Balluku 7 orë në Kryeministri, Bardhi: Rama po përgatit grusht shteti

Balluku 7 orë në Kryeministri, Bardhi: Rama po përgatit grusht shteti

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar pas takimit disaorësh që zhvilloi në Kryeministri zv/kryeministrja Belinda Balluku me kryeministrin Edi Rama, ndër të tjera ai shkruan se Rama është duke përgatitur grusht shteti

Në një postim në Facebook, Bardhi theksoi se Balluku nuk është pezulluar nga funksioni si deputete, duke nënvizuar se një masë e tillë është e ndaluar me ligj.

Sipas tij, Gjykata dhe SPAK kanë respektuar këtë ndalim, ndërsa pezullimi nga funksionet ekzekutive është parashikuar pikërisht për raste kur vendimmarrja për shkarkim i takon një personi që, sipas Bardhit, “është i papërgjegjshëm” ose “bashkëfajtor në korrupsion”.

Reagimi i Bardhit:

Edi Rama është duke përgatitur grusht shteti! Për pushtetin e tij, ka kohë që ka shkallmuar çdo rregull dhe standard të funksionimit demokratik të shtetit, duke nisur nga themeli kushtetues i Republikës “qeverisja bazohet në zgjedhje të lira dhe të ndershme”!

Teoria se Gjykata dhe SPAK po përcaktojnë qeverisjen, bëhet ekzaktësisht nga ata që nuk janë shqetësuar asnjë ditë për faktin që qeverisjen e përcakton krimi i organizuar! Pra, Kushtetuta dhe ligji që i njeh këtë autoritet Gjykatës dhe SPAK, janë gabim, ndërsa sistemi i Edi Ramës që qeverisjen e dikton krimi i organizuar dhe korrupsioni, është i drejtë. Çfarë turpi dhe mjerimi!

Belinda Balluku nuk është pezulluar nga funksioni si deputete. Këtë e ndalon ligji! Gjykata dhe SPAK e kanë respektuar këtë ndalim. Ndërkohë “pezullimi për të ushtruar funksionet publike” në pushtetin ekzekutiv është qëllimi për të cilën ekziston kjo masë ndaluese në ligj, në kushtet kur vendimmarrja për shkarkim i është besuar një njeriu të papërgjegjshëm (siç është Edi Rama) apo një bashkëfajtori në korrupsion me të pandehurin (siç është po Edi Rama)!

Mjerimi në logjikë nuk e shpëton dot as të pandehurën e sotme Belinda Balluku dhe as të pandehurin e afërt në kohë Edi Rama! Fundi i tyre i shpejtë është shkruar nga sistemi korruptiv i qeverisjes që kanë ndërtuar vetë.

Share it :