Rrit rrezikun e pastrimit të parave”, BE e shqetësuar për ‘Paqen Fiskale’ në prag të votimit në parlament
Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë shpreh shqetësime serioze mbi efektet e “Paqes Fiskale”. Në prag të votimit në parlament të nismës që i hap rrugën faljes masive të borxheve dhe rishikimin e detyrimeve tatimore për bizneset, BE paralajmëron qeverinë mbi rreziqet e nismës.
“Komisioni theksoi shqetësime serioze që lidhen me dekurajimin e përmbushjes tatimore dhe përsëriti nevojën për vendosjen e masave të forta kundër pastrimit të parave brenda këtij propozimi, ndërkohë që vazhdon angazhimin për uljen e numrit të madh të përjashtimeve tatimore”, tha për Faktoje.al, zyra e Delegacionit të Bashkimit Evropian.
Për BE-në, këto shqetësime duhet të adresohen përpara se nisma të konsiderohet e qëndrueshëm në kontekstin e integrimit evropian. Delegacioni thekson se çdo amnisti apo program vullnetar për përmbushjen tatimore duhet të jetë në përputhje me standardet ndërkombëtare, duke mos cenuar luftën kundër krimit të organizuar.
“Shqipëria të sigurojë që ‘amnistitë e mundshme dhe programet vullnetare për përmbushjen tatimore të jenë në përputhje me planet e vendit, të avancojnë luftën kundër krimit të organizuar dhe të jenë në përputhje me acquis-në përkatëse të BE-së dhe standardet ndërkombëtare, si ato të përcaktuara nga Moneyval dhe FATF”, përfundon reagimin zyra e Delegacionit të BE-së në Tiranë.
Nisma pa dakordësinë e BE-së
Qendrimi i Brukselit pak orë para se Parlamenti të votojë “Paqen Fiskale” sfidon edhe qëndrimin e Ministrit të Financave, Petrit Malaj, i cili më herët ka lënë të kuptohet se nisma është dakordësuar me Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bashkimin Evropian.
“Në frymën e transparencës ky projekt është konsultuar me FMN, e cila është dakord me këtë projekt, nuk e ka kundërshtuar fshirjen dhe legalizimin. Po ashtu, edhe me Bashkimin Europian jemi konsultuar”, deklaroi Malaj gjatë emisionit E Zone në Vizion Plus.
Deklarata bie ndesh me informacionin zyrtar të Delegacionit, sipas të cilit shqetësimet e BE-së mbeten të pazgjidhura. Nisma sipas tyre nuk ka përputhshmëri të plotë me standardet europiane për administrimin fiskal dhe luftën kundër pastrimit të parave.
Ndryshe nga sa deklaron ministri, qeveria nuk është konsultuar me Brukselin për “Paqen Fiskale”. Në qershor të këtij viti, në një reagim për Faktoje.al Komisioni Europian paralajmëronte qeverinë se nisma mund të ndikonte në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë.
“Ne nuk jemi konsultuar nga autoritetet shqiptare për këtë propozim”, tha asokohe një zëdhënës i Komisionit Europian për Faktoje.al.
Madje, edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar u shpreh kundër nismës. Në vizitën e fundit zyrtare, në krah të ministrit, shefja e misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar Anke Weber tha se “kemi shqetësimin se disa prej elementeve të propozimit mund të minojnë progresin e fundit të Shqipërisë në administrimin e tatimeve dhe të krijojnë disa rreziqe për përmbushjen dhe drejtësinë fiskale”.
“Lavatriçe për pastrimin e parave”
Plani për “Paqen Fiskale” është kundërshtuar ashpër edhe nga opozita. Deputetja demokrate, Jorida Tabaku, i ka adresuar rreziqet e nismës pranë Komisionit dhe Parlamentit Europian.
“Kjo amnisti hap dyer për pastrim parash, dobëson sigurinë ekonomike dhe minon besimin që investitorët ndërkombëtarë duhet të kenë tek Shqipëria. Qëndrimi im është i qartë – asnjë lëshim për informalitetin”, argumenton Tabaku.
Sipas saj, “Paqja Fiskale” është lavatriçe shtetërore për pastrimin e parave të krimit dhe korrupsionit, duke shpërblyer mashtruesit dhe evazorët, ndërsa rëndon barrën mbi bizneset e ndershme dhe qytetarët që paguajnë çdo ditë taksat.
Kundërshti ka shprehur edhe Dhoma Amerikane e Tregtisë. Bizneset amerikane kanë kritikuar qeverinë për mungesën e konsultimeve publike si dhe mungesën e transparencës për dy projektligjet që pritet t’u falin bizneseve miliarda euro detyrime, gjoba dhe kamatëvonesa.
Nga ana tjetër, ekspertët e ekonomisë dhe financave e kanë cilësuar nismën si një sinjal të gabuar dhe të rrezikshëm.
Ish-drejtori i Tatimeve, Artur Papajani, e quan fshirjen masive të borxheve një ndëshkim për bizneset që kanë qenë korrektë ndër vite.
Ndërsa audituesi ligjor Julian Saraçi shkon më tej, duke e përshkruar si një kapitullim të shtetit përballë informalitetit të toleruar. Sipas tij, kjo nuk është një marrëveshje, por një shpëlarje faji për dështimet institucionale në mbledhjen e borxheve.









