Berisha: PD luajti rol të pazëvendësueshëm në pavarësinë e Kosovës! Ishim bashkë atë ditë kur Xhorxh Bush shpalli Pavarësinë
Kryetari i PD, Sali Berisha, në ceremoninë e 35-vjetorit të themelimit të kësaj force politike tha se, Partia Demokratike luajti rol të pazëvendësueshëm në pavarësinë e Kosovës.
Berisha tha ishim të gjithë bashkë, ditën kur ish presidenti amerikan, Xhorxh Bush shpalli Pavarësinë e Kosovës.
Berisha: Por është një histori 35 vite më parë, e cila më së miri tregon se çfarë partie e jashtëzakonshme që jemi.
Dhe sot do ta ndaj me ju këtë histori. për të rikujtuar dhe njëherë vlerat dhe idealet që e kanë bërë Partinë Demokratike forcën më të suksesshme qeverisëse që ka udhëhequr ndonjëherë Shqipërinë në të gjithë historinë e saj dhe vitet e fundit, opozitën më të pamposhtur që ka parë ndonjëherë Europa gjerë sot.
Miqtë e mi, 35 vite më parë, në ditët e para pas themelimit të Partisë Demokratike, shumë të rinj, intelektualë, na bashkoheshin çdo ditë. Midis tyre ishte dhe një djalë rreth 26, 27 vjeç, pedagog i arteve.
Askush nuk mendonte në atë kohë se disa vite më vonë ai person do kthehej në fatkeqësinë më të madhe të kombit shqiptar pas Enver Hoxhës në një shekull.
Ky djalë ishte Edvin Kristaq Rama dhe siç e dini, ai nuk rezistoi dot më gjatë se disa orë në Partinë Demokratike dhe është kjo forca e madhe e kësaj partie.
Demokratët kanë një instinkt të pagabueshëm për të dalluar të mirën dhe të keqen, gënjeshtrën dhe të vërtetën, sepse ne bashkë, ish-studentët e dhjetorit, intelektualët themeltarë, themelues të Partisë Demokratike, brezat e rinj të demokratëve dhe të gjithë mbështetësit tanë, janë burra, gra, djem dhe vajza, që janë bërë bashkë rreth idealeve më të larta njerëzore, rreth interesit kombëtar.
Janë këto ideale dhe interesi kombëtar që bën të mundur që Partia Demokratike t’i dhurojë Shqipërisë anëtarësimin në Këshillin e Europës, anëtarësimin në NATO, liberalizimin e vizave, projekte monumentale si Rruga e Kombit, gazsjellësi Trans-Adriatik, bashkimi i Elbasanit me Tiranën, ndërtimi dhe rindërtimi i 11.000 km rrugë, autostrada, superstrada, ura, tunele. Shqipërinë nga humbtirë dixhitale, e sollëm në moshën dixhitale.
Shqiptarët për herë të parë në historinë e tyre dolën në një ‘kuantum lip’, nga grupi i kombeve me të ardhura ndër më të ultat në planet dhe njerëzit ndër më të varfër të kësaj toke, në grupin e kombeve me të ardhura të mesme të larta, në qytetarët më të paguar të rajonit.
Shqiptarët, nga skllevër të hiperkolektivizimit dhe pronës socialiste, në pronarë dinjitozë, zotër të pronave të tyre dhe iniciativës së tyre të lirë, në vendin e hiperkolektivizmit, tregun dinamik dhe vibrant.
Partia Demokratike, partia e interesit kombëtar të shqiptarëve dha kontribut dhe luajti rol të pazëvendësueshëm në Pavarësinë e Kosovës.
Ishim bashkë të gjithë atë ditë kur këtu në Tiranë miku i shquar i kombit shqiptar, presidenti Xhorxh Bush, shpalli për herë të parë pavarësinë e shtetit të dytë shqiptar, pavarësinë e Kosovës.
Të gjitha këto arritje epokale, të gjitha këto gëzime, këto marrëdhënie të jashtëzakonshme që ne kemi njeri me tjetrin, janë të gjitha fat dhe privilegj, që jo çdokujt i jepet në jetë.
Por, mbi të gjitha, çfarë fati për ne të jemi një parti që nuk lëshojmë kurrë të vërtetat, që besojmë interesin kombëtar, edhe sikur e gjithë bota të jetë kundër nesh.
Dhe kjo është dëshmuar, është faktuar në këto vite që lamë pas. Por gjithashtu janë këto ideale që na mundësuan mbijetesën dhe mbrojtjen e tyre, që na mundësuan mbijetesën gjatë atij sulmi që na u bë këto vite nga i cili asnjë parti në Europë dhe në botë nuk do kishte mbijetuar dot.
Dhe sigurisht janë këto ideale dhe interesi kombëtar që do sjellin triumfin, rrëzimin e narkoshtetit të parë dhe të vetëm në Europë dhe shpëtimin e Shqipërisë.









