Opozita të vrasë frikën”/ Salianji thirrje për protesta: Duhet një shkundje e gjithë shoqërisë
Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, bëri thirrje që opozita të nisë protesta të fuqishme për të kërkuar largimin e qeverisë dhe të kryeministrit Edi Rama, pas marrjes nën hetim të ministres së Energjisë, Belinda Balluku.
Salianji tha se rasti i Ballukut duhet t’i shërbejë opozitës si motiv për të mobilizuar qytetarët dhe për të thyer “apatinën” që ai sheh në shoqëri.
“Edhe ky rast duhet të shërbejë që opozita të organizojë protesta të fuqishme, për të treguar që kjo nuk mund të normalizohet dhe as të pranohet. Duhet një shkundje e të gjithë shoqërisë,” tha Salianji.
Ai shtoi se detyra e opozitës është të “vrasë frikën” dhe të dalë në ballë të përballjes me qeverinë. Sipas tij, vjedhjet dhe përdorimi i institucioneve për interesa personale ndikojnë çdo qytetar, prandaj protesta duhet të jenë një reagim i gjerë shoqëror, jo vetëm një mbështetje për PD.
Në një pjesë të intervistës, Salianji u shpreh se qytetarët ndjejnë revoltë dhe se opozita duhet t’i frymëzojë ata të dalin kundër, duke akuzuar gjithashtu për “burgosje politike” dhe presione ndaj mediave.
Pjesë nga intervista e Salianjit
Nisida Tufa: Nuk është se ka një frymë për të protestuar…
Ervin Salianji: Besoj se ka një frymë revolte tek qytetarët dhe këtë e ndjej në çdo takim.
Nisida Tufa: Por jo për të kthyer besim tek opozita…
Ervin Salianji: Nuk po them të dalin për t’i dhënë besim opozitës. Vjedhja nuk i bëhet vetëm opozitës, PD-së, por vjedhja e fondeve publike i bëhet çdo qytetari, padrejtësia i ndodh çdo qytetari, përdorimi i institucioneve publike për interesin personal të Edi Ramës i ndodh çdo qytetari. Nëse në të kaluarën ka ndodhur që nuk ka patur reagim, ose ka patur reagim nga shtëpia, duhet që të gjithë qytetarët të mblidhen para institucioneve për të larguar Edi Ramën. Nuk po qeveris me besim apo program, por përmes frikës. Bën burgosje politike, e kam provuar vetë, bën goditje për interesa politike dhe ju e keni provuar vetë kur nuk i nënshtrohesh linjës editoriale që do Edi Rama dhe i jep mundësi publikut, siç ka ndodhur me grupin tuaj mediatik ai vendos tritolin, vendos gjobat, shkon në absurditete ku persona që duhet të jenë të izoluar për shkak të rrezikshmërisë siç janë drejtuesit e tatimeve në këtë vend, kanë guximin që të vendosin gjoba për një godinë e cila e ka parë e gjithë Shqipëria që është shembur para 3 vitesh dhe kërkojnë tatim. Nuk ka ndonjë ndryshim Edi Rama që vret institucione në këtë vend me ata rrugeçërit në rrugë që vrasin “pse më pe shtrembët”? A duhet të ketë reagim të shoqërisë? Besoj se po. Revoltë ka. Opozita duhet të frymëzojë për të vrarë frikën dhe të jetë opozita dhe të gjithë drejtuesit e saj në ballë të kësaj përballje me Edi Ramën.









