Ankesat e Ramës për median dhe raporti i OSBE/ Kush po shpif?

Në sallën e Forumit të Paqes në Paris, përballë një audience të huaj që e njeh pak ose aspak realitetin shqiptar, Edi Rama foli me tonet e një njeriu të lënduar, me gjuhën e një të politikani të përndjekur dhe të abuzuar nga armata e portaleve dhe e shkrimeve pa emër. Ai e pikturoi veten si viktimë të një bote mediatike të pamëshirshme, ku mbizotëron shpifja dhe zhvatja, ndërsa e vërteta nuk gjen më hapësirë.

Në fjalimin që mori tonet e një rrëfimi personal, Rama foli për një Evropë që “dikur ishte mbretëria e verifikimit të fakteve” por që sot “është bërë mbretëria e kaosit”. Madje në një pasazh të fjalimit të tij, e kaloi cakun kur kujtoi se viktima të këtij ambjenti kaotik në media janë familjarët e politikanëve. “Është thjesht një shtëpi ku të gjithë mund të hyjë, të futet në shtrat, ta trajtojë gruan tënde si kurvë, ta trajtojë veten si kriminel, t’i trajtojë fëmijët e tu si të çoroditur, të bëjë çfarëdo që të jetë dhe nuk duhet ta hapë gojën.”

Duke shtjelluar më tej idenë se politikanët janë shënjestra të pafajshme të një media të ligë dhe të papërgjegjshme, kryeministri i Shqipërisë vazhdoi duke e përshkruar rrezikun nga tepria e fjalës. “Ne vazhdojmë të themi se do të ndërtojmë mure mbrojtëse për të mbrojtur zgjedhjet tona dhe për të mbrojtur demokracinë tonë nga rusët… por kemi një shtëpi pa dyer, pa dritare, pa siguri, pa asgjë”.

Fjalët e Ramës ishin pa asnjë dyshim muzikë për veshët e presidentit të Francës, Emanuel Makron, që kohët e fundit është i shqetësuar për lajmet mbi të kaluarën e bashkëshortes së tij, e cila përflitet se ka ndryshuar gjininë në rininë e saj. Por, për këdo që jeton në Shqipëri, ankesat e Edi Ramës, ky patos viktimizues i kryeministrit tingëllon si një hipokrizi e pastër.

Mazhoranca e drejtuar nga Edi Rama prej muajsh tashmë është në sprovë. Bashkimi Europian po pret miratimin e paketës së re të medias, një ndërhyrje që parashikon dekriminalizimin e shpifjes dhe (të paktën ligjërisht) e ndihmon disi tregun mediatik nga kapja politike.

Rama e preku këtë moment në fjalimin e tij duke kujtuar se “24 nga 27 vende të Bashkimit Europian ende e ruajnë shpifjen në Kodin Penal”, ndërsa Komisioni Europian, OSBE dhe ODIHR kërkojnë pikërisht të kundërtën: dekriminalizimin real të fjalës, për të mbrojtur gazetarët nga ndëshkimi penal.

 

Sepse ndryshe nga çfarë përshkruan Rama, panorama e tregut mediatik në Shqipëri është krejt e përmbysur dhe për këtë mjafton të lexosh raportin e fundit i OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 11 majit 2025.

“Pavarësia, diversiteti dhe integriteti i lajmeve në dispozicion të votuesve është dëmtuar nga varësia e shumicës së mediave ndaj financimeve jotransparente nga interesa politike dhe biznesi, shpesh të mbështetura në kontrata qeveritare,” thekson raporti.

Në të njëjtin dokument thuhet se “ndërhyrjet e përhapura nga pronarët e mediave në autonominë editoriale, së bashku me autocensurën mes gazetarëve, ndikojnë negativisht në cilësinë e informacionit që u vihet në dispozicion publikut.”

Gazetarët, përkundër politikanëve, janë ata që përballen çdo ditë me sulme verbale e ndonjëherë fizike nga zyrtarë publikë, që punojnë në kushte presioni e pasigurie, që nuk kanë qasje të lirë në informacion dhe që shpesh u ndalohet pjesëmarrja në ngjarje publike. “Transmetuesi publik nuk konsiderohet se ka audiencë të gjerë, ndërsa procedura për emërimin e drejtuesve të RTSH dhe AMA nuk siguron pavarësi de facto,” vijon raporti.

Nga ajo që shkruan OSBE/ODHIR kuptohet se media shqiptare nuk është një shtëpi “pa dyer e pa dritare”, siç e përshkruan Rama, por një burg i fjalës për gazetarët, që kontrollohen nga qeveria.

Raporti i OSBE/ODIHR përmend gjithashtu se mbulimi i fushatave zgjedhore dominohet nga partitë e mëdha, ndërsa lajmet “shpesh prodhohen nga vetë partitë politike dhe transmetohen nga mediat si materiale të pavarura, pa etiketim dhe pa distancë profesionale.” Në shumicën e televizioneve kombëtare, Partia Socialiste ka marrë mesatarisht mbi 50% të mbulimit, një shifër që tregon më shumë për një media të kontrolluar, sesa për një treg të lirë.

Në këtë kontekst, thirrja e Ramës në Paris për “mbrojtjen e politikanëve nga shpifjet”tingëllon ironike. Dhe ankesa e tij se “ta trajtojnë gruan tënde si kurvë”, faktet e raportuara nga institucionet ndërkombëtare tregojnë se këtë trajtim e pësojnë më së shumti profesionalisht gazetarët shqiptarë, kur kërcënohen dhe detyrohen të heshtin, në një ambjent mediatik të kapur nga qeveria.

Ndaj përkundër përpjekjeve të Edi Ramës për t’u paraqitur si viktimë e medias në Paris, në Shqipëri ai rezulton të jetë njeriu që e kontrollon fjalën në mediat më të mëdha të vendit duke i financuar me kontrata publike dhe duke i ushqyer me reklamat shtetërore. Prandaj fjalimi i tij në Paris, pavarësisht frazave të fuqishme, tingëllon më shumë si një tentativë për të krijuar idenë e politikanit të persekutuar, ndërkohë që në Shqipëri, ata që janë vërtet të persekutuar, janë gazetarët./Lapsi.al

Share it :