Ajri që vret
Nga Dojna Mema
Në këtë qytet, e në këtë jetën tonë të vogël, ka shumë gjëra që i marrim për të mirëqena.
Por ka një gjë e marrim më të mirëqenë se gjithçka tjetër… ajrin që thithim
Jo se nuk kemi dëgjuar për mungesë ajri. Kemi dëgjuar. Në televizor, nga alpinistët që ngjitin Everestin. Që flasin për mungesën e oksigjenit në majë të botës.
Por askush nuk flet për mungsën e ajrit poshtë. Atje ku zbret minatori. Ai që thith pluhur, jo oksigjen. Që nuk e bën për sport e as për sfidë personale, por ngaqë nuk ka zgjedhje tjetër.
E, pra… sot, në Tiranë, ne jemi shumë më afër ajrit të minatorit se atij të alpinistit.
Më kujtohen çarçafët që varën në mes qytetit disa aktivistë para disa vitesh. Ishin të bardhë, kur i varën në sheshin ‘Skënderbej’. Brenda dy ditësh u bënë të zinj. Dhe ne i pamë, bëmë një ‘uaau’… pastaj vazhduam rrugën.
Po mushkëritë tona? i keni parë si janë?
Ato nuk i vendosim dot në bulevard. S’i ekspozojmë dot si dëshmi.
Dhe ndërkohë… vazhdojmë të thithim ajrin që vret.
Ky ajër s’bën dallim.
E thith unë. E thith ti. E thith dhe ai fëmija i pafajshëm që luan në oborr, dhe ai prindi që voton me kompromis – për përfitimin e vogël.
Në dëm të qytetit. Në dëm të vetes.
Në dëm të fëmijëve të vet.
Ti mund të shmangësh ushqimin e keq. Mund të zgjedhësh restorantin.
Mund të mësosh të bashkëjetosh me kullat e betonit. Me mungesën e gjelbërimit.
Mund ta blesh ujin tërë jetën.
Mund të adaptohesh edhe me trafikun që të çmend.
Por ajrin? Ajrin nuk mund ta shmangësh.
Jo, në një qytet ku ke ngritur jetën. Ku ke blerë shtëpinë. Ku ke punën. Ku fëmijët e tu luajnë në rrugë.
Ti mund të bësh sikur nuk e sheh se çfarë thith.
Po a ke kurajë ta bësh sikur nuk sheh çfarë ajri po thithin fëmijët? Fëmijët e tu!
Unë dua që cilësia e ajrit të ndryshojë. Ndoshta e do dhe ti.
Por për të ndodhur kjo, duhet të ndryshojë mënyra si ky qytet keqtrajtohet e keqmenaxhohet. Bashkë me ajrin e tij.
Prandaj, unë e kam me ty.
Me ty, njeriun e kompromiseve të vogla.
Do të vazhdosh?
Kompromiset e vogla?
Paratë e vogla?
Marifetet e vogla?
Përfitimet e vogla nga vota jote e papërgjegjshme?
Apo një herë në jetën tënde do ngresh zërin e do kërkosh ndryshim?
Nëse mushkëria jote ka akoma fuqi të bërtasë…
bërtit.
Sepse ajri që vret,
s’është më problem i askujt tjetër.
Është i yti.








