Kontrastet e energjisë/ Shteti humb, privati fiton, Shqipëria “ngrohet” në diell
Energjia, mbi 90% e së cilës vjen nga hidro, është një treg që shënon luhatje të shumta. Në vitet me reshje, prodhuesit shohin ditë të mira, ndërsa e “pësojnë” tregtuesit, që ndërmjetësojnë importin. Luhatjet më të mëdha janë për prodhuesit e mëdhenj, si shtetërorë, ashtu dhe privatë.
Në vitin 2024, sipas INSTAT, energjia elektrike në dispozicion u rrit me 3.7%. Prodhimi neto vendas i energjisë elektrike, në vitin 2024, arriti vlerën 7.837 GWh nga 8.796 GWh energji të prodhuar në vitin 2023, duke shënuar rënie të prodhimit me 10,9%.
Importi bruto i energjisë elektrike (energji në marrje) arriti vlerën 2.669 GWh nga 1.922 GWh që ishte një vit më parë, duke shënuar kështu një rritje me 38,9%.
Rënia e prodhimit vendas ka ndikuar negativisht në performancën e kompanive shtetërore të energjisë, ndërsa rritja e importeve ka dhënë efeket pozitiv për tregtuesit.
Sipas INSTAT, hidrocentralet publike, në vitin 2024, prodhuan 4.085 GWh nga 5.123 GWh në vitin 2023 duke shënuar kështu rënie me 20,3%. Hidrocentralet private dhe koncesionare prodhuan 3.245 GWh nga 3.582 GWh një vit më parë duke shënuar rënie me 9,4%.
Nga tre operatorët shtetërorë të energjisë, shpërndarësi i “OSHEE Group”, prodhuesi KESH dhe transmetuesi OST, vetëm KESH kishte rezultat financiar negativ në 2024-n.
“OSHEE Group” raportoi të ardhura prej 74 miliardë lekësh, ndërsa fitimet u rritën me 60%, në 7.3 miliardë lekë, duke hyrë ndër 10 më të mëdhatë në vend për fitimet.
“Operatori i Sistemit të Transmetimit” (OST) është një tjetër kompani shtetërore e energjisë në listën e fitimeve. Të ardhurat ishin të qëndrueshme në gati 11 miliardë lekë dhe fitimet ranë me 70% në 1.8 miliardë lekë.
Sipas deklarimeve zyrtare të kompanisë, në vitin 2024, në sistemin e transmetimit, hyrja e energjisë shënoi 9.9 TWh, ku energjia e transmetuar ishte 9.7 TWh, ndërsa humbjet ishin 0.2 TWh.
Shumica e kësaj energjie ka ardhur si efekt i prodhimit nga burimet hidrike, që janë edhe segmenti dominues në vend, por pesha e fotovoltaikëve është rritur gjithashtu nga viti në vit.
“Rreth 88% e energjisë së injektuar në sistemin e transmetimit nga prodhimi i brendshëm ka qenë nga burimet hidrike dhe 5% nga burimet fotovoltaike, ndërkohë, 7% nga burime në rrjetin shpërndarës, ku prodhimi total në sistemin e transmetimit rezulton 7.2 TWh.
Ngarkesa në sistemin e transmetimit ka qenë 7.6 TWh, prej të cilave 96% janë mbuluar nga prodhimi i brendshëm dhe 4% import, përmes linjave të interkonjeksionit”, – vlerësohet nga të dhënat e OST.
Një dinamikë e tillë në sektor ka shënuar rezultat pozitiv për kompaninë në bilancin e saj financiar.
Konkretisht, OST regjistroi një fitim neto në vlerën rreth 1.76 miliardë lekë. Të ardhurat totale nga veprimtaria e shfrytëzimit për vitin 2024 në bilancin e shoqërisë kanë rezultuar 9.55 miliardë lekë, ku rreth 67% e tyre e zënë të ardhurat nga transmetimi i energjisë elektrike.
Sipas kompanisë, shpenzimet totale nga veprimtaria e shfrytëzimit për vitin 2024 kanë qenë 7.65 miliardë lekë, nga të cilat rreth 33% lidhen me kostot e transmetimit”.
“Korporata Elektroenergjetike Shqiptare” (Sh.a KESH) kishte të ardhura prej 27 miliardë lekësh, me tkurrje prej 36%. Prodhuesi shtetëror i energjisë ka deklaruar humbje prej 380 milionë lekësh, nga fitimet prej 13.4 miliardë lekësh të vitit të mëparshëm.
“Ndërkohë, për të mbuluar Detyrimin e Shërbimit Publik prej 5.6 TWh, u arrit që 73% e energjisë të sigurohej nga prodhimi i brendshëm, 12% nga energjia e depozituar nga Prodhuesit Privatë të Energjisë (PPE) dhe 15% nga importet.
Konkretisht, gjatë vitit 2024, u importuan 828 GWh, me kosto totale prej 105.6 milionë eurosh dhe çmim mesatar të favorshëm prej 127.5 €/MWh. Evidentohet që Korporata ka optimizuar me kujdes skenarët e administrimit të kostove të importit kombinuar me shfrytëzimin e kaskadës në mënyrë sa më eficiente, duke iu përgjigjur kërkesës për energji”.
Tregtuesit e energjisë rrisin fitimet, tregu po përqendrohet në pak duar
Vitet e fundit, tregtimi i energjisë po joshte bizneset, pasi nëse ke njohuritë e duhura dhe kapital mund të rritesh shumë shpejt, teksa numri i punonjësve që kërkohen është minimal (shoqëritë kanë maksimumi 4 apo 5 punonjës).









