Procesi për zgjedhjen e Avokatit të ri të Popullit është përfshirë nga tensione të larta politike, teksa Partia Demokratike ka akuzuar mazhorancën socialiste për një skenar të paracaktuar dhe ka ndërmarrë një hap drastik duke tërhequr mbështetjen për të gjithë kandidatët.
Nga foltorja e Kuvendit, deputet i opozitës Belind Këlliçi deklaroi se, PD ka tërhequr firmat e saj për të 26 kandidaturat në garë, duke e cilësuar procesin një “farsë”. Sipas tij, mazhoranca po zbaton një plan për të zgjedhur kandidatin e saj të preferuar, Endri Shabani, të cilin e quajti “lepuri i Surelit” i këtij procesi.
“Heqjen e të gjitha firmave të deputetëve të Partisë Demokratike për të gjitha kandidaturat që janë paraqitur para Komisionit të Ligjeve për të garuar për pozicionin e Avokatit të Popullit. Në listën e kandidaturave janë 26 kandidatura, por sigurisht aty ndodhet dhe lepuri i Surelit, në këtë rast Endri Shabani, i cili sot po plotëson dhe po çon deri në fund skenarin e kësaj mazhorance, të paralajmëruar javë më parë në këtë foltore, se Avokatin e Popullit këtë radhë do ta merrte Partia Socialiste.
Është thënë këtu në këtë foltore nga deputetë të kësaj mazhorance, në mos gaboj ka qenë i pari Erion Mile, që e ka thënë, më pas ka qenë Ulsi Manja. Që të jemi të qartë për qëndrimin tonë. Qëndrimi ynë është i prerë. Sot që ne flasim, asnjë nga 26 kandidaturat për Avokat Popullit nuk i ka firmat e deputetëve të Partisë Demokratike për të garuar në këtë pozicion.
Nëse i riktheheni precedentit të vitit 2022 në këtë sallë, keni pranuar tërheqjen e firmave gjatë seancës plenare, jo më një javë përpara procesit. Ka qenë rasti i votimit të Avokatit të Popullit dhe janë tërhequr në këtë sallë firmat për Ledio Braho, Dorian Gjomarkaj dhe një kandidaturë të tretë Bledar Dervishin dhe e keni pranuar po ju, kjo mazhorancë.
Kështu që, qëndrimi ynë sot është i qartë. Partia Demokratike nuk merr pjesë fare në këtë farsë, për sa kohë nuk tërhiqni emrin e Endri Shabanit nga lista e propozimeve. Kandidaturat zyrtare të Partisë Demokratike, në zbatim dhe të vendimit të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, janë zonja Adriana Kalaja dhe zoti Besim Ndregjoni.
Ne jemi të gatshëm që nëse kemi 5 minuta apo 10 minuta kohë dhe marrim pushim në këtë seancë, të mbledhim firmat për të paraqitur zyrtarisht një kandidaturë apo dy në emër të opozitës, por tani që ne flasim, asnjë prej kandidaturave që ju kërkoni të hidhni në votim ditën e sotme, nuk është e ligjshme për t’u kaluar në votim.
Kjo është lista me 44 firma të deputetëve të Partisë Demokratike dhe është absurde që ju vijoni të çoni skenarin e kapjes së institucionit të Avokatit të Popullit përpara. Kemi njoftuar të gjitha institucionet ndërkombëtare, të gjithë selitë diplomatike në vend për këtë…
Dhe duke marrë parasysh edhe progres-raportin e fundit, sigurisht ky është një shqetësim përsa i përket akaparimit edhe të institucioneve kushtetuese nga persona me peshë politike dhe dukshëm në këtë rast kemi të bëjmë me një ish-kryetar partie dhe me një funksionar në Këshillin Bashkiak. E them dhe njëherë, Endri Shabani nuk përfaqëson vullnetin e Partisë Demokratike dhe kandidaturat tona janë zonja Adriana Kalaja dhe zoti Besim Ndregjoni”, u shpreh Këlliçi.









