Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA: Protestat e Sorosit janë kundër Amerikës

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA: Protestat e Sorosit janë kundër Amerikës

Nga Mariane Angela, DAILY CALLER

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, tha të hënën në Fox News se demonstratat “No Kings” në të gjithë vendin zbuluan “agjendën e vërtetë” të së majtës.

Grupet e majta, që kanë mbrojtur regjime autoritare, u bashkuan të shtunën në një seri protestash kundër presidentit Donald Trump nën moton “No Kings” (Jo Mbretër), duke e akuzuar presidentin për sjellje diktatoriale. Duke folur në “Hannity”, Johnson tha se retorika e këtyre grupeve tregonte një përbuzje të qartë për kapitalizmin, sundimin e ligjit dhe parimet themeluese të kombit.

Tani, dëgjoje gjuhën e këtyre njerëzve, Sean — se çfarë mbrojnë. Është krejt e kundërta e asaj mbi të cilën u themelua Amerika. Ata nuk e duan jetesën këtu. Nuk u pëlqen kapitalizmi apo sistemi i sipërmarrjes së lirë,” i tha Johnson moderatorit Sean Hannity. “Ata nuk i duan parimet themeluese të vendit, lirinë individuale, qeverinë e kufizuar, sundimin e ligjit, paqen përmes forcës, përgjegjësinë financiare, tregjet e lira, dinjitetin njerëzor. Ata janë kundër të gjitha këtyre”.

Johnson paralajmëroi gjithashtu se protestat kishin kaluar një vijë të rrezikshme, duke thënë se retorika e tyre tregonte një prirje dhune që zbulonte natyrën e vërtetë të lëvizjes.

“Dhe ata dalin e përhapin këto mesazhe radikale, mesazhe të dhunshme. Bëjnë thirrje për vrasjen e një presidenti që tashmë i ka mbijetuar dy atentateve të dështuara, dhe po tallen me vdekjen e Charlie Kirk. Këta njerëz mund të vlerësohen dhe gjykohen nga veprimet e tyre. Dhe mendoj se të gjithë në vend mund të shohin saktësisht se çfarë po ndodh këtu,” shtoi ai.

“Po shohim një moment të qartësisë së vërtetë. Populli amerikan mund të shohë saktësisht se çfarë po ndodh këtu. Këto tubime i përshkruam si ‘tubimet anti-Amerikë,’ sepse nuk ka përshkrim më të mirë. Shiko kush mori pjesë. Chuck Schumer dhe demokratët e senatit dolën atje për të marrë pjesë,” vazhdoi Johnson.

“Ata qëndruan krahu për krahu, pranë disa prej grupeve më radikale që janë mbledhur ndonjëherë në tokën e SHBA. Ata shpallën hapur se ishin bashkë-sponsorizuar — financuar nga George Soros, dhe bashkë-sponsorizuar nga Partia Komuniste e SHBA-së, Lidhja e Rinisë Komuniste e Nju Jorkut dhe të gjitha grupet e tjera radikale. Ata ishin atje duke mbrojtur këtë kauzë”.

Dhjetëra protesta shpërthyen të shtunën në të gjithë vendin, duke targetuar presidentin Trump dhe politikat e administratës së tij. Gjatë zgjedhjeve të mesmandatit të vitit 2022 dhe garës presidenciale të vitit 2024, demokratët shpesh e portretizuan Trump dhe republikanët e tjerë si fashistë dhe kërcënime për demokracinë.

Fushata “No Kings” pretendoi se milionë pjesëmarrës morën pjesë në mijëra marshime të koordinuara në qytetet kryesore për të kundërshtuar atë që organizatorët e përshkruanin si sundim nga një njeri dhe për të riafirmuar se Shtetet e Bashkuara i përkasin popullit të tyre. Liderët e lëvizjes thanë se qëllimi i tyre ishte të rezistonin ndaj “qeverisjes përmes frikës dhe forcës”.

Disa protesta morën një kthesë më të errët teksa pjesëmarrësit shprehën kërcënime dhe dhunë. Në Seattle, një burrë i tha gazetarëve se dëshironte të dëmtonte këshilltarin e Shtëpisë së Bardhë, Stephen Miller, të cilin e krahasoi me një nazist. Një grua në Portland, Maine, tha se mesazhi për vdekjen e Trump do të ishte dhurata më e mirë për ditëlindjen e saj.

Share it :