Dosja Balluku po e njollos edhe më shumë SPAK
Mënyra sesi SPAK dhe qeveria po sillen ndaj lajmit për hetimin e zv kryeministres, me shumë sesa idenë e një drejtësie të pavarur, që mbështetet në fakte dhe prova, të lë përshtypjen e një allishverishi të negociar mes palëve
Prej disa ditësh, që pas “rrjedhjes” së lajmit se Belinda Balluku është marrë në hetim nga SPAK, falangat e mbrojtjes me çdo kusht të këtij institucioni janë hedhur sërish në sulm.
“Po tani a ka më alibi se çunat e Dumanit kontrollohen nga Rama? Po nëse shkojnë edhe te Bela, pas Beqes, Ahmetajt, Veliajt a mund të vihet më në diskutim pavarësia e prokurorëve specialë? A mund të mbajë më fabula e dirigjimit politik edhe pasi ushtarët më të besuar të kryeministrit po bien njëri pas tjetrit”-, është thelbi i pyetjeve të tyre.
Në fakt, nga aq pak sa dimë rreth asaj që po ndodh me zv/kryeministren, në vend që të fashiten, dilemat e mësipërme bëhen më të forta. Gjithçka që po luhet në kulisa, më shumë se sigurinë e një hetimi të pavarur, të përforcon idenë e një drejtësie që negociohet larg syve të publikut, në koridoret e politikës.
Le ta shohim me kujdes kronologjinë e ngjarjeve që prej fundjavës që shkoi. Disa gazetarë të besueshëm, me burime të mirëinformuara brenda Prokurorisë Speciale, pohuan se kishin parë fletëthirrjen e SPAK-ut për Ballukun, duke shtuar madje, se ajo ishte ftuar të shoqërohej me avokat, çka ishte një shenjë evidente për pozitën e saj të rëndë. Që këtu lind dyshimi i parë. Pse prokurori special Prençi nuk bëri një njoftim transparent, zyrtar, për të njoftuar ditën dhe çështjen për të cilën ishte thirrur Belinda Balluku, por zgjodhi taktikën tashmë të njohur të infiltrimit të lajmit tek reporterët?
Enigmën e shton edhe më shumë edhe një detaj tjetër. Pasi lajmi mori dhenë, SPAK, refuzoi qoftë ta pohojë ose edhe ta mohojë atë. Me një komunikatë hemafrodite ai e la çështjen të hapur.
Nga ana tjetër, Edi Rama, kur u pyet për këtë ngjarje foli me fjalë të përgjithshme. Ai nuk mbajti qëndrim, as si në rastin e Arben Ahmetajt, “po të isha unë prokuror do ia bëja edhe më keq”, as si në rastin e Veliajt, kur aktroi goditjen me grusht mbi tavolinë, gjoja me shqetësimin e “republikës së prokurorëve që burgoste të zgjedhur që prezumoheshin të pafajshëm”. Më tej akoma që të gjitha mediat që komandohen nga kryeministria u porositën të fshihnin lajmin e thirrjes së Belindës në SPAK dhe vijuan me transmetimin e kronikave të saj të gatshme për të mbajtur iluzionin se gjithçka vijon normalisht.
Pikpyetjet që lindin nga kjo renditje ngjarjesh janë: mos vallë pala e Ramës u mundua ta reduktojë impaktin e lajmit, me besimin se në fund mund ta detyronte SPAK-un të tërhiqej? Mos vallë prokurorët hezituan deri në fund transparencën, pranimin se e kishin thirrur Ballukun, duruan në heshtje refuzimet e saj për tu paraqitur, nga droja se mos i detyronin të bënin prapakthehu? Mos ndoshta ata zgjodhën taktikën e rrjedhjes së informacionit tek gazetarë të besuar, që nëse më pas tërhiqeshin, askush mos ti vinte përballë përgjegjësisë?
Eshtë pikërisht kjo mënyrë sjellje e palëve që të bën të ngresh dyshime të forta se këtu nuk kemi të bëjmë me një drejtësi që ndjek logjikshëm rredhën e saj, e bazuar vetëm në prova dhe fakte, por me shumë me një allishverish ku palët, këtë rast qeveria dhe SPAK-u, negociojnë se deri ku mund të shkohet dhe ku jo. Pikërisht kjo drejtësi e negociuar, që ka qenë vija lidhëse e të gjitha goditjeve të mëdha të “heronjve të fëmijëve tanë” është njolla më ë pashlyeshme mbi portretin e tyre.
Po mirë mund të pyeste dikush, ç’lidhje ka gjithë ky masturbim intelektual nëse SPAK e godet Ballukun? Ç’vlerë kanë gjithë këto hamendësime, nëse pas ushtarëve dhe oficerëve, Ramës i hanë edhe mbretëreshën? Përgjigjja është sërish e njejta. Ajo gjendet te mëkati i drejtësisë së negociuar. Tek kufiri që pushteti i vë prokurorëve për të mos shkuar më larg sesa i lejohet.
Informacionet e para që kanë arritur të rrjedhin nga hetimet e pa bëra ende publike flasin për një kapje me çikërrima. Fjala vjen, nëse ministrja e infrastrukturës duhej hetuar për 50 milionë euro që u zhdukën brenda ditës tek tuneli i Llogarasë, SPAK-u mund të merret vetëm me nje tender supervizimi vlera totale e të cilit është sa 1% e kësaj shume.
Pra ne mund të shohim të përsëritur të njëtën pardodi që e akuzon Arben Ahmetajn, jo për korrupsion në qeverinë Rama, por se nuk justifikon dot dy vila; Ilir Beqen jo për koncesionet në shëndetësi, por për manipulimin e faturatve të restorantit; Erion Veliajn jo për inceneratorin, 5D, 5 majin, zgjedhjet në Tiranë, por si një mashkull të dobët që iu dorëzua vanitetit të bashkëshortes. Deviza e gjithë kësaj farse është: Ku gjendeni bashkëpunëtorë me Ramën, jeni të amnistuar, ku keni futur thërrime në xhep pas shpinës së tij jeni të amnistuar. Për ta bërë të besueshme këtë fabul, “viktima” e saj i shpërton të qenit pjestar i një grupi të strukturuar kriminal, por përshkruhet thjeshtë si një personazh i degraduar moralisht. Në vend që të kërkojë paratë që i mungojnë publikut, SPAK shëndrrohet në një makineri të denoncimit të dobsive njerëzore, veseve personale apo epsheve seksuale, të atyre që plas brenda për të kënaqur oreksin e turmave.
Kjo histori e drejtësisë së negociuar ka rrezik të përsëritet edhe në rastin e Ballukut. Shenjat se si palët po sillen me lajmin e pazyrtarizuar të nisjes së hetimeve mdaj saj, të çojnë në këtë drejtim. Prandaj është e parakohëshme, voluntariste dhe e gënjeshtërt që renditja e Belindës mes viktimave qeveritare të SPAK-ut të përdoret si një trofe nga idiotët e dobishëm të mbrojtjes së këtij institucioni.
©Lapsi.al









