Talljet e Ramës/ Macron merr paralajmërimin nga Donald Trump

Një moment i sikletshëm mes Donald Trump dhe Emmanuel Macron në samitin e paqes për Gazën në Sharm el-Sheikh të Egjiptit është kthyer në qendër të vëmendjes ndërkombëtare, pasi një lexuese e buzëve, britanikja Nicola Hickling ka zbuluar për “Daily Mail” detajet e bisedës që ndodhi gjatë shtrëngimit të duarve mes dy liderëve.

Sipas “Daily Mail”, presidenti amerikan, i cili nënshkroi fazën e parë të marrëveshjes për armëpushimin Izrael–Hamas, pati një moment të tensionuar me homologun francez, duke i shtrënguar fort dorën në një mënyrë që të kujtonte “duelin e famshëm” të vitit 2017, kur të dy qëndruan me duar të ngjitura për 29 sekonda. (VIDEO KETU)

 

Pamjet e reja tregojnë Trump duke i buzëqeshur Macronit, përpara se ta tërhiqte drejt vetes dhe t’i vendoste dorën mbi krah, në një pozë që fillimisht ngjante si përzemërsi, por që shpejt mori nuancat e një lëvizjeje të sforcuar. Në momentin kur Macron mundohet të shkëputet, Trump e shtrëngon më fort dhe nis biseda e deshifruar si vijon:

Trump: “Kënaqësi që të shoh… pra, ti re dakord?”
Macron: (përgjigjet me një fjalë të paqartë, duke kthyer kokën)
Trump: “Je i sinqertë?”
Macron: “Sigurisht.”
Trump: (duke e shtrënguar më fort dorën) “Mirë, atëherë dua të di pse… më lëndove. Unë e di tashmë pse.”

Në video shihet Macron që ul sytë, ndërsa Trump vazhdon ngadalë dhe me ton të rëndë:

Trump: “Unë po bëj paqe.”
Macron: “Ah, hajde tani…” (qesh lehtë)
Trump: “Unë i lëndoj vetëm ata që lëndojnë të tjerët.” (duke treguar nga kamerat)
Macron: “E kuptoj. Do ta shohim për këtë.”
Trump: “Do ta shohësh çfarë po ndodh.”
Trump: “Do të doja të të shihja duke e bërë… bëje. Do të shihemi së shpejti.”

Sipas “Daily Mail”, nuk dihet me saktësi për çfarë po flisnin dy liderët, por momenti vjen vetëm pak javë pasi Macron u filmua duke qeshur për Trump në një takim me udhëheqës të tjerë evropianë, ndër ta edhe kryeministri shqiptar Edi Rama.

Situata ndodhi në samitin e Komunitetit Politik Europian në Kopenhagen, ku Rama u tall me “lapsusin” e njohur të Trumpit që kishte ngatërruar Shqipërinë me Armeninë, duke pretenduar se kishte arritur “paqe midis Shqipërisë dhe Azerbajxhanit”.

Në videon që bëri xhiron e mediave ndërkombëtare, Rama i tha Macronit me humor: “Duhet të na kërkoni falje, sepse nuk na përgëzuat për marrëveshjen e paqes që Presidenti Trump bëri mes Shqipërisë dhe Azerbajxhanit.”

Në sfond të videos u dëgjuan të qeshurat e politikanëve evropianë. Macron, që ndodhej në krah të presidentit të Azerbajxhanit Ilham Aliyev, u pa duke qeshur dhe madje e goditi lehtë Ramën në faqe, si për t’i kujtuar se shakaja ishte e tepruar.

Pas jehonës që mori episodi, Rama u detyrua të sqaronte se gjithçka kishte qenë “një moment humori miqësor” dhe madje i thuri lëvdata ish-presidentit amerikan duke shkruar në X se “Presidenti Trump është lideri që riktheu fjalën ‘paqë’ në fjalorin e Perëndimit”.

Megjithatë, në dritën e paralajmërimit enigmatik që Trump i dha Macronit në Egjipt “Do ta shohësh çfarë po ndodh” episodi i Sharm el-Sheikh mund të lexohet si sinjal i një kthese më serioze në qëndrimin e Trumpit ndaj liderëve evropianë që i tallën idetë e tij për paqe./Lapsi.al

Share it :