Investigimi/ 88 milionë euro për rrugën që u shemb! Si Balluku dhe Berberi ‘mbyllën sytë’ para fakteve të projektit
Kaq sa treguam më sipër, është ajo që SPAK ka hetuar deri më tani. Për këtë pjesë të dosjes, Prokuroria e Posaçme shprehet se hetimet vijojnë. Por Plug, do të zbardh në vijim, duke publikuar të gjitha provat, që tregojnë se Erion Isai dhe Entela Çano, falsifikuan projektin e rrugës Korçë-Ersekë, duke i rritur kostot deri në 88 milionë euro. Jo vetëm kaq, por edhe pse ishin në dijeni Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Ministria e Infrastrukturës e drejtuar nga Belinda Balluku, lejuan që rruga të ndërtohej mbi një projek të falsifikuar, që rriti me dyfish kostot dhe mbi të gjitha, nuk u ndërtua me standarde që garantojnë sigurinë e drejtuesve të mjeteve.
Këto janë pamjet që tregojnë shembjen e rrugës Korçë-Ersekë në Lotin 2, pikërisht në segmentin 4.15 km, projekt që u hartua nga Entela Çano dhe Erion Isai. Emisioni ‘Plug’ transmetoi në sezonet e kaluara, një emision ku tregonte se çfarë ndodhi me shembjen e rrugës, kush ishte kompania zbatuese e projektit ANK Konstruksion dhe fijet e kësaj kompanie me lidhjet shtetërore.
Tashmë që SPAK ka nisur të hetojë shembjen e rrugës Korçë-Ersekë, Plug do të zbardh edhe shkaqet që çuan në një nga skandalet më të mëdha të infrastrukturës shqiptare, paralajmëruar që në gjenezën e saj. Më sipër, treguam se ishte pikërisht kompania e Entela Çanos, A&E Enginiering, që hartoi dhe dhuroi projektin e rrugës për bashkinë Kolonjë.
Ky që shihni në ekran, është projekti i zbatimit i rrugës Korçë-Ersekë, i bërë nga Entela Çano. Siç shihet, projekt-zbatimi, përbëhet nga vetë këto dy foto, që me sa duket janë bërë nga google maps, dhe më pas, nëpërmjet programeve kompjuterike, fotove u është shtuar dhe vija e kuqe që supozon gjurmën e rrugës.
Në raportin teknik të rrugës, që mban firmën dhe vulën e kompanisë A&E Engineering, pretendohet që Projekti i Zbatimit “Rruga Korce – Erseke “(Loti 2) është rezultat i bashkëpunimit me përgjegjësit lokale dhe komunitetin e zonës ku u finalizuan kontrollet dhe verifikimit e domosdoshme; si dhe përvetësimi i të dhënave gjeologjike dhe gjeoteknike, topografike, të dhëna të trafikut, etj. Por në kallëzimin penal, që inxhinieri Romeo Nazarko ka bërë në SPAK, pretendohet se në terren nuk kanë zbritur inxhinierët e Entela Çanos, por inxhinierët e kompanisë ANK, e cila duket se kishte marrë garanci se do të ishte fituese e tenderit 28 milionë euro për ndërtimin e kësaj rruge.
“Mashtrim në lidhje me faktin se projekti është rezultat i komunitetit të zonës. Ky fakt nuk është i vërtetë, pasi nuk është bërë asnjë konsultim me banorët e fshatrave ku ndodhet ky projekt me gjatësi 4.15 km. Përkundrazi, kur u informova se inxhinierët gjeodezë kishin shkuar në terren për të vëzhguar segmentin e ri rrugor, u përpoqa të kontaktoja administratorin e studios së projektimit, por përgjigja që mora ishte se ende nuk kishte një version të seksionit të ri” thuhet në kallëzimin e Nazarkos.
Plug nuk mund të verifikojë dot, nëse në terren kanë bërë studim inxhinierët e Entela Çanos apo Agim Kolës, ndërsa sa u përket dëgjesave publike, banorët tregojnë se një gjë e tillë nuk ka ndodhur.
Madje, ashtu siç ishte parashikuar nga kallëzimi i inxhinierit Romeo Nazarko, rruga sot nuk u shërben shumë fshatrave, pasi është ndërtuar larg prej tyre dhe nuk ka hyrje dalje aksesi. Banorët tregojnë se ndërtimi i rrugës mbi projektin e kërkuar nga Erion Isai dhe bërë për dy muaj nga Entela Çano, ndërsa sot fshatrat po shpopullohen.
Jo vetëm kaq, por ndërtimi i kësaj rruge, e ka bërë shtetin të jetë borxh ndaj banorëve të disa fshatrave, të cilët nuk janë dëmshpërblyer kurrë për pronat që u mori ndërtimi i këtij aksi.
Jo vetëm kaq, por Plug, nisur nga fakti se projekti i zbatimit për këtë rrugë u hartua në kohë rekord, ka verifikuar procedurat standarde që ndjek Autoriteti Rrugor Shqiptar për të hartuar projekte për ndërtimin e rrugëve të reja.
Nga një verifikim i dhjetëra tenderave, që ARRSH ka shpallur për hartimin e projektzbatimit të rrugëve të reja, rezulton se një kompanie i duhen minimalisht 22 muaj për të hartuar një projekt, ndërsa kostoja për hartimin e një projekti të ngjashëm, shkon nga 800 mijë deri në 1 apo dy milionë euro, në varësi të specifikave të rrugës.
Një tender të tillë e ka fituar kompania e Entela Çanos, A&E Engineering. Bëhet fjalë për tenderin që shihni në ekran, “Studim projektim By Pass Elbasan” i mbajtur në muajin nëntor të vitit 2022. Siç shihet, Entela Çanos i është dhënë gati dy vjet kohë të hartojë projektin për ndërtimin e By Pasit të Elbasanit, i cili ende nuk është tenderuar. Vetëm nga ky tender kuptojmë, që Entela Çano nuk shkoi kurrë në Ersekë për të studiuar terrenin ku më pas do të kalonte rruga. Nga ky tender i ARRSH kemi dhe një tjetër të dhënë interesante, koston e hartimit të një projekti.
Siç shihet, për projektimin e bypasit të Elbasanit, Entela Çano ka marrë plotë 1 milionë euro nga buxheti i shtetit. Ndërsa projektin e rrugës Korçë- Ersekë, Entela Çano ia bëri dhurat Erion Isait?!. Ky fakt shërben për të kuptuar se Entela Çano nuk i dhuroi Erion Isait qindra mijëra euro apo ndoshta dhe miliona euro projekt, pasi ky nder, u shpërblye me tendera korruptivë dhe fiktiv që Erion Isai do ti jepte kompanisë A&E Engineering, duke shkelur çdo ligj të prokurimit dhe financave publike, të cilat Plug i denoncoi në emisionin e kaluar.
Një tjetër skandal në këtë projekt, është rritja fiktive e kostove. Në projektin fillestar, i cili mbahet nga ARRSH dhe nuk bëhet publik, rruga ishte parashikuar të ndërtohej me një kosto prej 1 milionë euro për një 1 km.
Loti i parë me gjatësi prej 17 kilometrash, i inaguruar nga Damian Gjiknuri në vitin 2018, kushtoi rret 15 milionë euro.
Ndërkohë, loti i dytë me gjatësi 4.15 km kushtoi plotë 26 milionë euro, dhe loti i dytë pjesa e dytë kushtoi 25 milionë euro. Pas shembjes së rrugës në pjesën e parë të lotit të dytë, ARRSH shtoi edhe rreth 5 milionë euro shtesë me justifikimin e rishikimit të projektit, por që kurrë nuk u bën transparente. Në total, sipas ARRSH, rruga Korçë-Ersekë ka kushtuar 8.2 miliardë lekë apo më shumë se 82 milionë euro, sipas projektit të Entela Çanos.
Për rritjen e kostove të rrugës në dy lotet e tjera, pati edhe një hetim nga Agjencia e Prokurimit Publik.
Plug disponon të plotë vendimin e hetimit të APP, ku konstaton se ky institucion, që në vitin 2021 kishte gjetur rritje të kostove të rrugës, por nuk mori asnjë masë, pasi gjatë hetimit, sipas Agjencisë së Prokurimit Publik, ARRSH kishte argumentuar rritjen e kostove me disa vkm të miratuara nga qeveria Rama për çmimet e materialeve të ndërtimit. Por teksa APP nuk mori asnjë masë për rritjen fiktive të kostove, ky institucion dyshohet se ka kryer një tjetër vepër penale, duke lejuar zbatimin e projektit me një tender abuziv.
Nga dokumenti që disponon emisioni PLUG, rezulton se APP ka konstatuar se procedurat dhe kriteret e tenderit të rrugës Korçë-Ersekë, u hartuan në mënyrë të tillë që të favorizonin kompaninë fituese ANK, ndërsa po kjo kompani e fitoi tenderin duke mos plotësuar një seri kriteresh të përcaktuara nga ARRSH për këtë procedurë prokurimi me vlerë 30 milionë euro.
AGJENCIA E PROKURIMIT PUBLIK: Nga verifikimi i zbatimit të procedurës së prokurimit objekt hetimi administrativ, si dhe nga shqyrtimi i kundërshtimeve të dërguara nga AK, APP risjell në vëmendje të AK respektimin drejtë të dispozitave të parashikuara në LPP dhe VKM. Gjatë këtij hetimi rezultoi se janë hartuar kritere kualifikimi që vijnë në kundërshtim me nenis 46 të LPP. Konkretisht, AK ka hartuar kritere të veçanta kualifikimi të lidhura me kategori licencast profesionale, numrin e stafit teknik, llojin dhe numrin e mjeteve, raport testimet mbi kampionet e ndërtimit, të cilat nuk vijnë në linjë me rregullat e prokurimit publik dhe legjislacionin e fushës.
Në çdo rast, hartimi i tyre duhet të argumentohet teknikisht dhe ligjërisht, konform parashikimeve ligjore në fuqi. Për më tepër, në lidhje me licencën profesionale të shoqërisë. stafin teknik, punonjësit e kërkuar dhe mjeteve, gjatë fazës së pritjes së ofertave, APP ka sjellë në vëmendjen e AK nevojën për argumentim, në përputhje me volumet e punimeve objek kontrate. Kërkesa e kritereve të pranimit të paargumentuara konform nenit 46 të LPP, mund të pengojë pjesëmarrjen e ofertuesve të mundshëm, të cilët plotësojnë kapacitetet e domosdoshme për realizimin e objektit të kontratës.
Këtë skandal, që Agjencia e Prokurimit Publik e konstatoi vet, e mbuloi vetëm duke gjobitur deri në 2 milionë lekë, gjashtë anëtarë të njësisë së prokurimit për mospërmbushje të parashikimeve ligjore në ligjin e prokurimit publik.
Emisioni Plug ka siguruar një raport të Kontrollit të Lartë të Shtetit, për një auditim të kryer në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, ku zbardhet një e dhënë shumë e rëndësishme. Sipas dokumentit që shihni në ekran, vet qeveria kishte parashikuar një fond prej 1.2 miliardë lekësh, apo rreth 14 milionë eurosh, me kursin e kohës, për ndërtimin e Lotit 2, pjesa e parë, të rrugës Korçë-Ersekë.
Siç shihet nga ky dokument, qeveria do të paguante në tre vjet shumën e 1.2 miliardë lekëve për ndërtimin e kësaj rruge. Por, ARRSH në varësi të Belinda Ballukut lidhi një kontratë me kompaninë ANK, për vlerën e 2.8 miliardë lekëve apo rreth 30 milionë eurove për ndërtimin e vetëm 4..15 km rrugë. Dhe sipas KLSH, kjo ishte në shkelje, pasi u angazhuan fonde, përtej parashikimeve buxhetore.
KLSH: “Ndërtim rruga Korçë Ersekë Loti 2 (pjesa e parë), është parashikuar në PBA 2020-2022 me plan buxheti në total për tre vite në shumën 1.2 miliard lekë. Detajimi i këtij investimi është kryer me Aktin Normativ nr.28/2020 në shumën 576 milion lekë në muajin Korrik dhe është rishikuar në rritje në Dhjetor 2020 duke paraqitur një plan përfundimtar në shumën 606,828 mijë lekë.
Nga auditimi konstatohet se për këtë projekt është lidhur kontrata në shumën 2,822,415 mijë lekë me TVSH me afat 24 muaj, duke angazhuar fonde përtej atyre të planifikuara në PBA 2020-2022 (në vlerën 1.2 miliard lekë) me datë kontrate 08.10.2020, regjistruar në SIFQ në datë 12.10.2020.
Ndërmarrja e angazhimit është përtej fondeve në dispozicion për diferencën në shumën 1,622,415 mijë lekë dhe miratimi i këtij investimi duke çelur vlerën e vetëm 20% të kostos së projektit kanë mundësuar detyrimet e prapambetura duke qenë se periudha e kohëzgjatjes së punimeve nuk përputhet me periudhës e buxhetuar për shlyerjen e këtij investimi
Pra, kostoja e ndërtimit të këtij segmenti prej 4.15 km, u rrit jashtë planeve buxhetore me gati 17 milionë euro nga sa vetë qeveria kishte parashikuar, pa llogaritur këtu edhe shembjen e rrugës. Deri këtu është e qartë, se Agjencia e Prokurimit Publik anashkaloi rritjen e kostove të ndërtimit të rrugës, duke i besuar verbërisht Autoritetit Rrugor Shqiptar, ndërsa ky i fundit, kishte miratuar 30 milionë euro për një projekt të falsifikuar.
Vetë ARRSH, nuk dha asnjë shpjegim teknik, pse u miratua projekti i Entela Çanos dhe nuk u vijua me projektin vitit 2010, që parashikonte rrugë në një segment që nuk rrezikonte të shembej, dhe mbi të gjitha ndërtimi ishte me kosto disa dhjetëra milionë euro më lirë sesa projekti që paraqiti Entela Çano dhe Erion Isai në ARRSH. Ky i institucion, që në atë kohë drejtohej nga Ergys Verdho, ka kryer edhe një tjetër vepër penale. ARRSH dhe kreu i saj Ergys Verdho, jo vetëm miratuan një projekt të falsifikuar, por njëkohësisht, ia besuan mbikqyrjen e punimeve të këtij projekti, hartueses në letra të tij, Entela Çano.
Më 26 tetor 2020, ARRSH hapi tenderin me objekt prokurimi: “Supervizion Punimesh Ndërtim rruga Korçë- Ersekë, Loti 2 (pjesa e pare)”. Vlera e fondit limit të këtij tenderi ishte 190 mijë euro, ndërsa në garë morën pjesë 5 kompani, nga të cilat në fazën e dytë kaluan vetëm tre: 1. “GJEOKONSULT &CO” 2. “A & E ENGINEERING” dhe 3.“MCE” & “Studio Servis K-SA” & “INDAY-18”. Në përfundim, fituese u shpall pikërisht kompania e A&E Engineering, e Entela Çanos, ndërsa si dhuratë për vitin e ri 2020, në datën 31 dhjetor të atij viti, Ergys Verdho dhe Entela Çano, lidhën kontratën me vlerë totale 224 mijë euro për mbikqyrjen e punimeve të këtij projekti.
Pra, jo vetëm që projekti nga Entela Çano nuk iu bë dhuratë bashkisë Kolonjë, por ARRSH, vendosi që punimet e këtij projekti të falsifikuar dhe korruptiv, t`ia besonte ish zyrtares së lartë të Fondit Shqiptarë të Zhvillimit, duke skualifikuara nga gara madje edhe kompani që ofruan çmime shumë më të ulëta për mbikqyrjen e punimeve të kësaj rruge.
Plug
Syri tv









