Eksperti amerikan/ Joseph: Krimi i organizuar dhe droga janë problem madhor, shteti i së drejtës është në pikëpyetje
Eksperti i njohur amerikan për çështjet e Shqipërisë dhe të rajonit, Edward Joseph, deklaroi në intervistën për Armela Ferkon në SYRI TV, se krimi i organizuar dhe trafiku i drogës në Shqipëri dhe rajon janë probleme shqetësuese për Uashingtonin.
“Patjetër që krimi i organizuar, trafikimi i drogës, emigracioni i paligjshëm, janë të gjitha problematika mjaft shqetësuese për Shtetet e Bashkuara, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vendet fqinje. Dhe kjo është pjesë e problemit të cilit ju referova që në krye të herës.
Që në fillim, unë pyeta anëtarët e kongresit, pse ndodh që 35 vjet pas rënies së dhunshme të Jugosllavisë, pas rënies së komunizmit, përfshi edhe rënies në Shqipëri, ne vazhdojmë të kemi një rajon, i cili vazhdon të jetë i paqëndrueshëm dhe pse krimi i organizuar mbetet faktor. Secili prej këtyre vendeve mban përgjegjësitë e veta, por e dimë se është një ambient, një klimë gjithëpërfshirëse. Dhe për sa kohë që ti ke një vend të madh brenda këtij rajoni, i cili ka një qeveri jo demokratike, ose ka një pozicion anti-demokratik, që kërkon të ketë një kontroll autoritar prej një aktori, ai do të prekë gjithë rajonin
Prandaj Shqipëria, po, ka përgjegjësitë e veta dhe shteti i së drejtës është në pikëpyetje dhe e dimë se SHBA dhe BE po adresojnë këtë çështje.
Njëherazi e dimë se vendi më i madh i rajonit përbën një kërcënim serioz ndaj demokracisë dhe saboton punën e fqinjëve të vet. Dhe brenda Serbisë ka shembuj shqetësues të përfshirjes, të angazhimit me kriminelët. E gjithë kjo krijon një klimë mjaft negative në rajon.
Po, vërtet Shqipëria ka përgjegjësitë e veta dhe të gjithë fqinjët e vet kanë përgjegjësitë e tyre, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Kosova, Bosnja dhe Hercegovina. Pra që të gjitha këto vende duhet të mbajnë përgjegjësitë e tyre. Por gjithashtu e dimë se vendi më i madh i rajonit, i cili ka një produkt të brendshëm bruto që është i barabartë me produktin e që të gjitha këtyre vendeve dhe ka një popullsi që është sa dy e treta e madhësisë së vendeve të tjera së bashku, ky është problemi.
Dhe për këtë arsye administrata Trump ndodhet në një moment kritik që ta bëjë Serbinë, ashtu si rekomandova unë, ta detyrojë Serbinë që në fund të shkëputet nga Rusia dhe Kina dhe të angazhohet plotësisht për t’u bashkuar qasjes së Shteteve të Bashkuara, pra të bëhet anëtare e NATO-s. Jo vetëm anëtare e Bashkimit Evropian, por anëtare e NATO-s. Dhe unë besoj se kur Serbia dhe Kosova të pranojnë rrugën e tyre drejt NATO-s, do t’i jepet fund tensioneve dhe konflikteve në të gjitha vendet e rajonit, përfshirë edhe Shqipërinë.
Do të jenë vende me demokraci më të fuqishme, më besimplotë dhe një qasje më të mirëorganizuar drejt krimit të organizuar dhe kriminalitetit,” tha ai.






