Berisha: Edi Rama ka lëshuar të gjitha tentakulat, për shkak të dosjes Rama, për të grabitur edhe kreun e Skapit
Kreu i PD, Sali Berisha, në deklaratën për media jashtë Kuvendit, akuzoi kryeministrin Edi Rama se po ushtron presione të paprecedenta mbi institucionet e drejtësisë, përfshirë Gjykatën Kushtetuese dhe procesin e përzgjedhjes së kreut të SPAK-ut.
Berisha theksoi se mazhoranca ka shkelur marrëveshjet dhe procedurat, ndërsa pretendoi se Rama po vepron nën panik për shkak të “dosjes Rama”. Ai e cilësoi situatën si një tentativë për kapjen e plotë të drejtësisë dhe përmendi se beteja reale po zhvillohet jashtë Parlamentit, në sallat e gjykatave ku, sipas tij, po ushtrohen presione të rënda politike.
BERISHA: Kjo paralajmëron të gjitha gjërat, të cilat kanë të bëjnë, sepse ne, Edi Rama mendoi se me këtë proces na tërhoqi në lojën e tij, çka gaboi rëndë.
Ne e ndoqëm procesin, vendosëm të mbështesim vetëm këto kandidatura të PD.
Në përputhje me vendimin që mori Komisioni i Ligjeve që kryesohet nga PS, ne tërhoqëm firmat.
Ai hoqi maskën dhe mund t’u them ju, me gjithë përpjekjet që janë bërë që kjo që ndodhi sot, të mos ndodhë, Edi Rama nuk u tërhoq sepse është i mbyturi që kapet në çdo fije bari.
E kuptoni ju vetë se çfarë tmerresh po përjeton ai këto ditë.
Ai po përjeton tmerre ‘never felt before’, thotë Edgar Allan Poe në poemën e tij, të pandjera kurrë më parë.
Nuk ka pse të ankimohet vendimi në Gjykatë Kushtetuese.
Nuk pyet ai për Gjykatën Kushtetuese.
A nuk jeni edhe ju dëshmitarë se çfarë presioni të tmerrshëm po i bën ai Gjyaktës Kushtetuese?
A e kuptoni ju se format më antikushtetuese, më antiligjore të presioneve po bëhen në Gjykatën Kushtetuese?
Gjithçka po vërtitet për dosjen Rama këtu, harrojeni dosjen Balluku.
Beteja nuk po zhvillohet në parlament sot, por në një sallë tjetër.
Ka zbarkuar e gjithë bota në atë sallë, në një rast që nuk e gjen kurrë një rast të dytë.
Sepse Edi Rama ka lëshuar të gjitha tentakulat, të gjitha mjetet dhe metodat, për shkak të dosjes Rama, për të grabitur edhe kreun e Skapit.
E kuptoni tani?
Çfarë t’i thuash tani Gjykatës Kushtetuese?
Gjykatës Kushtetuese i kërkohet të shqyrtojë si shkelje e të drejtave të njeriut, një çështje që absolutisht nuk ka të bëjë me të drejtat e njeriut.
Ai vendim i pezullimit nuk është për zëvendëskryeministren Belinda Balluku, është për qytetaren Belinda Balluku që ka vjedhur. Dhe Edi Rama mbrapa.
Nuk ka të bëjë fare.
Dhe ministre, zëvendëskryeministre nuk është e drejtë kushtetuese, është deyrë e ngarkuar.
Të drejtat kushtetuese, po, bllokimi i pasaportës, por asaj i ka dhënë përgjigje Gjykata Kushtetuese në rastin e Sali Berishës dhe unë e përshëndes atë vendim.









