Balluku, një zv.kryeministre e pandehur për korrupsion/ A do ta shkarkojë Rama?
Ashtu siç kishin paralajmëruar gazetarët e afishuar pranë SPAK, Belinda Balluku u mor e pandehur nga prokuroria e posaçme këtë të premte për korrupsion me një nga procedurat e Tunelit të Llogarasë. Numri dy i qeverisë iu përgjigj thirrjes së dytë të prokurorit Dritan Prençi dhe u paraqit në SPAK, disa minuta pas të motrës, Pamela Qirko që u paraqit si avokate.
Në dalje të SPAK, Belinda Balluku u shpreh për gazetarët se kishte besim tek drejtësia: “Në respekt të plotë të organeve të drejtësisë, kam pranuar kërkesën e Prokurorisë së Posaçme për një çështje në hetim. Si qytetare e Republikës së Shqipërisë dhe zyrtare publike e shikoj këtë si një proces, një proces i cili jam shpresëplotë që do të jetë i bazuar mbi transparencë dhe mbi parimet e drejtësisë tek e cila besoj”.
Fjalët e Ballukut vijnë pas një jave të gjatë, plot spekulime për refuzimin e saj të parë për të mos u paraqitur në prokurori. Fletë-thirrja e parë e prokurorit, Dritan Prençi parashikonte që Balluku të paraqitej në SPAK ditën e hënë, por ajo kërkoi një shtyrje deri këtë të premte.
Në njoftimin e SPAK, nuk lënë asnjë dyshim se Balluku është marrë e pandehur. Përmes rreshtave, Balluku emërtohet si “e pandehur” në 4 momente.
“I është njoftuar akuza të pandehurës Belinda Balluku, me funksionin e lartë shtetëror, Ministër i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, akuzuar për kryerjen e veprës penale,“Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim” thuhet në njoftimin e SPAK.
Pikëpyetja për hetimin e SPAK
Në korrik të vitit 2024, në intervistën e dytë që dha për Çim Pekën, ish-zv.kryeministri Arben Ahmetaj zbuloi se si avulluan 50 milion euro nga një tender në tjetrin për tunelin e Llogarasë, sipas një plani të thurur nga Edi Rama dhe Belinda Balluku.
Ahmetaj tregoi se fillimisht u zhvillua një tender, i cili u fitua nga kompania shqiptare Gjoka Konstruction, me një vlerë 140 milionë euro. Por, tenderi u anulua dhe u përsërit gjashtë muaj më pas dhe fitues i tij u shpall një bashkim firmash turke me 50 milionë euro më shumë.
Ahmetaj këmbëngulli se në realitet punimet u kryen nga kompania Gjoka që fitoi tenderin e parë dhe se ai kishte prova se turqit nuk kishin sjellë asnjë makineri apo paisje.
“Shikoni kush ka qene në Ankara para tenderit të dytë dhe do ta kuptoni. Ekzistojnë foto nga këto takime”, këmbënguli ish zv kryeministri, duke iu referuar një vizite të Ramës dhe Ballukut në Turqi në mes të dy tenderave.
Pikërisht kjo manovër përmendet edhe në njotimin e SPAK, për të cilin prokuroria e posaçme është akuzuar se mbyllur sytë duke mos hetuar aferat ku implikohet kryeministri Edi Rama.
“Deri në këtë fazë të hetimeve paraprake, faktet penale, objekt akuze në ngarkim të të pandehurës Belinda Balluku, kanë të bëjnë me veprimet e saj, në cilësinë e Ministrit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, për njërën nga procedurat e prokurimit, objekt i këtij hetimi, “Ndërtimi i tunelit të Llogarasë”, në seksionin rrugor Orikum-Himarë, pjesë e autostradës SH8 (Vlorë-Sarandë), zhvilluar në datën 11.12.2020 dhe pas anulimit të saj, procedura është rihapur në datën 22.6.2021, me fond limit, 18 967 810 952.08 (tetëmbëdhjetë miliardë e nëntëqind e gjashtëdhjetë e shtatë milionë e tetëqind e dhjetë mijë e nëntëqind e pesëdhjetë e dy (pikë) zero tetë) lekë pa TVSH” thuhet në njoftim.
Vetëm se dosja me provat kundër Ballukut është ende e pazbardhur. Nuk dihet nëse SPAK e akuzon zv.kryeministren për manovrën me dëm 50 milion euro, apo po heton vetëm një nga procedurat e saj??
A do ta shkarkojë Edi Rama?
Nëse do të ndodhë apo jo shkarkimi i Belinda Ballukut nga qeveria kjo mbetet një pikëpyetje e madhe.
Zv.kryeministrja e shfrytëzoi këtë javë për të forcuar mesazhin se pozitat e saj në qeveri janë të forta. Ndërsa SPAK e priste për ta marrë të pandehur, Balluku doli në emërimin e drejtorit të ri të portit të Durrësit, Liburn Aliu. Më pas doli në një aktivitet në prezantimin e drejtorit të ri të DPSHTRR, Kreshnik Bajraktari dhe më pas emëroi drejtorin e postës, Etjen Xhafaj.
Veç emërimeve të drejtorëve, Balluku ishte në vend të Edi Ramës gjatë mbledhjes së qeverisë në mesjavë, pasi kryeministri Rama ishte jashtë vendit me bashkëshorten e tij, Linda Rama.
Mbi shpatullat e Ballukut është edhe drejtimi i fushatës elektorale për Tiranën, një detyrë tjetër po aq e rëndësishme.
Praktikisht, Belinda Balluku mund të konsiderohet sot numri dy i qeverisë dhe i partisë, ndaj mbetet për t’u parë nëse Rama do ta mbajë afër për shumë kohë, apo do ta lërgojë menjëherë sa statusi i saj ndryshoi si e pandehur për korrupsion. I pyetur nga DW disa ditë më parë, Rama dha një përgjigje sterile.
“Ne kemi punën tonë, drejtësia ka punën e vet dhe deri kur çështje të caktuara marrin formën e tyre të prerë, të gjithë njerëzit janë të pafajshëm dhe janë të padënueshëm nga gjykata popullore e politikës dhe e mediave që i shërbejnë politikës” tha ai./Lapsi.al
Njoftimi i plotë i SPAK për Ballukun
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar po heton në kuadër të procedimit penal nr.136 të vitit 2025 (bashkuar me procedimet penale nr.167 dhe 181 të vitit 2024), për veprën penale,“Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga neni 258 i Kodit Penal.
Në kuadër të hetimit të këtij procedimi penal, sot, më 31.10.2025 i është njoftuar akuza të pandehurës Belinda Balluku, me funksionin e lartë shtetëror, Ministër i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, akuzuar për kryerjen e veprës penale,“Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim, parashikuar nga nenet, 258/2 dhe 25 i Kodit Penal.
Deri në këtë fazë të hetimeve paraprake, faktet penale, objekt akuze në ngarkim të të pandehurës Belinda Balluku, kanë të bëjnë me veprimet e saj, në cilësinë e Ministrit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, për njërën nga procedurat e prokurimit, objekt i këtij hetimi, “Ndërtimi i tunelit të Llogarasë”, në seksionin rrugor Orikum-Himarë, pjesë e autostradës SH8 (Vlorë-Sarandë), zhvilluar në datën 11.12.2020 dhe pas anulimit të saj, procedura është rihapur në datën 22.6.2021, me fond limit, 18 967 810 952.08 (tetëmbëdhjetë miliardë e nëntëqind e gjashtëdhjetë e shtatë milionë e tetëqind e dhjetë mijë e nëntëqind e pesëdhjetë e dy (pikë) zero tetë) lekë pa TVSH.
Më 21.10.2025, Prokuroria e Posaçme, si organ procedues ka njoftuar të pandehurën përmes shkresës me numër protokolli 37398. E pandehura, pasi mori dijeni, ka njoftuar më 23.10.2025, organin procedues se nuk mund të paraqitej në datën dhe orën e caktuar. Me anë të një shkrese tjetër, me numër protokolli 37881, datë 24.10.2025, Prokuroria e Posaçme kërkoi paraqitjen e saj sot, më 31 tetor, në orën 15:00









