Investigimi/ Belinda Balluku shtoi miliona euro për të ‘mbuluar’ projektin e falsifikuar të Entela Çanos për rrugën Korçë-Ersekë
Deri këtu është e qartë. Tenderi për 4.15 km të rrugës Korçë-Ersekë, u kushtoi shqiptarëve plotë 17 milionë euro më shumë, nga sa vetë qeveria parashikoi të shpenzonte. Rritja e kostove për ndërtimin e kësaj rruge u paralajmërua nga KLSH, por u amnistua nga Agjencia e Prokurimit Publik.
Nga ana tjetër, Autoriteti Rrugor Shqiptar miratoi një projekt të falsifikuar për ndërtimin e rrugës Korçë-Ersekë, dhe për më tepër, ia besoi mbikqyrjen e punimeve në konflikt të pastër intersi, të njëjtës kompani që hartoi projektin, Entela Çanos.
Në vijim do t`ju tregojmë se edhe vetë Belinda Balluku u vu në dijeni për projektin e falsifikuar, por jo vetëm që nuk mori masa për të parandaluar minimalisht shpërdorimin, për të mos thënë vjedhjen, e dhjetëra milionë eurove, por shtoi edhe disa milionë euro të tjera për të korigjuar gabimet e Entela Çanos.
Dy vjet pas tenderit për lotin e dytë pjesa e parë, Autoritetit Rrugor Shqiptar, tenderoi edhe tenderin për lotin e dytë pjesa e dytë, me gjatësi 13 km.
Ndryshe nga tenderi parë, ku ARRSH shpenzoi rreth 30 milionë euro për vetëm 4 km, në pjesën e dytë të lotit të dytë, ARRSH shkurtoi shpenzimet, duke tenderuar 13 km rrugë për vlerën e 25 milionë eurove me TVSH.
Deri këtu duket lajm i mirë, pasi në thelb u kursyen para nga taksat e shqiptarëve, duke pasur parasysh se ndërtimi i 13 kilometrave rrugë ishte po aq i vështirë teknikisht, pasi përbëhej nga disa ura dhe vepra arti që teknikisht kanë kostot të lartë.
Nga ana tjetër ky fakt tregon edhe njëherë vjedhjen masive që u bë në pjesën e parë të lotit të dytë, ku u shpenzuan 30 milionë euro për 4.15 km rrugë, apo thënë ndryshe gati 8 milionë euro për kilometër.
Ndërtimi i pjesës së dytë të lotit të dytë, të rrugës Korçë-Ersekë, nxjerr në pah edhe njëherë falsfikimin e projektit nga Entela Çano dhe Erion Isai.
Në 16 shtator 2024, tetë muaj pasi rruga u shemb në pjesën e parë të lotit të dytë, Autoriteti Rrugor Shqiptar bën një rishikim të kontratës me kompaninë ANK duke shtuar edhe rreth 432,238,665.08 lekë pa tvsh apo 5 milionë euro për përfundimin e këtij projekti. Në total, nga 26 milionë euro, për përfundimin e plotë të pjesë së dytë të lotit të dytë, kostoja shkoi në 31 milionë euro.
Sipas dokumentit të modifikimit të kontratës, në datën 17 korrik 2024, Drejtoria e Planifikimit Strategjik dhe Operacioneve, ka paraqitur relacionin teknik, në të cilin janë paraqitur dhe prezantuar të gjitha shkaqet që kanë çuar në nevojën për këtë modifikim kontrate. Sipas ARRSH, është mbikëqyrësi i punimeve, që propozon ndryshimet e kontratës, dhe në këtë rast, është kompania A&E Engineering, e Entela Çanos. Dhe sipas Entela Çanos, Shkaqet e modifikimit të kontratës janë:
KONTRATA E MODIFIKUAR
-Rishikim i projektit të urës mbi përroin e Selenicës;
-Rishikim i projektit në lidhje me përmirësimin e tabanit të rrugës;
-Ndryshime të volumeve për shkak të mospërputhjes së projektit me faktin në terren;
-Ndryshim të volumeve për shkak të mospërputhjes së projektit me preventivin.
Por le të ndalemi më konkretisht. Për pikën e Parë, Entela Çano shprehet se: në projektin e zbatimit ishte parashikuar ndërtim i një ure që kalon mbi përroin e Selenicës, si dhe mbushje me terramesh. Gjatë zbatimit rezultoi se ura e parashikuar në projektin e tenderuar nuk e mbulonte gjerësinë e shtratit të lumit, i cili në periudha të ndryshme të vitit zgjeron shtratin e tij. Në këto kushte, u miratua propozimi për ndërtimin e një ure, e cila mbulon gjerësinë e shtratit të lumit.
Praktikisht, gabimi në këtë rast është i projektuesit, pra Entela Çanos, e cila nëpërmjet vetëm kësaj të dhëne, konfirmon se nuk shkoi asnjëherë në terren për të bërë matje gjeodezike për ndërtimin e urës, e cila në projektin e bërë për dy muaj nga Entela Çano në letër rezulton 3 metër më e vogël nga sa duhet të ishte në realitet.
Rishikim i projektit në lidhje me përmirësimin e tabanit të rrugës se gjatë zbatimit të punimeve është hasur prezencë e ujërave në thellësinë e gërmimit 2,5-3 m (zonë kënetore me përbërje torfike e argjila të ngopura).
Prania e ujit në kuotën e tabanit të rrugës e bën të pamundur ndërtimin e shtresave rrugore. Në këto kushte, u miratuan propozimet për ndërtimin e drenazheve tërthore dhe gjatësore, përdorimi i materialeve të fraksionuara të rrethuar me gjeotekstil, si dhe përdorimi i gjeodrenantit dhe gjeogridit biaxial me gjeotekstil për të shmangur deformimet e trupit të rrugës.
Edhe në këtë rast, konfirmohet se projekti i hartuar nga Entela Çano është i falsifikuar, pasi nuk ka studim gjeologjik dhe hidrologjik për terrenin ku do të vendosejn tabani i rrugës.
Gjatë zbatimit të punimeve rezultoi se lartësia e disa mureve nuk përputhej me lartësinë sipas terrenit, duke kërkuar rritjen e lartësisë apo edhe të gjatësisë së këtyre mureve. Gjithashtu, në piketat 168-175 është propozuar ndërtimi i një kanali të hapur me L= 190 m për të mbledhur ujërat që grumbullohen nga sipërfaqja e skarpateve për t’i shkarkuar ato në box në seksionin 167. Mospërputhja e projektit me faktin në terren sjell edhe ridimensionimin e gjatësisë së tombinove rrethore.
Edhe nga kjo e dhënë, konfirmohet se projekti në letër nuk përputhet me realietin në terren, në të dyja raset, projekti në letër, dhe relacioni i dorëzuar në ARRSH për ndryshimin e projektit, mbajnë firmën e Entela Çanos dhe bashkëpunimin e Erion Isait, që dorëzoi në ARRSH një projekt të faslfiikuar.
Gjatë zbatimit të projektit kanë rezultuar edhe mospërputhje të projektit me preventivin, për sa i përket zërit të shtresave rrugore (asfaltobeton me trashësi 5 cm dhe binder me trashësi 6 cm), punimeve të gërmimit, punimeve për linjën e fibrës optike, punimet për sinjalistikën horizontale dhe vertikale.
Pra edhe nga ky rast, konfirmohet përsëri që projekti i Entela Çanos dhuruar Erion Isait ishte i falsifikuar, me pasoja të rënda për xhepin e qytetarëve shqiptarë. E gjitha kjo është bërë me dijeninë e plotë të Ministres së Infrastrukturës Belinda Balluku.
Sipas dokumentit, rezulton se për shkak problemeve me projektin e Entela Çanos, punimet për pjesën e dytë të lotit të dytë të rrugës Korçë –Ersekë, janë pezulluar në datën 26 tetor 2023, ndërsa në datën 18 mars të vitit 20224, Belinda Balluku ka firmosur pagesat shtesë për rishikimin e kontratës.
ARRSH: Afati i kësaj kontrate është 18 muaj nga data e lidhjes së kontratës. Njoftimi për fillimin e punimeve datë 13.06.2022. Punimet janë pezulluar më datë 26.10.2023, raportuar pranë Agjencisë së Prokurimit Publik, konform Udhëzimit nr. 2, datë 18.03.2022 “Mbi Raportimin e Zbatimit të Kontratës”. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë me shkresën Nr. 1707/3 prot, datë 18.03.2024 “Detajimi pjesor i buxhetit për shpenzimet kapitale për vitet 2024-2026…” ka miratuar këtë projekt, me detajimin përkatës. Financimi për vitin 2024 është 104,000,000 Lekë me TVSH.
Në këtë dokument, zbulohet edhe një tjetër e dhënë që ngarkon me përgjegjësi Autoritetin Rrugor Shqiptar. Ky institucion, ka tentuar të heq përgjegjësitë nga vetja, duke u shprehur se nuk mund të parashikonte mospërputhje midis projektit-faktit dhe preventivit.
ARRSH: Autoriteti Kontraktor nuk mund të parashikonte mospërputhjet midis projektit-faktit-preventivit, si dhe nevojave dhe domosdoshmërisë së ndryshimeve në funksion të përdoruesve të rrugës.
Është pikërisht kjo fjali, që nuk duhet të anashkalohet nga SPAK, pasi Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Ministrja e Infrastrukturës, pranuan që në fillim një projekt të falsifikuar, me kosto të fryra dhe mbi të gjitha shkelën ligjin, duke pranuar si mbikqyrës kompaninë që supozohet se hartoi projektin në terren.
ARRSH, për të gjitha falsifikimet korruptive me pasoja të rënda të Entela Çanos, u vu në dijeni nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, Agjencia e Prokurimit Publik dhe inxhinieri Romeo Nazarko, ku veçanërisht ky i fundit, paralajmëroi të gjithë këtë skandal deri me padi në SPAK.
Belinda Balluku dhe ARRSH, në vend që të kërkonin llogari ndaj Entela Çanos dhe kompanisë ANK për falsifikimin e projektit të rrugës Korçë-Ersekë, që çoi në një seri problemesh, i shpërblyen të dyja kompanitë duke u dhën gjithashtu një projekt të përbashkët, ndërtimin dhe supervizimin e lotit të katërt të autostradës Elbasan-Tiranë.
Kompania ANK do të paguhet përsëri 25 milionë euro për ndërtimin e rreth 4 kilometrave rrugë, ndërsa Entela Çano do të mbikqyr punën në këto katër kilometra, duke përfituar rreth 300 mijë euro pagesa









