Berisha: Edi Rama themeloi narkoshtetin e vetëm në Europë! Demokracia, familja dhe Shqipëria, betejat e misionit tonë

Berisha: Edi Rama themeloi narkoshtetin e vetëm në Europë! Demokracia, familja dhe Shqipëria, betejat e misionit tonë

Kryetari i PD, Sali Berisha u shpreh se, demokracia, familja dhe Shqipëria janë betejat e jetës dhe misionit të Partisë Demokratike.

Duke folur në ditëlindjen e 35-të të PD, Berisha tha se, Edi Rama, njëjtë si Enver Hoxha dhe etërit e tij biologjikë, xhelatë të shqiptarëve, ka vrarë zgjedhjet e lira, shpresën e shqiptarëve, duke çuar në shpopullimin e vendit, një plagë sociale për shumë familje shqiptare.

Berisha: Zonja dhe zotërinj, 35 vite pas themelimit të Partisë Demokratike, në disa aspekte ne gjendemi sot në një situatë shumë të ngjashme me ditët e para, por pak në mënyrë figurative. Koincidenca. Në ato vite ishte Aleksandër Gjoka, që na priste dhe na frymëzonte, sot kemi Renis Gjokën.

Renis, të përqafoj dhe të falënderoj shumë.

Kur u themeluam, përballë kishim një diktaturë. Sot përballë kemi një diktaturë tjetër. Jo një diktaturë komuniste, që kishte për ideologji ideologjinë marksiste-leniniste dhe indoktrinimin, por një diktaturë të bazuar në drogën, vjedhjen dhe ideologjinë post-marksiste të ekstremit të majtë.

Edi Rama, që ne e përzumë nga Partia Demokratike orët e para pas ardhjes së tij, sot ka themeluar narkoshtetin e parë dhe të vetëm në Europë. Ai sot ka më shumë pushtet se Ramiz Alia në vitin 91.

Ai qeveris në bashkëpunim me kartelet më të rrezikshme të drogës të Shqipërisë dhe Amerikës Latine.

Sot, pas 12 vitesh në pushtet, Shqipëria është populluar nga pothuaj gjysmë e popullatës së vet. Kombi ka pësuar katastrofën demografike më të madhe në tërë ekzistencën e tij. Edi Rama ka grabitur pasuritë e shqiptarëve në sasi më të mëdha se sa ç’kanë grabitur të gjithë në të gjithë historinë të marrë së bashku, të gjitha regjimet dhe pushtimet e mëparshme.

Edi Rama, njëlloj si Enver Hoxha dhe etërit e tij biologjikë, xhelatë të shqiptarëve, ka vrarë zgjedhjet e lira, shpresën e shqiptarëve.

I ka zëvendësuar ato me forcë elektorale, siç faktoi dhe raporti i fundit i OSBE-ODIHR-it. Pra, në çdo aspekt po që ta kapësh, Shqipëria sot po vuan një diktaturë të dytë të mirëfilltë, me arrestime dhe burgosje kundërshtarësh politikë, kontrollin e mediave, varfërimin dhe dëbimin e shqiptarëve nga dheu i tyre. Por dhe diçka miqtë e mi.

Nëse ne u themeluam për disa vlera themelore, për pluralizmin politik, për lirinë dhe dinjitetin njerëzor, për familjen, integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe NATO, për interesin kombëtar dhe çështjen kombëtare, arsyet pse ne luftojmë sot janë akoma më themelore, sepse ne luftojmë sot për shpëtimin e demokracisë, sepse ne nuk kemi më zgjedhje.

Ne luftojmë sot për shpëtimin e familjes shqiptare, sepse ligji i shkonfigurimit të gjinive është votuar nga Edi Rama. Ne luftojmë sot për shpëtimin e Shqipërisë, sepse me shkallën e shpopullimit që vazhdon, rrezikojmë zhdukjen e plotë në 5 dekadat që vijnë.

Demokracia, familja dhe Shqipëria janë betejat tona të jetës dhe misionit tonë. Këto të trija janë kushtrimi i çdo demokrati sot. Kurrë në jetën tonë nuk kemi patur një mision kaq të lartë si ky. Kurrë nuk është varur fati i Shqipërisë nga një parti, ashtu siç varet sot nga ne.

Miqtë e mi, ne do fitojmë!

Share it :