Djalli fle në detaje’, Ahmetaj: Aeroporti i Vlorës, grabitje e buxhetit për 10 vite! Në SPAK ka ende sherr për Ballukun

Djalli fle në detaje’, Ahmetaj: Aeroporti i Vlorës, grabitje e buxhetit për 10 vite! Në SPAK ka ende sherr për Ballukun

EKSKLUZIVE/ Ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj në një lidhje direkte ekskluzive në emisionin “Çim Peka Live” në Syri TV iu përgjigj kreut të SPAK Altin Dumani i cili sot nga salla e Kuvendit e ftoi të bëhej bashkëpunëtor i drejtësisë. I pyetur për Aeroportin e Vlorës tha se formula është gabim pasi shteti nuk mund të ketë 100% në një PPP. Ahmetaj tha se kemi të bëjmë me një grabitje të buxhetit të shtetit për 10 vite

Interivsta e Plote

Arben Ahmetaj: Mirëmbrëma.

Çim Peka: Ju e dëgjuat prokurorin e SPAK, Altin Dumanin dhe tha, nëse është i gatshëm të bëhet bashkëpunëtor i drejtësisë, ne e mirëpresim.

Arben Ahmetaj: Edhe në teknikën ligjor, bashkëpunëtor quhet dikush që ka kryer krim, siç ka rëndon Altin Dumani, disa Dumanë që i ka aty si bashkëpunëtor të drejtësisë. Unë nuk kam pse të jem bashkëpunëtor pasi nuk kam kryer asnjë krim. Nuk po flas për prezumimin e pafajsësisë, që kryeprokurori i SPAK i referohet parlamentit të Shqipërisë dhe thotë që, ky është i mirëpritur të jetë bashkëpunëtor. Dmth nuk ka prezumim pafajësie sepse sigurisht që tani unë jam shembull i 10 standardeve. Kjo është e para dhe më e rëndësishmja.

E dyta, unë kam qenë në SPAK, Altin Dumani nuk ka guxuar të më bëjë asnjë pyetje. E ka marrë me zell dhe me dhunë çështjen time me urdhër politik, dhe erdhi aty ku unë isha thirrur në SPAK bashkë me avokatin tim, dhe nuk guxoi të më bëjë asnjë pyetje.

Për çfarë jam i mirëpritur unë, për të qenë bashkëpunëtor i kujt drejtësie? Për çfarë krimi dhe është interesante tani, praktikisht reforma në drejtësi ka si strumbullar një dështim dhe Altin Dumani është pronari i dështimit i reformës në drejtësi, për shkak jo më të dy standardeve, por standarde sipas qejfit dhe urdhrit politik. Kush është armik i Ramës, arrestohet duke u tërhequr zvarrë në rrugë.

Çim Peka: Megjithatë Dumani sot tha se, ne kemi marrë indicie nga deklaratat e tua dhënë për mua, për të filluar disa çështje.

Arben Ahmetaj: Jeni në vete ju apo jo? Unë kam disa pyetje retorike. Kush do ti lexojë si pyetje ti lexojë. Çfarë indicie ka marrë, për Thumanë-Kasharin që është bërë pa tender. Që është ndryshuar formati i koncesionit pa procedurë të re dhe paguajnë shqiptarët 1.3 miliardë. Kjo është?

Pyetje tjetër: çfarë indicie ka marrë për IPARD-in, po ulëret BE. Cila është arsyeja që nuk hetohet. Ca arsye ka që Onkologjiku në vend që ti shërojë, dhe jo për faj të mjekëve, ca arsye ka që nuk hetohet te Onkologjiku, rimbursimi i barnave. Kam bërë sherr unë për këto. Sherr. Po kam bërë sherr për naftën në Shëngjin. Pse nuk i heton.

Pse nuk merret me inceneratorin e Tiranës. Ku janë paratë, te hotelet e mia të supozuara janë paratë. Pse nuk merret me kontratën e koncesionit të Tiranës. Pse nuk merret.

Sa për dijeni, kush e ka lexuar kontratën, 29 eurot që paguajnë qytetarët nëpërmjet bashkisë së Tiranës janë për mbulimin e mbetjeve dhe për incenerim. Cila është arsyeja që shqiptarët paguajnë trefishin tani që nuk kanë incenerim.

Pse bëhet pronar i dëmit, Altin Dumani. Pse nuk merret me Beketin, indicie, vajtën 4-5-7 vite. U mor me mua me urdhër politik për 1 muaj e gjysëm dhe nxorri dhe urdhër arresti. Dhe jam i bindur e kam thënë, që kur kam pasur dyshim. Tani nuk kam më dyshim, që më kanë dashur të varur dhe të vdekur, prandaj deshën që të shkoja në burg.

Kujt i thotë ky akuzohet për korrupsion, për inceneratorët. Nuk kam asnjë firmë, nuk kam asnjë lidhje me procedurën e inceneratorëve. Pse nuk merret me McGonigal. Ky thotë jemi duke hetuar, shqiptarët duartrokasin. 5 veta duartrokasin.

Mos ti referohemi fare raporteve. Le tu thotë shqiptarëve se çfarë i kanë thënë herën e fundit në Departamentin e Shtetit. Pse shqiptarët janë budallenj, që lexojnë raporte dhe e shikojnë me sytë që shkëlqejnë Altin Dumanit.

Unë i sugjeroj Altin Dumanit që të bëhet vetë bashkëpunëtor me drejtësinë, kur të akuzohet për shpërdorim detyre, se si ka hetuar ndaj meje duke më kthyer target me urdhër të Edi Ramës. Njëri ngul thika dhe tjetri më fut në burg për të mos dalë më i gjallë nga burgu.

Çim Peka: Keni akuzuar 3 emra, Edi Ramën, Erion Veliaj, Belinda Balluku. Njëri është në burg, tjetra po hetohet, përveç Edi Ramës që është i paprekshëm deri tani.

Arben Ahmetaj: Ca do Rama janë të paprekshëm. Ca nuk do Rama që të jenë të paprekshëm, zvarriten në rrugën. Edhe mua rastësia më bëri të mos isha në burg. Por sot ajo rastësi më dha mundësinë të flas.

Me Beketin pse nuk merret Altin Dumani. Janë 130 mln euro. Tek unë u fut, nuk gjeti firma tek inceneratorët, nuk e mbështet dot akuzën për korrupsion, sepse nuk kam firmosur. Do të kapë veshin e majtë me dorën e djathtë, bën salto mortale ajuridike për të quajtur korrupsion.

E dini çfarë quan korrupsion ky, rialokim të fondeve. Ministri i financave bën rialokime fondesh me kërkesë të ministrave të tjerë, për kontrata në të ardhmen, për zëra buxheti që mund të kthehen kontrata në të ardhmen dhe për kontrata të dhëna. Ka definicion për korrupsioni; të jap diçka, më jep diçka.

E dini çfarë ka thënë për ato 34 mijë eurot e hoteleve të supozuara. Neve thotë kërkuam në hotel për emrat e Arben Ahmetaj dhe ish-bashkëshortes, ata nuk ishin të regjistruat aty, por ne jemi të bindur se ata kanë fjetur aty. Çmenduri, as në kohën e Stalinit nuk është bërë kjo.

Berat Buzhala: Thatë që SPAK i heton vetëm personat që nuk do Rama. A është edhe Belinda tani e targetuar prej Ramës që të likuidohet politikisht.

Arben Ahmetaj: E para dhe mbi të gjitha është se brenda SPAK ka akoma sherr për Belinda Ballukun. E dini për çfarë e ka hetuar Dumani zv/kryeministren aktuale? Dumani e ka hetuar për diplomën. Ndërkohë që këtej bëhej kërma, ai e ka hetuar për diplomën.

E dini për çfarë e thërrasin tani? Për një tender supervizioni. Është tallje e b… me drejtësinë dhe korrupsionin. Dmth aty janë gëlltitur 15 shkolla në një dorë tek tuneli i Llogarasë.

Tek Thuman-Kashar është bërë nami. 1.3 miliardë do paguajnë shqiptarët. Tek ‘‘tigrat’’ çudi e madhe që praktikisht as në Kongo nuk do guxonte djali i presidenti diktator dikur, ta bënte, por e kanë bërë. Një pyetje kam unë, korrupsioni është shtuar pas ardhjes së SPAK të Dumanit apo është pakësuar. Çfarë po ndodh me AKSHI-n. Kujt ja shesin këta, që bëjnë sikur harrojë. Budallenj janë shqiptarët, hajt ta quajmë Ben Ahmetajn të korruptuar.

Këta si institucion janë kthyer; ne nuk na rruhet, thonë këta. Unë thotë ai e kam personale me Ben Ahmetaj. Personale me mua, pushka top or djalë, por unë as nuk të njoh, as më njeh, as nuk jemi zënë.

Deputetët pse nuk ja bënë një pyetje, që këtë të ndjekurin ndërkombëtarisht. Elvin Gogaj që unë do ta akuzoj për shpërdorim detyre, e thërrite ti prokurorin e dosjes ‘Buka’ e ti thuash; o djalë, po për çfarë e akuzon këtë, se ky ka mbrojtur interesat e shtetit. Apo hajt ti biem këtij. Ky paska mbrojtur interesat e shtetit, do katandisej kokoshi një thelë.

Çim Peka: Pyetja ishte, edhe Belinda Ballukun po e lejon Rama ta hetojnë.

Arben Ahmetaj: Nuk e pengon Edi Rama, Altin Dumanin ta hetojë. Nuk do Altin Dumani se nuk ka marrë urdhër. Kemi një shprehje andej nga jugu në rastin e zv/kryeministres; është bërë ajo gjëja kavaletë, dmth mban erë. Si ta shpëtojmë? Ta shpëtojmë se po ta hetojmë për tunelin, mban erë. Po ta hetojmë për ‘‘tigrat’’, për energjinë, për Thumanë-Kashar, mban erë. Po çfarë do bëjmë? Po mirë mo ne do i themi shqiptarëve ne po e hetojmë, që të ju themi se nuk ka njeri të paprekshëm.

Ne e kemi futur në burg një ish-zv/ kryeministër dhe po hetojmë një zv/kryeministre tjetër. Dhe e marrim dhe e çojmë në SPAK për tenderin e supervizionit 2 milionësh, jo për 190 milionëshin, jo për ‘‘tigrat’’, jo për inceneratorin e Tiranës që nuk është monitoruar, jo për Thumanë-Kasharin.

Kjo është një lojë qesharake, kush e ha e ha.

Çim Peka: Kjo ishte dhe për Veliajn, por është në burg sot ai.

Arben Ahmetaj: E dini për çfarë është në burg Veliaj. Për dy arsye. Një që të mos akuzohet për atë që ka bërë bashkë me Edi Ramën. Nëse donte indicie ky, i kam dhënë. Çfarë urdhri ka dhënë Edi Rama për inceneratorin e Tiranës në verën e 2017. Indiciet e këtij dhe ky më mirëpret mua si bashkëpunëtor, megjithëse unë nuk kam bërë asnjë krim.

E dyta, Edi Rama me një gur e vrau dy herë. Me demek e akuzoi se i kishin rënë pantallonat në tokë SPAK-ut dhe i duhej një ushqim shokësh, siç e ka zakon që u ngul thika. U dha Erion Veliaj dhe u tha, mos ma ngacmoni për 5D, incenerator, jo, jo. Do ta diskreditojmë për gjëra të tjera që janë larg meje. E dyta e hoqi qafe si njërin nga ana që kërkonte ti zinte vendin. Dhe pastaj dilte e qante si, njeri që të vret dhe pastaj qan.

Për një pjesë, media është e poshtër të bën gjyq. Mua urdhëroi Top Channel për dy muaj, as lufta në Ukrainë nuk u mbajt dy muaj në TCH, dhe u mbajt çështja ime. Vibratorët e mi, pllakat e banjës së Eriolës. Është fatkeqësi si është katandisur i të dëgjuarit në parlament. I thotë Tedi Blushit, kujt i bën këtë pyetje. Po si mo, ai është i zgjedhur, sa do ta urresh, ta kesh kundërshtar politik, se ti je bashkuar me Edi Ramën, jo me PS, por je bashkuar me Ramën dhe i thotë Blushit; kujt i bën këtë pyetje.

Lorenc Vangjeli: Termi i përdoruar sot nga drejtuesi i SPAK nuk ishte i saktë, kur ju ftoi të bëhej bashkëpunëtor. Por ka një mundësi që ju ta jepni dëshminë tuaj dhe kjo bëhet nëpërmjet komisioni ‘rrogator’ e njeh Kodi i procedurës penale një gjë të tillë, ose me letër porosi. Do ishit i interesuar ta bënit një hap të tillë.

Arben Ahmetaj: Unë kam dalë dhe kam denoncuar. Sa herë unë denoncoj ky shkatërron familjen time, dhe shokët e mi. Ky nuk ka lënë shok të mi pa masakruar, pa tentuar me dhunë ti fusë në pjesë me mua. Çfarë nuk i ka bërë familjes time, e ka shpërbërë. Nënën time e ka dërguar atje ku nuk duhet të vejë edhe për 100 vite të tjera. Mua ma ka kthyer duhanin në ushqim. Çfarë të bëj më unë.

Ky thotë e kam personale, nuk më pyetur kur shkova aty. I kam marrë me radhë unë. Beketi, McGonigal, ‘Tigrat’, Thuman-Kashar, tuneli, aeroportin e Vlorës e kam paralajmëruar dhe ka edhe të tjera që do i them në intervistën e radhës, për 2-3 muaj.

Çfarë kërkon ky tani. Kemi indicie rast pas rasti këtij të kërkuarit të tij dhe drejtësia e Edi Ramës. Kur je brenda të kap temperatura nuk arrin të shikosh dritën. Pse mo, tallet me shqiptarët ky tani. Kështu i duan këta, statistika.

Unë dalë në intervistë dhe SPAK me dhunë ndaj gjyqtarëve, marrin vendimin e Gjykatës Kushtetuese ku thotë se, sekuestrot ndaj meje janë të paligjshme dhe i urdhëron që të bëjnë atë që duhet të bëjnë. Gjykata e Apelit për 5 minuta me 1 seancë, ditën e shtunë, thotë se nuk e ndryshojmë vendimin ne, kur të mbarojë çështja.

Këto janë 10 standarde, nuk është drejtësi kjo, që aspirojnë shqiptarët.

Bëjini një pyetje Altin Dumanit. Ka ky një hetim që ta ketë filluar vetë nga ‘a në zh’, për organizatat kriminale në Shqipëri. Zero, përkundrazi, por do ta themi tek intervista tjetër. E them prap, pushka top ti bëhet, të shtojë akuzat, të sajojë siç ka bërë Edi Rama, që ka urdhëruar qeverinë; gjejani këtij, se nuk kam bërë asgjë. I vetmi gabim që kam bërë në jetë, dhe që pendohem është besimi naiv përtej 100% që kam pasur.

Për çfarë të pendohem unë? Që kam kundërshtuar koncesionin e TVSH-së, se ishte kriminal.

Për çfarë të pendohem unë? Që kam kundërshtuar inceneratoret. Jo nuk pendohem.

Që kam kundërshtuar formatin e aeroportit të Vlorës. Jo more nuk pendohem.

Që kam thënë se Thuman-Kashar nuk duhet bërë ashtu, jo nuk pendohem. Për të vetmen gjë që pendohem është që, kam pasur besim dhe dashur pa kufi, gati vëllazërore që ka thikën në dorë ndaj të gjithë njerëzve rreth e rrotull.

Disa gjëra nuk mohohen më.

E mbani mend, para disa javësh nxora procesverbalin e çështjes ‘Buka’ në media, ku prokurori Elvin Gogaj që duhet të përgjigjet një ditë. Këta duhet të bëhen bashkëpunëtor, të tregojnë se kush i ka shtyrë, se unë e di, por ta dëgjojnë shqiptarët nga goja e tyre.

Në seancë thotë dy gjëra të rënda. E para thotë, po të ishte Ben Ahmetaj i pafajshëm nuk do të bridhte rrugëve të Europës, por do të vinte këtu. Do vija atje për të mos dalë i gjallë nga burgu. Do vij atje, por ti them të gjitha, ti mbrohem taman unë, të dalë e vërteta dhe të vij patjetër.

Prezumim pafajësie nuk ka, se kanë kanë stil që arrestojnë avokatët në seancë.

E dyta thotë, që akuza se Arben Ahmetaj ka dëmtuar interesat e shtetit është lapsus. Ej po ti nuk ke lënë media pa ja thënë që, dëmi që ka bërë Arben Ahmetaj ka qenë 7 milion. E vërteta është e kundërta. E vërteta është se, Arben Ahmetaj ka mbrojtur interesat e shtetit. Po të bëja gabimin dhe të shkelja ligjin, sot privati do ishte duke ngrënë paratë që janë të shqiptarëve. Privati ha paratë e veta, paratë e shtetit kanë shkuar në buxhet. Kjo është e gjithë historia e asaj, është qesharake. Dhe më del aty dhe thotë, është i mirëpritur të bëhet bashkëpunëtor. Për çfarë krimin?

Çim Peka: Në lidhje me aeroportin e Vlorës. Keni denoncuar i pari me emër Belinda Ballukun, keni qenë prezent në Turqi. Hetimet kanë filluar për këtë gjë, dhe ka një debat të fortë mes ortakëve. Unë kam dhënë versionin e Pacollit dhe më pas ortaku tjetër Valon Ademi më ka nisur versionin e tij dhe më thotë se, në cilën ditë të javës të jetë i gatshëm unë përballem me Pacollin në studion tuaj. Unë po i them publikisht Pacollit dhe Ademit që nga kjo e enjte janë të mirëpritur kur të duan. Ademi është gati, nuk e di a është gati Pacolli. Ju çfarë dini për aeroportin e Vlorës.

Arben Ahmetaj: Unë nuk kam punë me biznesin, më bashkëpronarët e aeroportit të Vlorës. Unë kam punë me pronarët faktit të Aeroportit të Vlorës.
Çim Peka: Me pronarët faktit…

Arben Ahmetaj: Formula e përdorur për aeroportin e Vlorës është në dëm të interesit publik. Nuk mund të marrë përsipër buxheti i shtetit 100% riskut në një koncesion, ose në një Partneritet Publik Privat. Ka dy arsye, kur padituria thirret në një tryezë, ku dituria është kusht, sigurisht që këto do kemi si konsekuenca.

E dyta, çfarë nevoje ke ti të bësh një aeroport sikur po ndërton Milano dy në Vlorë. Pse nuk e fillon me një aeroport rajonal, ka qenë sugjerimi im dhe i Damian Gjiknurit. Një aeroport rajonal me pistë dhe sallë pritje të thjeshtë. Rriten numrat, jepe me koncesion, ose me formulë tjetër. Si qenka që unë i garantoj privatit si buxhet edhe kostot e operimit nëse atij nuk i plotësohen numrat, edhe fitimin.

Në çfarë vendi të botës është parë kjo. Kjo është grabitje e buxhetit të shtetit në 10 vite. Pse në 10 vite. Ka shumë detaje atje, djalli fle në detaje. Por qenkam unë i korruptuari. Kur futen patronazhistët kur flet Rama, Berisha, apo të tjerë, Ahmetaj i korruptuar. Po ku, nuk kam bërë një tender. 12 miliardë i kanë shkuar asaj zonjës.

Share it :