Shqipëria rrezikon të mbetet pa port, Rama-Balluku shtyjnë sërish ndërtimin e Porto Romanos
Që kur qeveria shqiptare lançoi nismën e saj për të prishur portin ekzistues të Durrësit për t’i falur tokën biznesmenit arab Alabbar, shumë ekspertë paralajmëruan se kjo aventurë e rrezikshme mund ta linte Shqipërinë pa nyjen më të madhe tregtare të vendit. Me sa duket këto paralajmërime po vërtetohen.
Qeveria shqiptare vazhdon të shtyjë pafundësisht afatet për fillimin e punimeve për ndërtimin e portit të ri në Porto Romano, teksa asetet e portit ekzistuese çmontohen çdo ditë nga projekti i Alabbar.
Në dhjetor të vitit 2022, kryeministri Edi Rama priti homologun e tij të Kosovës, Albin Kurti dhe atë të Maqedonisë së Veriut, Kovaçevski në një aktivitet të posaçëm për prezantimin e projektit për portin e ri tregtar në Porto Romano. Sipas njoftimit zyrtar të kryeministrisë, punimet për ndërtimin e portit do të nisnin brenda vitit 2023.
“Kjo punë nis sot pikërisht sepse janë pjekur kushtet më në fund që të kemi një port tregtar të denjë për shekullin XXI, jo si ai që kemi trashëguar nga shekujt e shkuar, një skenografi e Kinostudios Shqipëria e Re, një platformë e braktisur e një filmi të realizmit socialist,” tha kryeministri.
Viti 2023 kaloi dhe punimet për ndërtimin e Portit nuk nisën. Në vitin 2024, qeveria shqiptare parashikoi 86 milionë euro në buxhet për ndërtimin e portit të ri në Porto Romano, por fondet u dogjën dhe punimet nuk filluan. Tashmë është duke mbaruar dhe viti 2025 dhe punimet sërish nuk kanë nisur.
Por kjo nuk është e gjitha. Tani qeveria po ndryshon gati çdo ditë deklaratat për afatet e fillimit të punimeve. Tre javë më parë, ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku prezantoi drejtorin e ri të Autoritetit Portual, Liburn Aliu. Gjatë prezantimit ajo foli edhe për fillimin e ndërtimit të Portit.
“5 kompani kanë garuar dhe në 31 janar do të kemi fituesin. Do të vazhdohet me negocimin e kontratës me synimin për të nisur ndërtimin e portit të ri brenda 2026,” tha zëvendskryeministrja.
Por nuk kaluan as tre jave dhe afatet u shtynë sërish. Këtë herë ishte zëvendësministrja e Infrastrukturës, Enkelejda Muça, ajo që komunikoi afatet e reja.
“Punimet për ndërtimin e portit të ri tregtar në Porto Romano pritet në nisin në vitin 2027, teksa aktualisht po shqyrtohen ofertat e dorëzuara nga kompanitë pjesëmarrëse në tender,” tha Muça gjatë diskutimit të projektbuxhetit në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë.
Teksa afatet për ndërtimin e Portit shtyhen pafundësisht, Shqipëria po kërcënohet nga skenari i parlajmëruar i asgjësimit të nyjës më të rëndësishme tregtare të vendit duke u dhënë ekonomive konkurrente fqinje një avantazh strategjik të paçmueshëm. Nëse ky skenar do të materializohet deri në fund, atëherë e gjitha kjo nuk do të jetë thjesht një nga aferat e shumta korruptive të qeverisë, por një akt i mirëfilltë tradhëtie kombëtare./kapitali.al







