Florjan Binaj: Tiranës nuk i duhet një shërbëtor i partisë, por i qytetarëve
Kandidati i pavarur për Bashkinë e Tiranës, Florjan Binaj, ka ndarë një mesazh në rrjetet sociale, në vijim të fushatës së tij për zgjedhjet e pjesshme.
Në postimin e tij, aktori dhe aktivisti i njohur shpjegon motivet që e shtyjnë të garojë për drejtimin e kryeqytetit:
“Shumë veta më pyesin pse po kandidoj. Po kandidoj për fëmijët tanë, për fëmijët tuaj, për këtë qytet. Që fëmijët tanë të rriten duke ndërtuar kujtime dhe jo duke parë ndërtime.”
Binaj thekson se jeton në Tiranë si çdo qytetar tjetër, “me bashkëshorten dhe tre fëmijët, në një pallat të vjetër, në një apartament të vogël, por të ngrohtë e plot dashuri”.
Ai shton se me punën, aktivizmin dhe humorin e tij ka ngritur gjithmonë zërin kundër padrejtësive dhe në mbrojtje të njerëzve që kanë vërtetë nevojë. “Një Tiranë e pashëndetshme nuk mund të prodhojë qytetarë të shëndetshëm. Në krye të bashkisë së Tiranës nuk duhet një shërbëtor i partisë, por një shërbëtor i qytetarëve,” thekson kandidati i pavarur.
Në përfundim, Binaj u bën thirrje qytetarëve të bashkohen për një Tiranë më të jetueshme: “Duhet të veprojmë të gjithë bashkë, për ta kthyer Tiranën në qytetin që duam t’u lëmë fëmijëve tanë.”
Në përfundim, Binaj u bën thirrje qytetarëve të bashkohen për një Tiranë më të jetueshme: “Duhet të veprojmë të gjithë bashkë, për ta kthyer Tiranën në qytetin që duam t’u lëmë fëmijëve tanë.”









