Diaspora për Shqipërinë e Lirë i drejtohet Presidentit Trump: Ndërhy kundër ligjit për ‘Gjinitë’

Diaspora për Shqipërinë e Lirë i drejtohet Presidentit Trump: Ndërhy kundër ligjit për ‘Gjinitë’

Organizata Diaspora për Shqipërinë e Lirë i ka drejtuar një letër Presidentit Trump, duke i kërkuar ndihmën e Shteteve të Bashkuara për të ndaluar implementimin e ligjit për ‘Gjinitë’ në Shqipëri.

Letra është nënshkruar nga Florian Haçkaj, një nga drejtuesit e organizatës, dhe është bërë publike edhe në rrjetet sociale.

Në mesazhin e tij, Haçkaj shprehet se ligji në fjalë përbën një kërcënim serioz për rendin kushtetues dhe për vlerat tradicionale të shoqërisë shqiptare.

President Trump, populli shqiptar kërkon ndihmën tuaj dhe të SHBA-së që Shqipëria të rikthejë në ligj dy gjinitë natyrore, mashkull e femër, dhe të mbrojë rendin kushtetues, të drejtat prindërore, lirinë e besimit dhe të shprehjes’, thuhet në mesazhin e publikuar nga Florian Haçkaj.

Sipas përfaqësuesve të Diasporës për Shqipërinë e Lirë, ligji për ‘Gjinitë’ është miratuar pa një debat të gjerë publik dhe pa konsultim real me qytetarët, ndërsa konsiderohet se bie ndesh me traditën kulturore, familjen dhe parimet themelore të shoqërisë shqiptare.

Letra synon të tërheqë vëmendjen e Presidentit Trump dhe të institucioneve amerikane mbi ligjin e ri shqiptar për ‘Barazinë Gjinore (2025)’, të cilin organizata e konsideron si një rrezik serioz për rendin kushtetues, liritë themelore dhe të drejtat demokratike në Shqipëri.

Në thelb, letra përmban këto pika kryesore:

Kundërshtimi i përkufizimit të ‘gjinisë’

Ligji, sipas autorëve, e shkëput gjininë nga seksi biologjik dhe e përkufizon si identitet subjektiv, fluid dhe të vetëdeklaruar, me pasoja ligjore në arsim, punësim, media dhe politika publike. Kjo, sipas tyre, nuk kërkohet nga BE-ja, nuk parashikohet nga Kushtetuta shqiptare dhe nuk buron nga asnjë traktat ndërkombëtar detyrues për Shqipërinë.

Cenimi i lirisë së shprehjes, medias dhe arsimit

Ligji akuzohet se:

imponon terminologji ideologjike në institucione dhe media,

kufizon kritikën dhe mospajtimin gazetaresk,

detyron kurrikula ideologjike në arsim,

kufizon mësimin fetar dhe lirinë e ndërgjegjes,

parashikon sanksione civile, administrative apo penale për moszbatim.

Shkelja e të drejtave prindërore dhe fetare

Letra thekson se ligji ndërhyn në të drejtën e prindërve për edukimin e fëmijëve dhe në të drejtën e komuniteteve fetare për të shprehur doktrinën e tyre mbi identitetin mashkull–femër.

Kontradiktë me parimet kushtetuese amerikane dhe qëndrimet e Presidentit Trump

Autorët i referohen faktit se Presidenti Trump ka riafirmuar standarde të bazuara në seksin biologjik në politika federale amerikane, duke argumentuar se ligji shqiptar shkon në drejtim të kundërt me këto parime demokratike dhe kushtetuese.

Kërkesë për vëmendje dhe mbështetje morale, jo ndërhyrje sovrane

Diaspora thekson se nuk kërkon ndërhyrje në sovranitetin e Shqipërisë, por:

njohje zyrtare të letrës,

shqyrtim të çështjes në kuadër të angazhimit amerikan për demokracinë dhe të drejtat e njeriut,

nxitje të Departamentit të Shtetit dhe Ambasadës së SHBA në Tiranë për të monitoruar situatën.

Share it :