Politika e do artistin jo partner. Jo rival. Por dekor!

Politika e do artistin jo partner. Jo rival. Por dekor!

Editorial/ Nga Ervin Bejleri

Nuk e di pse, por në këtë vend, artisti nuk është kurrë në qendër të vëmendjes.

Në kohën kur duhej të ishte zëri i shpirtit, është kthyer në zë të sfondit.

Sepse… në Shqipëri, politika e ka dhunuar artin. E ka dashur dhe e do vasal, të bindur. Që të lutet për një fond, për një skenë, a për një projekt.

Politika e do artistin jo partner. Jo rival. Por dekor.

Një dekor në foto duke mbjellë pemë, që poston e riposton kur u duhet dhe hesht kur i kërkohet.

Sepse politika nuk do rivalë. Dhe artisti është rivali më i rrezikshëm për të:

Artisti i zë skenën, pushton mendjet, fiton me fjalë, jo me pushtet.

Dhe kjo i tremb.

Unë vij nga Teatri.

Teatri të bën njeri. Për të ngrënë e për tu shumuar e bëjnë edhe kafshët. Po teatër, jo. Teatri është ushqim i shpirtit. Por ja që politika i shemb edhe Teatrot…

A mund të ndryshojë një artist një qytet? Një vend?

Nuk është se ka ndonjë rregull për këtë.

Sepse kemi parë një aktor që u bë hero në luftë — Zelensky.

Dhe kemi parë një piktor që u bë kryeministër, por që sot drejton një vend me më shumë varfëri, më shumë korrupsion, dhe më pak liri.

Pra, nuk mjafton të vish nga arti. Duhet të kesh brenda dhe të mos e humbasësh shpirtin e artit. Atë që të bën njeri. Empatinë. Ndjeshmërinë. Aftësinë për t’i parë njerëzit jo si spektatorë të suksesit tënd personal, por si bashkëaktorë në këtë qytet.

Tirana na ka mësuar që arti nuk bën dot ndryshim duke lyer fasadat e pallateve. Arti mund të bëjë ndryshim duke përmirësuar jetën, duke zbukuruar shpirtin e atyre që jetojnë brenda atyre mureve, pas atyre fasadave. Atëherë ndoshta mund të bësh një ndryshim të vërtetë.

Një artist në politikë mund të bëjë një ndryshim të madh për mirë, ose një ndryshim të madh për keq.

Pyetja është: Je artist i njerëzve, apo je artist i salloneve?

Share it :