Artur metani dje ILD, Institucioni që duhet të flasë… por i ka humbur zeri

Artur metani dje ILD, Institucioni që duhet të flasë… por i ka humbur zeri

Nga av Arben Llangozi

Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë, i drejtuar nga Artur Metani, është kthyer në simbol të heshtjes, mosveprimit dhe dështimit institucional që po i hedh benzinë zjarrit të një sistemi drejtësie që tashmë perceptohet i shembur.

Qytetarët shohin çdo ditë hetime të zvarritura, afate të shpërfillura, vendime që merren me vite, korrupsion dhe konflikte interesi që kalojnë pa asnjë shqyrtim real dhe një ILD që, në vend që të reagojë me forcën e autoritetit që i jep ligji, duket sikur ka zgjedhur të fshihet pas raporteve, procedurave dhe një heshtjeje që i bën më shumë dëm drejtësisë sesa çdo shkelje individuale.

Kur një gjyqtar apo prokuror abuzon me pushtetin, kjo është dramë, por kur institucioni që duhet t’i mbikëqyrë ata perceptohet si i fikur, atëherë kjo është katastrofë. Iluzioni i një ILD funksional është më i rrezikshëm se mungesa e tij, sepse i jep publikut përshtypjen se ekziston një kontroll, ndërkohë që qytetarët e shohin qartë se ky kontroll nuk ndihen, nuk sheh, nuk dëgjon dhe nuk ndërhyn.

Heshtja e ILD-së nuk është thjesht dështim administrativ, por bashkëpjesëmarrje në një sistem që lë drejtësinë të kalbet nga brenda. Reformat, premtimet dhe konferencat nuk vlejnë fare në një vend ku institucioni që duhet të jetë zemra e pastërtisë morale të drejtësisë perceptohet si institucion që nuk e lëviz asgjë.

Qytetarët nuk kanë më durim, nuk kanë më iluzione, nuk kanë më besim, ata shohin vetëm një organ që duhet të jetë zëri i ligjit dhe etikës, por që është shndërruar në simbol të një heshtjeje të rrezikshme. Dhe derisa ILD të zgjohet, të reagojë dhe të tregojë se ekziston, drejtësia do të mbetet peng e një sistemi të çorientuar që po fundoset ndërkohë që institucioni i tij kryesor i kontrollit qëndron i pandjeshëm, i palëvizur dhe i pakompromentuar nga realiteti i hidhur që po shpërbën gjithçka rreth tij.

Share it :