Mesha e parë në Shkodër nuk përfundoi kurrë — ajo po vazhdon ende’ – Monolog nga dom Mark Pashkja
Mirëmbrëma.
Këtë javë mbushen 35 vjet nga ai mëngjes vjeshte kur në Shkodër u kremtua mesha e parë pas një heshtjeje të gjatë.
Ishte 11 nëntori i vitit 1990.
Shumë prej jush e dini që qeveria komuniste e kohës pat shpallur ndalimin e fesë dhe ateizmin shtetëror të Shqipërisë në vitin 1967.
U shkatërruan objektet e kultit, u burgosën klerikët, u ndalua çdo praktikim i fesë – madje edhe lutja në vetmi u konsiderua krim. Por arsyeja nuk ishte thjesht të goditej besimi. Qëllimi ishte më i thellë: të goditej çfarëdo besimi e përulësie, adhurimi e shpirtërimi, jashtë atij të Partisë.
Eksperimenti ishte i qartë – të shkatërrohej shpirtërorja dhe të lartësohej materialja. Njeriu të mos kërkonte më përsosmërinë, por të theksonte kafshëroren. Shqiptari nuk duhej të ishte i lirë si zogjtë, por kafshë pune si qetë e parmendës.
Gati çerek shekulli më pas, eksperimenti dështoi.
Sepse njeriu, edhe kur i heq gjithçka, prapë kërkon kuptimin.
Dhe ajo meshë në Shkodër nuk ishte thjesht një akt fetar. Ishte një akt njerëzor. Një britmë e heshtur e një populli që kërkonte sërish shpirt.
Sot, 35 vjet më pas, unë shoh se ne ende e kërkojmë atë shpirt.
Flas përditë me njerëz – jo përmes ekranit, por përmes syve, duarve të bashkuara e lutjeve. Shoh shpirtra të paqetë, shoh mendje të trazuara, shoh vuajtje të trupit, lëngim fizik e stërmundim material.
Shoh njerëz që besojnë me fjalë, por jo me vepra. Që flasin për dashuri, por mbjellin përçarje. Që luten me zë, e shkatërrojnë me duar. Që flasin për fe, po kanë shitur shpirtin.
E megjithatë, shoh edhe shpresë.
Në fytyrat e njerëzve që falin. Në ata që ndihmojnë pa kërkuar falënderime. Në ata që, edhe pse s’kanë shumë, ndajnë pak nga ajo pak që kanë, me tjetrin.
Sot, dua ta kujtoj atë Meshë të madhe në atë nëntor të ftohtë në Shkodër, jo vetëm si rikthimin e fesë, por si rikthimin e njeriut tek vetvetja.
Le të mos e humbasim atë rikthim. Le ta rigjejmë shpirtëroren brenda nesh – qofshin besimtarët, qofshin ata që nuk besojnë.
Sepse njeriu i vërtetë, qoftë ai që hyn në kishë apo ai që s’e ka kaluar kurrë pragun e saj, e di që shpirti është strehë.
Dhe pa shpirt, jeta bëhet vetëm një listë gjërash për t’u kryer.
E ndoshta, vetëm atëherë, mund të themi se mesha e parë në Shkodër nuk përfundoi kurrë — ajo po vazhdon ende, çdo ditë, në heshtje, në çdo zemër që kërkon dritë.









