Kapitullim i shtetit përballë mafies!

Kapitullim i shtetit përballë mafies!

Agron GJEKMARKAJ

Mbi atentatin në Rinas !

Ajo që ndodhi sot në Rinas është fotografia më e qartë e një shteti që ka humbur kontrollin dhe e një qeverie që ka dorëzuar autoritetin e vet përballë bandave. Në vendin ku duhet të ishte siguria maksimale, ndodhi një vrasje që trondit çdo qytetar dhe e bën secilin të ndjejë se askush nuk është më i mbrojtur.

Krimi në Shqipërinë “socialiste” nuk fshihet më në errësirë – ai ecën dritave të aeroportit, në mes të ditës, me bindjen se askush nuk do ta ndalë. Bandat kriminale kanë marrë prej kohësh kontrollin e territorit, lëvizin me sigurinë e atyre që ndihen mbi ligjin, sepse ndihen të mbrojtur prej tij. Shteti është bërë spektator, policia një dekor propagande, dhe qytetari një shënjestër e pafajshme që jeton mes frikës dhe pasigurisë.

Në vend të rendit, kemi një qetësi të rreme; në vend të ligjit, kemi heshtjen e frikshme të pushtetit. Shqipëria është sot një vend ku njeriu ndjehet më i pambrojtur se kurrë. Në një shtet normal, një ngjarje e tillë do të ishte alarm kombëtar, do të trondiste qeverinë dhe do të sillte përgjegjësi. Këtu, ajo trajtohet si statistikë e radhës në kronikën e zezë që ka pushtuar jetën publike.

Kjo ngjarje nuk është thjesht një krim, por një akt që simbolizon kapitullimin e shtetit përballë mafies. Dhe kur mafia ka shtetin, qytetari mbetet vetëm, i pambrojtur dhe pa shpresë

Share it :