Fjala e Veliajt para gjykatës/ B… çeliku që gjuajti me pambuk

Nga përplasja me juristin e Ramës deri te akuzat që hodhi për kryeministrin dhe partinë e tij

Pas nëntë muajsh mungese vizive në opinionin publik, Erion Veliaj është shfaqur sot me një fjalim 13 minutësh përpara Gjykatës Kushtetuese, ku ishte paraqitur për të mbrojtur idenë se ai ishte shkarkuar në mënyrë të padrejtë nga ish miqtë e tij këshilltarë bashkiakë dhe nga kryeministri Edi Rama. Mbrojtja juridike e Veliajt ishte në thelb e shkurtër: I njëjti shtet që më ka rrëmbyer padrejtësisht nga detyra duke shkelur prezumimin e pafajësisë, po më penalizon se nuk paraqitem në zyrë.

Por më i rëndësishëm sesa ky refren i njohur, me kërshëri pritej mbrojtja politike që ai do të bënte. Ajo që u vu re ishte Erion veliaj ndihej i tradhëtuar, i përdorur, i shitur nga partia dhe Edi Rama, ndonëse nga frika dhe trembja e thoshtë këtë mes rreshtave pa pasur guximin ta artikulonte burrërisht. Ai foli me kunja, me aludime, me nënkuptime, që kush donte mund ti dekriptonte, por pa vënë pikat mbi “I”. Boleçeliku i dikurshëm nuk shkoi më larg se goditja me pambuk.

Mëria dhe kontradikta që ai kishte me Edi Ramën u pa në replikat që pati në fund të pjesës së parë të seancës me përfaqësuesin e zyrës së kryeministrit që bënte pyetje për të mbrojtur drejtësinë e vendimit për shkarkimin e kryebashkiakut. Veliaj mori fjalën, e akuzoi mëkëmbësin e Ramës për standarte të dyfishta, sepse nuk kishte kërkuar edhe shkarkimin e kryetarit të Bashkisë së Tropojës që nuk paraqitej gjithashtu në zyrë prej 11 muajsh (video poshte).

Ai e akuzoi kryeministrinë se po përdorte dy standarte, se po targetonte vetëm një njeri, se nuk po prodhonte drejtësi për ta etiketuar pastaj si një institucion që nuk shqetësohet për masat e padrejta të paraburgimit.

 

Pra po ta dëgjoje gjatë kësaj replike konkluzioni ishte i qartë: si burgun dhe shkarkimin e kam nga Rama, ndonëse Veliaj nuk guxoi asnjëherë të vetme ta nominonte atë me emër.

E njëjta atmosferë që u pa qartë në këtë shkëmbim replikash u duk edhe në pjesën politike të fjalimit të kryebashkiakut ende në detyrë, të cilin e rrëmbyen “ata që nuk donin ta shihnin më me lopatë në dorë”. Erion Veliaj tha me gojën e tij atë që vetëm pjesa më radikale e opozitarëve të Ramës arrijnë ta artikulojnë atë se demokracia në këtë vend ka nevojë për mbrojtje pasi ajo është vënë në sprovë. Ai iu drejtua trupës gjykuese: “Jam këtu për t’ju drejtuar me gjithë respektin që meriton detyra Juaj e lartë dhe për t’ju kërkuar një gjë të vetme: të mbrojmë së bashku demokracinë që po vihet në sprovë”.

 

Ai u mundua gjithëashtu të vërtetonte se qe, qoftë me burgosjen dhe qoftë me tentativën për shkarkim, viktimë e “etjes për karrierrë”, “protagonizmit politik”, dhe “kulisave të pushtetit”. Ai pretendoi se po “sakrifikohej për llogari të momentit, për rehati politike apo për urdhra të përkohshëm, që bien ndesh me ligjin”. Kuptohet qartë se të gjitha këto epitete targetonin qartë njeriun që qëndronte pas të gjitha këtyre manovrave.

Por, përpos Ramës në fjalën e tij, ai që njihej si ish numri dy i socialistëve nuk la pa shigjetuar as miqtë e vet që iu bindën në mënyrë të verbër urdhërit të Ramës duke e tradhëtuar atë.

“Nuk kishin si të më fyenin më rëndë. Ishte më e rënda e jetës sime publike, sepse erdhi nga bashkëpunëtorët e mi, nga njerëz që më njohin më mirë se kushdo tjetër dhe që nuk denjuan as të më dëgjonin.

Zoti i faltë! Lutem çdo natë për ta: Zot, fali, se nuk dinë ç’kanë bërë” shpërtheu ai.

Pra po ta lexoje midis reshtash, fjala e Veliajt kishte shumë akuza të forat për kryeministrin dhe partinë e tij se ishin ata që e mbanin padrejtësisht në burg madje dhe donin ta shkarkonin. Por formalisht Lali, i njohur për skuthllëkun proverbial, nuk pati guximin që asnjërën prej tyre ta thotë hapur. Ai i mbeti besnik stilit që kishte ushtruar kur ishte në majë të pushtetit duke ia bërë më të lehtë detyrën atyre që e duan të shkatërruar.

©Lapsi.al

Lojtës Videosh

00:00
01:01

Ai e akuzoi kryeministrinë se po përdorte dy standarte, se po targetonte vetëm një njeri, se nuk po prodhonte drejtësi për ta etiketuar pastaj si një institucion që nuk shqetësohet për masat e padrejta të paraburgimit.

 

 

Share it :