Shtyhet seanca në GJKKO, Kryemadhi: Së shpejti do zbardhet skema e famshme e gjuetisë së shtrigave e inicuar nga Yuri Kim

Shtyhet seanca në GJKKO, Kryemadhi: Së shpejti do zbardhet skema e famshme e gjuetisë së shtrigave e inicuar nga Yuri Kim

Pas daljes nga seanca në GJKKO, Monika Kryemadhi ka reaguar ashpër ndaj procesit gjyqësor që po zhvillohet ndaj saj, familjarëve dhe ish-presidentit Ilir Meta. Ajo e cilësoi situatën si një “skandal të dhimbshëm dhe qesharak”, duke akuzuar sistemin e drejtësisë se po përdoret politikisht.

Sipas Kryemadhit, edhe pse hetimi duhej të ishte mbyllur më 27 korrik, prokuroria vazhdon ta zgjatë në mënyrë të padrejtë, duke thirrur dëshmitarë dhe duke dërguar letra porosi. Ajo theksoi se për të, për Metën dhe për nënën e saj, Fatime Kryemadhi, hetimet vazhdojnë ende, çka tregon se ata mbahen në mënyrë të qëllimshme nën hetim paraprak.

Kryemadhi deklaroi se i gjithë procesi ka si qëllim mbajtjen e Ilir Metës në burg dhe ushtrimin e presionit ndaj familjes së saj. Ajo foli për një “inat personal” që po ndikon në vendimet e drejtësisë.

Në deklaratën e saj, Kryemadhi hodhi akuza të forta ndaj disa prokurorëve dhe e lidhi këtë çështje me ish-ambasadoren amerikane në Tiranë, Yuri Kim. Ajo i quajti “ushtarë të bindur të Yuri Kim” ata që po zbatojnë urdhra politikë edhe pse ish-ambasadorja tashmë është në largim.

Duke iu referuar më tej zhvillimeve në sistemin e drejtësisë, Kryemadhi paralajmëroi se “së shpejti do të zbardhet skema e famshme e gjuetisë së shtrigave”, të cilën e konsideron të iniciuar nga ish-ambasadorja amerikane. Ajo shtoi se, sipas saj, kjo “skemë” nuk mund të zgjidhet më me lëvizje personale jashtë vendit.

Kryemadhi:

Është sa e dhimbshme por edhe qesharake, sot ne jemi në këtë skandal për shkak të asaj që ndodh edhe sot në këtë gjykatë dhe në sistemin tonë të drejtësisë. Siç e tha edhe pak më parë avokati apo siç na u prezantua edhe nga prokurorët, që vazhdon hetimi, pra nëqoftëse dosja hetimore duhet të ishte mbyllur më 27 korrik, prokuroria vazhdon hetimin, thërret dëshmitarë, merr letërporosi.

Pra hetimi për zotin Meta, Monika Kryemadhi, për mamanë time, Fatime Kryemadhi, vazhdon, që do të thotë se ne ende jemi në hetim paraprak.

Dhe arsyeja pse është vetëm për të mbajtur zotin Meta në burg, për të mbajtur Monika Kryemadhin dhe familjarët e saj nën presion dhe për të arritur një inat personal që nuk e di të kujt e ka.

Sigurisht që nuk është gjë tjetër veçse ata që duan ta bëjnë janë ushtarë të bindur të Yuri Kim edhe pse është në largim e sipër.

Tashmë do fillojë të zbardhet edhe skema e famshme e gjuetisë së shtrigave e inicuar nga Yuri Kim, e cila për fatin e saj të keq nuk e zgjidh dot me një bursë në Angli për xhelatin e saj që ka këtu në SPAK.

Share it :