Shqipëria mbi 100 vite larg BE-së në arsim, infrastrukturë dhe qeverisje

Shqipëria mbi 100 vite larg BE-së në arsim, infrastrukturë dhe qeverisje

Studimi i Institutit të Vjenës tregon se Shqipëria po i afrohet Bashkimit Evropian kryesisht në digjitalizim, me vetëm 9 vite diferencë nga mesatarja e BE-së. Por vendi mbetet shumë prapa në arsim, mjedis, infrastrukturë dhe qeverisje, ku diferencat shkojnë deri në mbi 100 vite. Ndërsa në kuadrin rajonal vendet e Ballkanit Perëndimor shfaqin ritme të pabarabarta progresi.

Instituti i Vjenës për Studime Ndërkombëtare Ekonomike nëpërmjet iniciativës “Converge2eu”, ka mbledhur të dhëna mbi progresin e 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt Bashkimit Evropian, si pjesë e Procesit të Berlinit.

Pas pezullimit të zgjerimit të BE-së në vitin 2014, u krijua Procesi i Berlinit, si urë lidhëse midis unionit dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi, Serbinë dhe Bosnje-Hercegovinën.

Për këto vende, studimi ka vlerësuar progresin drejt BE-së në raport me 8 fusha, si: Ekonomia, zhvillimi social, shëndetësia, arsimi, mjedisi, qeverisja, digjitalizimi e infrastruktura. Të dhënat e këtij studimi u paraqitën në forumin ‘Ignita’, të mbajtur në Prizren të Kosovës tetorin e këtij viti.

Studimi gjithashtu u kujdes të jepte rekomandime në raport me fokusin e ardhshëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor si kusht për anëtarësim në BE. Instituti i Vjenës thekson se mjedisi, arsimi e infrastruktura duhet të jenë fokusi kryesor i politikëbërësve në të gjashta vendet. Nga ana tjetër, studimi thekson se i vetmi aspekt ku të gjitha vendet kanë përparim të dukshëm e afërsi me standardet e BE-së, është digjitalizimi. Në këtë kategori, studimi e vlerëson Shqipërinë me vetëm 9 vite diferencë nga vendet e Bashkimit Evropian

Sipas ekonomistit të Institutit të Vjenës, Branimir Jovanoviç, “‘Converge2eu’ synon të riformulojë konceptin e përputhshmërisë me standardet e BE-së, duke u fokusuar te mënyra se si njerëzit në rajon jetojnë realisht, si krahasohet kjo me Bashkimin Evropian dhe nëse këto kushte po përmirësohen apo jo” – duke nënvizuar edhe njëherë thellësinë e rëndësinë e këtij studimi.

Renditja e 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor

Në aspektin ekonomik, Shqipëria renditet e dyta për nga afërsia me standardet e BE-së. Serbia renditet e para me 35 vite larg BE-së, Shqipëria e dyta me 53 vite, të ndjekura nga Maqedonia e Veriut 59 vite, e Mali i Zi me 72 vite. Studimi vlerëson më tej se Kosova dhe Bosnje-Hercegovina janë të dyja mbi 100 vite larg standardit ekonomik të BE-së.

Por e kundërta vlerësohet në aspektin social, ku Kosova renditet e para. Sipas studimit sistemi i mbështetjes sociale të Kosovës është 19 vite larg atij të Bashkimit Evropian, ndërsa e dyta renditet Serbia me 51 vite largësi nga BE-ja. Renditja më pas vijon me Malin e Zi me një diferencë prej 59 vitesh dhe nga Shqipëria, që sipas studimit ka 71 vite diferencë me BE-në kur vjen puna te mbrojtja sociale. Në fund ndodhet Maqedonia e Veriut me mbi 100 vite diferencë nga standardet e BE-së, ndërsa sistemi social boshnjak gjykohet nga Instituti si në largim nga standardet e BE-së.

Kur flitet për shëndetësinë, Instituti gjykon se progresin më të ndjeshëm e ka bërë Maqedonia e Veriut, ku sistemi shëndetësor ka 7 vite diferencë nga ai i BE-së. Mali i Zi renditet i dyti me 17 vite, ndërkaq që Shqipëria renditet e treta me 39 vite diferencë nga standardi shëndetësor i BE-së. Kosova renditet e katërta me 41 vite nga BE. Raporti vë në fund të klasifikimit Bosnje-Hercegovinën me 89 vite diferencë nga BE-ja dhe Serbinë si të fundit, me mbi 100 vite diferencë nga standardet e BE-së për sistemin shëndetësor.

Arsimi, i cili u përmend në raport si pikë e veçantë tek e cila të gjitha vendet duhet të investojnë, renditet si fusha më e dobët e pothuajse të gjitha vendeve. Me përjashtim të Bosnje-Hercegovinës, sistemi arsimor i së cilës ka 18 vite diferencë me standardet e BE-së, vendet e tjera, duke përfshirë dhe Shqipërinë, vlerësohen si në largim nga standardet e BE-së.

E njëjta situatë paraqitet në aspektin e politikave mjedisore, ku të gjitha vendet paraqiten me problematika të thella. Shqipëria sipas studimit është të paktën 100 vite larg BE-së në këtë aspekt, e po ashtu dhe Kosova. Të gjitha vendet e tjera nga ana tjetër vlerësohen si në largim nga standardet e Bashkimit Evropian.

Cilësia e qeverisjes për të gjashta vendet ishte gjithashtu objekt studimi. Kosova vlerësohet si me qeverisje më afër Unionit në raport me vendet e tjera, 26 vite larg standardit të BE-së. Renditja vijon me Maqedoninë e Veriut me cilësi qeverisjeje 40 vite larg BE-së, të ndjekura nga Mali i Zi me një diferencë prej 57 vitesh, e Shqipëria që ndodhet 64 vite larg BE-së në qeverisje. Serbia renditet e parafundit me mbi 100 vite diferencë në qeverisje nga standardi i BE-së, ndërkaq që Bosnje-Hercegovina është i vetmi vend i renditur si në largim nga standardet e BE-së në fushën e qeverisjes.

Raporti i Institutit vëren arritje nga Ballkani Perëndimor në digjitalizim, ku në Serbi është 4 vite larg atij të BE-së, ndërkaq që në Shqipëri diferenca me BE-në është 9 vite. Serbia e Shqipëria ndiqen nga Maqedonia e Veriut me 16 vite larg nga niveli i digjitalizimit të Unionit, e nga Mali i Zi me 63 vite. Bosnje-Hercegovina vlerësohet si në largim nga standardet e BE-së.

Infrastruktura e vendeve të Ballkanit Perëndimor lë për të dëshiruar në raport me standardet e BE-së. Kjo konfirmohet edhe nga studimi që vlerëson se infrastruktura e Shqipërisë, Serbisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi e Bosnje-Hercegovinës është mbi 100 vite larg BE-së, me Kosovën që renditet edhe më ulët, me cilësi infrastrukture në largim nga standardet e BE-së.

Renditja e secilit vend

Ekipi i Amforës përpunoi renditjen e përgjithshëm të vendeve në një tabelë të pikëzuar, e cila ka për qëllim të tregojë afërsinë dhe largësinë e vendeve të Ballkanit Perëindor në raport me standardet e BE-së.

Si metodologji është përdorur një rankim sasior e cilësor i të gjitha kategorive. Rankimi cilësor i ponderuar 60% për nga rëndësia, ndërkaq që rankimi sasior 40%. Për rankimin sasior, kategori të ndryshme largësish nga standardi i BE-së pikëzohen si më poshtë: 0–10 vjet → 5 pikë, 11–30 vjet → 4 pikë, 31–60 vjet → 3 pikë, 61–100 vjet → 2 pikë, mbi 100 vjet → 1 pikë, “Diverging” (duke u larguar) → 0 pikë.

Në total, maksimalja që Amfora i jep një shteti të Ballkanit Perëndimor është 40 pikë e minimalja zero. Ndërkaq metoda cilësore vë si më të rëndësishme digjitalizimin, ekonominë, qeverisjen e mjedisin, duke bërë një rankim në bazë të këtyre kritereve. Të dyja metodat e përmbledhura japin grafikën e mëposhtme.

Metodologjia e studimit të Institutit të Vjenës

Share it :