Presidenti Begaj ka iniciuar procesin e shkurtimit të mandatit për një gjykatëse kushtetuese duke krijuar pasiguri tek gjyqtarët, duke shpërfillur komisionin e Venecias dhe duke bërë të reagojë Bashkimin Evropian. Gjykimi fillon në 16 tetor
Gjykata Kushtetuese do të mblidhet të enjten, në 16 tetor, pas një kërkese me shkrim të Bajram Begajt, për të shkurtuar ose lënë të plotë mandatin 9 vjeçar të njërit prej anëtarëve të saj, që është emërtesë e Presidentit të Republikës.
Ky lëmsh i krijuar nga një reformë në drejtësi “sui generis”, që në shumë raste e ka paralizuar krejt sistemin, ka nisur nga alibia për të përdorur mekanizmin e rotacionit (ose ndryshe ripërtrirjes), që hartuesit e reformës shkruan në kushtetutë, për të siguruar pavarësinë politike e kësaj gjykate nga organet e emërtesës së anëtërëve të saj (president, parlament, Gjykatë e lartë). Sipas kësaj filozofie Kushtetuesja duhej ripërtërirë çdo tre vjet.
Po le ta prezumojmë për një çast se as presidenti nuk ka shkelur kushtetutën duke e kërkuar këtë interpretim dhe se Sokol Sadushi ia ka futur kot në 2011. Pyetja është: a e prek parimi i rotacionit gjykatësen që po kërkojnë ta linçojnë, Sonila Bejten?
Ky artific po përdoret sot për të shkurtuar mandatin nëntë vjeçar të Sonila Bejtes, e cila është dekretuar nga presidenti i republikës për të ndejtur në detyrë deri në 2028.
Pas një lobingu të fortë, si mediatik po ashtu edhe nën rogoz të kryetarit të Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, presidenti Begaj i kërkoi kushtetueeses me anë të një letre të vendoste nëse mandati i Bejtes, do të përfundonte tani, apo tre vite më pas.
Këtu nuk është puna vetëm se bëhet fjalë për një gjyqtare që ka marrë shumë vendime në pakicë, kur kolegët e saj votonin por asaj që donte qeveria. Përpos problemit thjeshtë politik, qëndron dhe parimi i kushtetueshmërisë të institucioneve, i pavarësisë së tyre e njëkohësisht ai i garancisë së gjyqtarëve për të mos marrë vendime nën presionin e shkarkimit. Për të gjitha këto së bashku ajo që do të fillojë nesër në Kushtetuese ka aromën e një puçi, ku janë ndërthurur përpjekjet për të politizuar drejtësinë, ato të korporatizmit për ta kontrolluar sistemin nga brenda, të bashkuara me dallkautllëkun e Bajram Begajt. Lapsi.al e ka ekzaminuar, pikë për pikë, këtë që po ndodh.
Një proces i dyshimtë?
Seanca që do të fillojë nesër për shqyrtimin e kohëzgjatjes së mandatit të Bejtes është në kufijtë e antikushtetueshmërisë. E para, sepse presidenti që e ka iniciuar atë dyshohet nëse mund ta ketë këtë të drejtë. Ai dyshohet se ka tejkaluar kompetencat e veta duke vënë në diskutim një mandat të plotë 9 vjeçar, të firmosur nga paraardhësi i tij Ilir Meta, duke vënë në diskutim parimin e sigurisë të gjykatësve për të marrë vendime me garancinë e paprekshmërisë së mandatit të tyre. Ky gjykim ngre shumë pikpyetje, për sa kohë që edhe vetë njeriu që e ka nxitur atë me lojën në kulisa, një nga hartuesit e reformës në drejtësi, Sokol Sadushi, është shprehur vetë në vitin 2011, se Gjykata Kushtetuese nuk mund ta interpretojë parimin e rotacionit.
Po le ta prezumojmë për një çast se as presidenti nuk ka shkelur kushtetutën duke e kërkuar këtë interpretim dhe se Sokol Sadushi ia ka futur kot në 2011. Pyetja është: a e prek parimi i rotacionit gjykatësen që po kërkojnë ta linçojnë, Sonila Bejten?
Një precedent i rrezikshëm
Vënia në diskutim e mandatit të Bejtes përbën një precedent të rrezikshëm. Nëse ajo po kërkohet të hiqet qafe me pretendimin se Gjykata Kushtetuese duhet ripërtrirë çdo te vjet, ky është një argument që nuk qëndron. Së pari, sepse vërtet parimi i rotacionit 3 vjeçar ka ekzistuar, por qëllimi i tij për të mos lejuar kapjen nga institucionet e tjera, ka pasur vlerë vetëm në fillim, kur reforma ishte ende e pa konsoliduar. Sipas vetë ligjit organik të Gjykatës Kushtetuese, rotacioni do të zhvillohej deri në vitin 2022. Pra, ai ka skaduar që para tre vitesh. Edhe Komisioni i Venecias, i pyetur për këtë temë nga presicenca e republikës dhe kuvendi, në vitin 2020 ka arritur në përfundimin se parimi i rotacionit duhet hequr dhe anëtarët e kushtetuesese duhen emërtuar me mandat të plotë 9 vjeçar.
Por, manipulimi nuk përfundon këtu. Edhe nëse nuk përfillet ligji organik i vetë Gjykatës Kushtetuese, madje as rekomandimi i Venecias dhe pranohet se parimi i rotacionit vijon ende, prapë ai nuk kap mandatin e Sonil Bejtes për të cilën presidenti ka kërkuar shqyrtimin këtë 16 tetor. Neni 173/C i kushtetutës e ka të përcaktuar qartë se nëse do ndodhte rotacioni, ai do të përfshinte mandatet e antëtarëve aktualë, Olta Zaçaj dhe Sandër Beci. Pra këtu historia fillon e vjen pak erë. Por ajo kutërbon kur hapen letrat dhe shikon që mandati i gjyqtares Bejtja, është i plotë, 9 vjeçar. Ky mandat, të cilin e mori më parë Besnik Muçi që ndejti vetëm një muaj në detyrë se u dogj nga vettingu, është përcaktuar si i tillë edhe nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, që atë kohë drejtohej nga Ardian Dvorani edhe nga presidenti Meta (dokumettat poshte). Ata qenë të ndërgjegjshëm që ky mandat nuk prekej nga parimi i rotacionit me të cilin duan ta arsyetojnë sot.

Ka qenë pikërisht kjo manovër e presidentit Begaj, i cili i frymëzuar nga Sokol Sadushi dhe me manipulimin që i bëjnë këshilltarët e vet ligjorë, ka bërë që, pa qenë e nevojshme, presidenti të vërë në diskutim një dekret të pararadhësit të vet. Ky skandal e ka çuditur dhe Bashkimin Evropian, i cili në raport progresin e fundit, atë për vitin 2025, ka folur për “pasigurinë ligjore” të mandatit të anëtarëve të GJK.









