Gjin Gjoni: Veriu po diskriminohet totalisht nga buxheti

Gjin Gjoni: Veriu po diskriminohet totalisht nga buxheti

Buxheti i shtetit për vitin e ardhshëm është i përqendruar në Shqipërinë e mesme dhe jugore, duke lënë në harresë të plotë dhe duke diskriminuar veriun e vendit. Kjo ka qenë akuza e fortë e bërë gjatë një diskutimi në komisionin parlamentar nga deputeti i PD Gjin Gjoni i cili theksoi se qarku i Lezhës është një pasqyrë e qartë e kësaj qasjeje.

Sipas ligjvënësit, në të gjithë qarkun janë parashikuar vetëm dy investime në ujësjellës, ndërsa probleme madhore që prekin drejtpërdrejt jetën e qytetarëve dhe ekonominë lokale janë injoruar plotësisht.

Një prej çështjeve më flagrante të ngritura ishte ajo e aksit rrugor Milot-Lezhë, i cilësuar si një “gangrenë” për banorët dhe vizitorët. Gjatë sezonit veror, për të përshkuar një distancë prej vetëm 22 kilometrash, nga kryqëzimi i Milotit deri në Shëngjin, qytetarëve u është dashur të kalojnë deri në shtatë orë në trafik. Kjo situatë ka dëmtuar rëndë jo vetëm banorët e Lezhës, por edhe pushuesit nga Kosova, si dhe dhjetëra biznese në zonat turistike si Tale, Shëngjin, Kune, Vain dhe Velipojë. Deputeti akuzoi se procesi i tenderimit për këtë rrugë është manipuluar vazhdimisht, duke u futur dhe anuluar pa një zgjidhje konkrete

Gjatë fjalës së tij në Komisionin për Burimet Natyrore Gjoni tha se, “një tjetër pikë kritike është siguria në aksin Lezhë-Shkodër”. “Që prej ndërtimit të tij, vetëm në katër kryqëzime (Gjadër, Kallmet, Dajç dhe Mab) kanë ndodhur 150 aksidente për shkak të hyrje-daljeve jashtë standardeve”. “U shtrua pyetja se përse ndërhyrje me kosto të ulët, si ato të aplikuara në kryqëzime të tjera si Blinishti, nuk po zbatohen edhe këtu për të shmangur humbjen e jetëve dhe kostot e mëdha financiare e shëndetësore për komunitetin”.

Problemi i tretë madhor i denoncuar ishte gjendja e rrjetit elektrik. Sipas deputetit, qarku i Lezhës, përfshirë Kurbinin dhe Mirditën, ka infrastrukturën më problematike në të gjithë Shqipërinë. Rrjeti daton që prej vitit 1970, është plotësisht i amortizuar dhe shkakton ndërprerje masive të energjisë edhe me rënien e shiut më të paktë. Kjo situatë tregon një mungesë totale të vëmendjes dhe investimeve në një nga sektorët më jetikë për banorët e zonës.

Gjin Gjoni: Unë kam lexuar me shumë seriozitet buxhetin të cilën keni sjellë përpara parlamentit dhe njëkohësisht edhe zëra të cilët keni përfshirë dhe unë me bindje e them që i gjithë buxheti i shtetit është i përqendruar në Shqipërinë e mesme dhe në jug. Dhe në veri ka një diskriminim total në rast se do shohësh zërat të cilët janë të paraqitur në buxhet. Dhe marr qarkun e Lezhës, në qarkun e Lezhës vetëm dy ujësjellësa janë parashikuar deri në momentin aktual, të cilët kanë filluar punën, të them të drejtën, dhe as edhe një investim tjetër nuk del të paktën nga pasqyra të cilat janë pasqyruar.

Atëherë, pyetjet e mia konsistojnë në, në, në disa gjëra konkrete. Ashtu siç jeni në dijeni, ministria që juve sot keni ardhur për të përfaqësuar, çështja e rrugës Milot-Lezhë është një gangrenë dhe qytetarët e qarkut të Lezhës, por njëkohësisht edhe banorët e Kosovës, e kanë përjetuar në një masë të theksuar gjatë vitit të fundit dhe pushimeve të verës.

Të bësh nga ura e Milotit, kryqëzimi që shkon për, Kosovë dhe deri në Shëngjin shtatë orë, një 22 km, kjo është e paimagjinueshme. Aq më tepër që po në periudhën e verës, ura dhe rruga paralele që ka qenë rrugë dikur nacionale, u bllokua për shkak të mosndërhyrjes së shtetit dhe krijoi një trafik akoma më të shtuar në lidhje me situatën e cila ka qenë problematike dhe ka ndikuar çdo ditë jo vetëm në jetën e qytetarëve, por edhe të bizneseve të zonës dhe sidomos të zonës së Tales, Shëngjin, Kune, Vain e deri në Velipojë.

Dhe unë shoh se, të paktën edhe nga kontaktet që kam, që e keni futur në tendera, e anuloni, e fusni, e nxirrni edhe për shkak të këtyre makinacioneve që juve tani janë bërë më se të ditura, jo vetëm nga media, por edhe nga denoncimet e Partisë Demokratike.

Momenti tjetër shumë i rëndësishëm dhe është një shqetësim kryesor në lidhje me banorët e rrugës Lezhë-Shkodër. Që nga momenti i ndërtimit të këtij aksi, rezulton që vetëm në kryqëzimet e Gjadrit, Dajç dhe Mab, ka ndodhur 150 aksidente për shkak të hyrjeve dhe daljeve të cilët nuk janë në standarde. Duke qenë se autoriteti rrugor është në vartësi të ministrisë që juve drejtoni, ju lutem, të njëjtën gjë që keni bërë në kryqëzimin e Blinishtit që shkon për Fishtë, në Kallmet, pse nuk realizohet në këto kryqëzime që përveç dëmeve të cilat duhet të paguajë shteti për shkak të vdekjeve, po sjellin një kosto jashtëzakonisht shumë të madhe për qytetarët dhe për shëndetin e banorëve të kësaj zone. Dhe këto ndërhyrje janë ndërhyrje të cilat mund të bëhen me një kosto shumë të vogël. Sepse kërkohet hyrje dhe dalje, rrugë për të dalë një 30 metër, 40 metër, për të për të hyrë për të për t’u shmangur.

Çështja e tretë është rrjeti elektrik. Dhe sot qarku i Lezhës është qarku më problematik që mund të ketë sot Shqipëria. Çdo ditë që shkoj, çdo ditë që vij në parlament, më bien rreth 100, 150 telefonata. Sot rrjeti elektrik në Lezhë, në Kurbin dhe në Mirditë është i vitit 1970. Pra, rrjeti i transmetimit rezulton që është i amortizuar. Dhe me një rënie të vogël të shiut, sot në Lezhë, në Kurbin dhe në Mirditë mund të ikin…

Share it :