapura për këtë biznes-dosje, ende të paprekur nga hetimi, nga këllqet e munguara të Prokurorive të Përgjithshme e të Posaçme

Një incenerator më vete janë termocentralet bangladeshas të tërhequr deri në Vlorë, sa për pak përfunduan në Gjermani, por u mirëpritën nga nahija jonë, nga ndikimi i ish-diplomates, tashmë pensioniste halli dhe drejtoreshë qejfi. Duart e Ramës janë aty, në këtë bereqet ngushëllimi diplomatik, për të mbajtur në këmbë ushtrinë e tij mbështetëse e lobuese, në këtë fazë ku “sherifi” i ri amerikan ka tjetër mendim për Tiranën zyrtare narkotike, nga sa kishte klani “Soros”.

Ish-ambasadorja amerikane Yuri Kim lajmëroi në platformën X se është punësuar drejtoreshë në kompaninë amerikane të hidrokarbureve ExxonMobil. Kim, pas ofertës për shkarkim me dashje në mars 2025, për të mos u hetuar administrativisht për punët në detyrë, pranoi largimin nga DASH si fundkarrierë diplomatike. Ndërsa historitë penale, nuk janë llogari e mbyllur.

Kim dhe ministresha Bela, në sagën Tigrat 1 e 2 në Tiranë, nuk janë një histori luaneshash, sajuar nga kontribut macesh të pushtetit shqiptaro-amerikan si përfitues të fshehur. Ajo mund të gjendet në prova rreth konfliktit të interesit në përfshirjen e kësaj historie energjie, gjatë kohës së mandatit në Tiranë, ku episode kritike nga Irani dhe Turqia janë të pazbardhura plotësisht.

Ajo u bë dukshëm ballina e suksesit, gjoja ekonomik, duke shpikur nga zëvendësja e Ramës, zonja Balluku, një emergjencë energjetike për të mundësuar një kontratë me akuza të forta korruptive të anijeve me emra xhungle. Në këtë dosje me hartë Shqipëri–Amerikë e Turqi–Iran dalin emra kompanish të sanksionuara nga Uashingtoni.

Këtu ka vend të pyesësh çdo autoritet ligjor, politik e diplomatik, se përse Struktura e Posaçme u soll ndaj këtij skandali kaq madhor në mënyrë të përveçme, duke heshtur?! Balluku ka mjaft dosje ku gjendet e përmendur dhe prokurorët mezi çapiten për verifikime e veprime. Helbete, ka prej tyre në gjykata e prokurori, ku nderet e motrës komisionere e drejtuese në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, në procesin e rivlerësimit, janë mbajtur shënim. Ndaj, njëra dorë lan karrigen dhe të dyja bashkë groposin dosjet.

Kulmin, tigresha Kim e bëri në vendin tonë kur turfulloi në oborrin e PD-së, se do hahej atë ditë e këndej vetëm bar, nëse nuk veprohej sipas oreksit të Ramës. Me kthimin në Amerikë, nën administratën Trump, u bë një trashëgimi e racës së tigrit. Këtu urdhëronte prokurorë e gjyqtarë të merrnin vendimet siç nuk thonin provat.

Sulmi ndaj logos së PD-së, për ta mbajtur dhunshëm e paligjshëm aty ku donte shefi i saj, vëllezërit e Aleksit në Tiranë, Edi dhe Erion, ishte tepërim pa shkak. Charles McGonigal është një tjetër mesele korruptive me sekrete të shumta penale, ku ambasadorja ka shpjegime për të dhënë për eprorët dhe drejtësinë e vendit të saj.

Ndërsa Balluku, si ministre e linjës dhe zëvendëse e Ramës, është ekzekutorja e bindur e këtij projekti korruptiv, ku mbi 100 milionë euro të taksave tona kanë dalë nga buxheti drejt arkave të Tigrave. Por nuk është vetëm kaq.

Pjesa turke dhe iraniane e kësaj dosjeje ngarkon me kosto mosveprimi Strukturën e Posaçme, e cila krenohej me dekorata, ndërsa urdhëruesit përlanin miliona me lopata. E siç dihet, çdo perandori është shumë e fortë… deri dhjetë minuta para shembjes.

Tigrat nisën punësimet e maceve si shpërblim i kontributit në bërjen e kontratave. Macet nuk kanë pasaporta shtetesh – janë gjithkund njëlloj. Prokuroria, nën një tjetër orkestër qëndrimesh amerikane, mund të zgjohet para dimrit edhe për këtë ngjarje të madhe korruptive, qeveritare e diplomatike.

Share it :