Fshihen 1.7 miliardë euro borxhe, sekret emrat e biznesmenëve të mëdhenj përfitues

Në Kuvend miratohet sot projektligji për “Marrëveshjen e Paqes Fiskale”, që parashikon fshirjen e rreth 1.7 miliardë eurove borxhe tatimore e doganore të akumuluara ndër vite, por që përmban në vetvete edhe një amnisti të sofistikuar për paratë e padeklaruara të biznesit. Opozita nuk e kundërshton nismën në thelbin e saj, por ngre si shqetësim kryesor mungesën totale të transparencës për atë që konsiderohet falja më e madhe e borxheve në 34 vite.

Deputetja demokrate Jorida Tabaku, duke iu drejtuar drejtpërdrejt ministrit të Financave në kuvend artikuloi qartazi se një amnisti e këtyre përmasave nuk mund të votohet “symbyllur”.

 

Patëm një debat në komisionin e ekonomisë në lidhje me listën e përfituesve të shlyerjes së borxheve që janë 1.7 mld euro, 202 mijë tatim pagues…. Kjo është falja më e madhe e borxheve që ndodh këto 34 vite. A ka përfitues të akuzuar për evazion fiskal, korrupsion, që kanë marrë tendera nga qeveria, që janë koncensionar të qeverisë shqiptare?

Në këtë parlament, s’mund të votojnë edhe kolegët pa ditur kush janë përfituesit… Lista e përfituesve duhet të jetë transparente. S’mundet ky parlament symbyllasi t’i falë detyrimet tatimpaguesve ndërkohë që qindra-mijëra biznese janë mbyllur për shkak të taksave të larta”.

Për Tabakun, transparenca nuk është çështje politike por detyrim, sidomos kur vlera e faljes shkon në nivele që Shqipëria nuk i ka përjetuar më parë.

Rama: Një marrëveshje e re me biznesin!

Ministri i Financave, Petrit Malaj, pranoi se lista e përfituesve përfshin 202 mijë tatimpagues, por publikimi i emrave mund të bëhet vetëm me kërkesë zyrtare të Kuvendit.

Në thelb, qeveria argumenton se “Paqja Fiskale” nuk ka karakter penal, por shërben si një instrument teknik për të mbyllur borxhe të parashkruara dhe për të formalizuar më tej ekonominë.

Sipas Malajt, qeveria e sheh ligjin si mënyrë për të pastruar njëherë e mirë bilancet e vjetra duke krijuar një platformë vullnetare ku bizneset që duan të jenë të rregullta të mund të hyjnë në një marrëveshje 3-vjeçare me administratën tatimore.

Në këtë marrëveshje, kompanitë mund të rrisin fitimin e deklaruar me të paktën 18% krahasuar me vitin paraardhës, paguajnë tatimin për atë fitim sipas normës së zakonshme, dhe çdo fitim mbi këtë nivel tatohet me vetëm 5%.

Në të njëjtën kohë, ato mund të rideklarojnë bilancet e tre viteve të fundit, të fusin në bilanc pasuri të paregjistruara ose të fshijnë detyrime fiktive, duke paguar një tatim të butë prej 5% mbi diferencat. Kjo pjesë e ligjit shihet nga qeveria si një mënyrë për të sjellë më shumë transparencë në pasqyrat financiare, por nga kritikët si një derë e hapur që mund të përdoret edhe nga bizneset e mëdha për të “rregulluar” llogaritë me kosto minimale.

Kryeministri Edi Rama i ra shkurt në kuvend kur foli për: lehtësim për biznesin e vogël, rritje pagash dhe një “marrëveshje e re” me sipërmarrjen. Ai njoftoi se biznesi i vogël do të vijojë të jetë i përjashtuar nga tatimi mbi fitimin deri në fund të mandatit:

“Deri në vitin 2029 biznesi i vogël nuk do të paguajë tatim fitimi” tha Rama.

“Marrëveshja e Paqes Fiskale… synon korrigjimin dhe rritjen e deklarimeve të rregullta… Sipërmarrjet mund të angazhohen për të rritur fitimin e tatueshëm me 18% krahasuar me vitin e kaluar, dhe ky fitim do të taksohet vetëm 5%. Kjo është një marrëveshje e re, kuptimplotë dhe transparente” u shpreh kryeministri.

Çfarë nënkupton realisht kjo nismë?

Projektligji, nëse miratohet, do të fshijë borxhe tatimore të akumuluara përgjatë më shumë se një dekade. Borxhet mbi 10 vite shuhen tërësisht. Ato 5–10 vjeçare shuhen pjesërisht, me kushte të caktuara. Ndërsa borxhet më të reja nga 1–5 vite lirohen nga gjobat dhe kamatëvonesat, me kusht që të paguhet vetëm tatimi.

Paralelisht, kompanitë mund të rideklarojnë bilancet, të jetësojnë pasuri të mbajtura jashtë bilancit, të fshijnë borxhe të rreme ose të legalizojnë cash-in e padeklaruar, duke paguar vetëm 5% tatim mbi diferencën dhe pa rrezikuar kontrolle tatimore për atë proces.

Me fjalë të thjeshta, qeveria po i jep fund një kapitulli të vjetër borxhesh të papaguara, ndërsa hap një kapitull të ri ku bizneset që duan të tregojnë fitim real, ose të korrigjojnë llogaritë e viteve të kaluara, e bëjnë këtë me një tatim minimal dhe me sigurinë e mosndërhyrjes nga kontrolli tatimor.

Për bizneset e mëdha kjo mund të jetë një mundësi e artë për të legalizuar bilancet me kosto minimale.

Dhe pikërisht këtu qëndron shqetësimi kryesor: nëse lista e përfituesve nuk publikohet, veçanërisht për detyrime të mëdha, nuk ka asnjë mënyrë për të ditur se kush është përfituar më shumë nga një falje prej 1.7 miliardë eurosh. Në mungesë të transparencës, është e natyrshme të lindë dyshimi se edhe kompanitë më të mëdha, ato që kanë përfituar tendera, koncesione apo janë nën hetime për evazion, janë mes përfituesve të heshtur./Lapsi.al

Share it :