Dy projekte, një skemë/ Modeli i vjedhjes që bashkon Llogaranë dhe Vlorën

Si tuneli i Llogarasë ashtu edhe aeroporti i Vlorës, janë dy vepra të mëdha publike të realizuara nën qeverisjen e Edi Ramës. Por pas investimeve miliardëshe, ka dalë në pah i njëjti model i abuzimit me fondet publike, një skemë korrupsioni pa shumë fantazi që transferon qindra milionë euro në duart e klientëve të pushtetit.

Tuneli i Llogarasë është një aferë ku gati 50 milionë euro u shtuan fiktivisht sipas një tenderin e qepur me porosi, ndërsa në aeroportin e Vlorës skema e korrupsionit degradoi në një mënyrë të tillë, që çoi në bllokimin e punimeve të aeroportit

Por cilat janë ngjashmëritë e realizimit të këtyre dy projekteve? Pse dallon e njëjta dorë për nga mënyra se si është realizuar vjedhja? Lapsi.al ka përzgjedhur disa aspekte të procedurave, që nxjerrin në pah të njëjtën metodë vjedhjeje, si në Vlorë edhe në Llogara.

1) Një firmë e huaj për “dekor”

Në të dy rastet, si për tunelin e Llogarasë, ashtu edhe për aeroportin e Vlorës, futet në lojë një kompanie e huaj për të eleminuar konkurencën. Para popullit, qeveria mburret se ka ftuar konsorciume të huaja me eksperiencë, por në praktikë, kompanitë e huaja kanë shërbyer si mbulesë për qëllimet korruptive.

Në rastin e aeroportit të Vlorës, kompanitë e Behgjet Pacollit dhe Valon Ademit nuk kishin eksperiencë në ndërtimin e aeroportit, ndaj u fut në lojë kompania YDA Group. Për pasojë u shmangën britanikët e AL-DE Corporation LTD.

Britanikët e denoncuan garën si të parregullt por ankesat e tyre ranë në vesh të shurdhër. Një vit më pas, YDA Group u tërhoq nga projekti, duke i shitur 40% të aksioneve vetëm për 4,450 euro

Në rastin e tunelit të Llogarasë u gjet e përshtatshme kompania INTEKAR ASL, e cila është themeluar në vitin 1989 në Ankara. Qëllimi ishte të justifikohej shtesa prej gati 50 milion eurosh në tenderin e përsëritur të ciin herën e parë e kishte fituar kompania shqiptare Gjoka Konstruksion.

Edhe pasi INTEKAR YAPI e fituan tenderin, sërish punimet i kreu kompania shqiptare me të njëjtat kosto, por firma e huaj u përdor për të vjelur më shumë para nga punimet.

2) Përherë kompanitë nga Turqia në skemë

E çuditshme është se si në të dyja rastet, kompanitë e huaja që i shërbejnë manovrave të qeverisë importohen nga Turqia.

Fituesi i koncesionit të aeroportit në Vlorë ishte konsorciumi turko-kosovar, i përbërë nga YDA Group (Turqi), Mabetex Group e Behgjet Pacollit dhe 2A Group e Valon Ademit. Pas largimit të turqve, projekti mbeti në duart e Pacollit dhe Ademit, të dy me lidhje politike të drejtpërdrejta me Ramën.

Në rastin e tunelit të Llogarasë, përzgjedhja e kompanisë së huaj, INTEKAR ASL ishte sërish në Turqi.

Tenderi i parë, në fund të vitit 2020, u fitua nga kompania shqiptare Gjoka Konstruksion me ofertën 140 milionë euro. Pas disa muajsh, tenderi u anulua dhe një vit më pas në qershor 2021 u hap një garë e dytë, këtë herë e fituar nga bashkimi turk Intekar–ASL me ofertën 170 milionë euro, që më vonë u rrit në 190 milionë.

“Kombinimi turk nuk ka sjellë asnjë makineri, asnjë pajisje. Gjithë punën e ka bërë firma shqiptare. Turqit kanë fituar 32 milionë euro për të mos bërë asgjë,” – deklaroi Ahmetaj.

3) Rama projekton, Balluku hedh firmën

Në vitin 2021, teksa firmoste me shumë bujë kontratën për Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës, Edi Rama e shpalli atë si “projekt strategjik të miqësisë shqiptaro-turke”. Më vonë, kryeministri e ka vlerësuar projektin dhe është interesuar vazhdimisht që ai të ishte funksional në verën e vitit 2025. Por pavarësisht se është një projekt i Ramës, firmat janë hedhur nga Belinda Balluku.

Së fundmi ka dalë një dokument (shiko lart) që implikon direkt Ballukun për ngërçin mes aksionerëve të aeroportit, pasi ishte ajo që firmosi për tërheqjen e kompanisë turke YDA Group nga konsorciumi, shitjen e aksioneve dhe lënien e projektit në dorë të kompanive shqiptare, pa eksperiencën e duhur për vazhdimin e punimeve.

Përsa i përket tunelit të Llogarasë, ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj ka treguar se përzgjedhja e kompanisë turke INTEKAR ASL ishte një atribut direkt i kryeministrit Edi Rama. Siç tregoi më vonë Arben Ahmetaj Rama dhe Balluku kryen një vizitë në Ankara para se të bëhej tenderi i tunelit në Tiranë, por më vonë firmën për të shtuar 50 milion euro për projektin në vendimin e qeverisë e ka hedhur Balluku.

Në një nga raportet e Kontrollit të Lartë të Shtetit citohet se është ZV.Kryeministrja Balluku që me anë të Aktit normativ nr.17 dt 1 Dhjetor 2022 dhe aktit normativ nr.19 dt 29 dhjetor 2022, miratoi ndryshime në buxhetin e shtetit për t’i shtuar 50 milionë euro ministrisë që drejtonte vetë për rastin e tunelit të Llogarasë.

4) SPAK me kokën në rërë si struci

Pavarësisht fakteve ulëritëse që dalin nga këto afera korrupsioni, SPAK ende nuk ka leje të veprojë për të hetuar procedurën që shkon deri në hierarkinë më të lartë qeverisëse, por merret me dëmet periferike.

Në burg ka përfunduar ish-drejtori i ARRSH, Ervis Berberi, për disa manovra korrupsioni me disa miq të tij. Ai akuzohet se ka vjedhur disa qindra mijëra euro, ndërkohë që nuk ka asnjë lëvizje për 50 milion euro dëm që i është krijuar shtetit në këtë skemë korrupsioni.

Edhe për rastin e aeroportit të Vlorës, çështja ka përfunduar në prokurorinë e Tiranës. Por hetimet janë fokusuar në mosmarrëveshjet mes aksionerëve, ndërkohë që për lojërat me kompaninë turke që tërhiqet nga punimet nuk ka asnjë veprim.

Praktikisht drejtësia ndalet deri tek zyrtari i mesëm, ndërsa rrjeti i vërtetë i korrupsionit që e projekton dhe e mbyll këtë aferë mbetet jashtë çdo përgjegjësie. Kuptohet se SPAK, struktura e krijuar për të luftuar korrupsionin e niveleve të larta, nuk mund të ndërhyjë veçse te hallkat e vogla, te “drejtorët e ARRSH-së”, ndërsa maja e skemës, aty ku ndodhin manovrat prej dhjetëra milionë eurosh, mbetet e paprekur./Lapsi.al

 

 

Share it :