Nuk më shantazhon dot mua”/ Biseda e tensionuar për Kushtetuesen, kush e futi “në rreth të kuq” Sadushin

Deri tre javë më parë, Sokol Sadushi dukej një nga njerëzit më të paprekshëm në Shqipëri. Pjesë e grupit të “baballarëve” të Reformës në Drejtësi, ai u katapultua në krye të Gjykatës së Lartë, pavarësisht idesë paraprake se ekspertët e Nivelit të Lartë nuk mund të merrnin poste të larta në Drejtësinë e Re.

Prej mëse tre vitesh, Sadushi udhëheq me dorë të fortë, të paktën në dukje, trupën e Gjykatës së Lartë. Njëkohësisht, ai vendosi nën urdhërat e tij edhe Këshillin e Emërimeve në Drejtësi (KED), një strukturë që menaxhon kandidaturat për në Gjykatën Kushtetuese.

Falë pozicionit të drejtuesit në KED, Sokol Sadushi udhëhoqi një operacion kirurgjikal për ndërprerjen e parakohshme të 3 mandateve në Gjykatën Kushtetuese. Por, pikërisht, ky rast, që dukej si rezultati më spektakolar i tij, po i shndërrohet në problemin më të madh.

 

Oreksi i shtuar i Sokol Sadushit për mandatet në Gjykatën Kushtetuese, e ka vendosur atë përballë forcave madhore politike, të cilat, duket se e kanë kuptuar disi me vonesë revanshin e tij në sistemin e drejtësisë.

Gjatë të gjithë muajit Tetor, Sokol Sadushi është vendosur në shënjestër të televizionit më të madh kombëtar, “Top Channel”, por edhe të disa mediave të tjera. Në fokus është votimi i diskutueshëm në Gjykatën e Lartë për të zgjedhur anëtarin e ri  të Gjykatës Kushtetuese mes kandidatëve Asim Vokshi dhe Naureda Llagami.

Ky sulm i ashpër mediatik, u pasua nga një ngjarje me të vërtetë e paprecedentë, e konsumuar të enjten e kësaj jave (23 Tetor 2025). Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) zhvilloi ceremoninë për betimin e 42 magjistratëve të rinj, por ishte “harruar” të ftohej Sokol Sadushi, i cili mban edhe pozicionin e kryetarit të Bordit të Shkollës së Magjistraturës.

Formalisht, “harresa” mund të justifikohet me faktin që ceremonia e betimit u bë shumë shpejt, vetëm 24 orë pas emërimit të gjyqtarëve të rinj. Megjithatë, “harresa” për të ftuar Sadushin, firma e të cilit është në diplomat e magjistratëve të rinj, nuk duket aspak rastësore.

Në pamje të parë, duket se “harresa” është një hakmarrje e kreut të Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ), Ilir Rusi, për mungesën e ftesës zyrtare të tij nga Sadushi për të marrë pjesë në Mbledhjen e Përgjithshme të Gjyqtarëve, pas vrasjes së gjyqtarit të Apelit, Astrit Kalaja.

Megjithatë, “hakmarrja” e Rusit për ftesën e munguar duket se është vetëm njëra pjesë. Kryetari i KLGJ-së, në albumin fotografik të ceremonisë kishte vendosur të paktën tre foto, ku në krah të tij gjendej i buzëqeshur Drejtori i Shkollës së Magjistraturës, Arben Rakipi, njeri që ka krijuar “përplasje thikash” me Sokol Sadushin. Ky mund të jetë mesazhi më domethënës që Sadushi është “jo i mirëpritur” në Polin e Drejtësisë.

Në foto: Drejtori i Magjistraturës, Arben Rakipi dhe kreu i KLGJ-së, Ilir Rusi, në ceremoninë e betimit të magjistratëve të rinj

Sadushi, nga ana e tij, u ndje shumë i limontuar nga “harresa”. Ai shfrytëzoi një urim në rrjete sociale për një prej magjistratëve të rinj, për të përcjellë reagimin e tij: “Edhe pse sot nuk kam qenë i ftuar, ndjej të njëjtim gëzim e respekt…”.

Në të gjithë këtë furtunë 3-javore, Sokol Sadushi po sheh gjithashtu se si po injorohet edhe nga Presidenti i Republikës, Bajram Begaj. Kreu i Shtetit po shtyn në pafundësi dekretimin si gjyqtar kushtetues të Asim Vokshit, i emëruar nga Gjykata e Lartë dhe që konsiderohet si “beniamin” i Sokol Sadushit.

Në Shqipëri, janë shumë të paktë, në mos një njeri i vetëm, që mund të luajë njëkohësisht disa fije-të organizojë sulme mediatike, të nxisë Këshillin e Lartë Gjyqësor të “harrojë” ftesën për kryetarin e Gjykatës së Lartë dhe të diktojë Presidentin që të neglizhojë dekretimin e njeriut të afërt të Sadushit.

Të gjitha rrugët të çojnë tek kryeministri, Edi Rama.

Biseda e tensionuar

Një burim i nivelit të lartë, shumë pranë Kryeministrit Rama dhe kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Sadushi, tregon për “Boldnews.al” një bisedë të tensionuar mes të dyve, në 30 Shtator 2025, pak pasi u shpall emri i Asim Vokshti si kandidati fitues për në Gjykatën Kushtetuese.

Në bisedën, me gjasë telefonike, të rindërtuar nga burimi i redaksisë, pretendohet se kryeministri Rama i ka kërkuar llogari Sadushit se “Përse e bëre këtë?”, duke iu referuar përzgjedhjes së Asim Vokshit.

Në foto: Kryeministri Edi Rama

Nga ana e tij, Sadushi nuk e ka mirëpritur tonin dhe rrjedhën e bisedës, duke iu drejtuar Ramës me shprehjen: “Nuk më shantazhon dot mua!”, duke u munduar të sqarojë me detaje procedurën e ndjekur në votimin në Gjykatën e Lartë.

Rama, i cili njihet si një person që nuk i pëlqen sqarimet dhe justifikimet e gjata, aq më tepër kur kanë të bëjnë me procedura të ndërlikuara kushtetuese e ligjore, ka ndërprerë komunikimin, pa i lënë kohë Sokol Sadushit që të shprehë argumentat e tij.

Biseda e supozuar është riprodhim i personit pranë dy drejtuesve të lartë shtetërorë dhe autenticiteti i saj mbetet për t’u konfirmuar.

Megjithatë, ajo që ndodhi më pas, përforcon bindjen se përplasja Rama-Sadushi ka ndodhur realisht.

“Revanshi” i Sadushit

Disa ditë pas kësaj bisede të supozuar, Sokol Sadushi organizon mbledhjen “informale” të gjyqtarëve të Republikës, në formë reagimi pas vrasjes tragjike të gjyqtarit të Apelit, Astrit Kalaja në sallën e gjyqit, në 6 Tetor 2025.

Në mbledhjen e gjyqtarëve të 9 Tetorit, Sokol Sadushi foli për herë të parë dhe “pa dorashka”, për problemet e mëdha të sistemit gjyqësor. Ai, si kurrë më parë, guxoi të përmendte kritika, që shigjetonin drejtëpërdrejtë qeverinë e Edi Ramës dhe maxhorancën socialiste parlamentare, e cila është treguar e mefshtë për t’iu përgjigjur nevojave imediate të gjyqësorit.

Në foto: Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, në Mbledhjen e Përgjithshme të Gjyqtarëve

Më tej, në 21 Tetor 2025, Sokol Sadushi ashpërsoi gjuhën, duke ritheksuar në një takim ceremonial me ekspertët e Këshillit të Europës dhe Komisionit të Venecias, se problemet në sistemin e drejtësisë janë pasojë e zvarritjes së Reformës në Drejtësi dhe sidomos Vetingut, një shigjetim i drejtëpërdrejtë për kryeministrin Rama dhe maxhorancën e tij, tashmë prej 4 mandate qeverisëse.

Debati përtej emrit të përveçëm

Skenari që iu referua “Boldnews-it” nga burimi i nivelit të lartë për përplasjen Rama-Sadushi, duket se lidhet me emrat e përveçëm për në Kushtetuese. Sadushi mbështeti Asim Vokshin. Ndërsa Rama duket se mbështet Naureda Llagamin, e cila rezultoi humbëse vetëm falë një vote që u shpall e pavlefshme.

Nëse pranohet në një moment se kjo është arsyeja e vërtetë, atëherë ajo lidhet me meritat personale të kandidatëve. Asim Vokshi, për ata që e njohin dhe bashkëpunojnë, nuk shquhet për aftësi të shkëlqyera, megjithëse, herë pas here ka dëshirë “të veprojë me kokë të vetë”, një tipar që duket se nuk pëlqehet nga Rama, i cili nuk ka dëshirë t’u lutet shumë gjyqtarëve për porositë e tij.

Në foto: Asim Vokshi, anëtar i Gjykatës së Lartë dhe kandidati për në Gjykatën Kushtetuese

Nga ana tjetër, kandidatja rivale dhe më afër interesave të Ramës, duket se është Naureda Llagami. Ish-kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ) njihet gjerësisht si pjesë e “entourage” të Erion Veliajt. Llagami është një mikeshë e ngushtë e bashkëshortes së kryebashkiakut të arrestuar të Tiranës, Ajola Xoxe. Si kryetare e KLGJ-së, Llagami ka treguar shpesh se është “njeri i bindur ndaj urdhërave politikë”, një kriter i parapëlqyer nga kryeministri Rama.

Debati Rama-Sadushi për vetëm një emër duket se është tejet i kufizuar. Gjyqtarët e nivelit të lartë kanë treguar aftësi për të kuptuar qartësisht pushtetin e fuqishëm dhe interesat e kryeministrit Edi Rama, e për këtë arsye i vetëofrohen kreut të qeverisë me vendimet e tyre, edhe pa ua kërkuar ky i fundit.

Në foto: Naureda Llagami, ish-kryetare e KLGJ-së dhe kandidate për në Gjykatën Kushtetuese

Ndaj, emrat e përveçëm, si Asim Vokshi e Naureda Llagami, nuk përbëjnë asnjë interes për Ramën.

Arsyet e “përplasjes” së tij me Sokol Sadushin duket se janë më të thella dhe se “sherri” për një anëtar të Gjykatës Kushtetuese mund të jetë pika e fundit në gotë-një gotë që ka nisur të mbushet kohë më parë, kur Sokol Sadushi shfaqi hapur oreksin e madh për të marrë në kontroll pushtete të gjera në sistemin e drejtësisë.

Gjatë 12 viteve në pushtet, Rama ka treguar se nuk toleron asnjë “oreks të madh” apo “tentativa për pol të rëndësishëm pushteti”, përveç atij që ka krijuar vetë.

Pasojat e “oreksit të shtuar” i kanë provuar me radhë “beu i Jugut”, Koço Kokëdhima, “ministri kampion” i Brendfshëm, Saimir Tahiri, “tigri i qeverisë”, Arben Ahmetaj apo edhe “pasardhësi”, Erion Veliaj.

Bold news

Share it :