Paqja fiskale”/ BIRN: Mazhoranca injoroi shqetësimet për pastrimin e parave
Kuvendi votoi mbrëmjen e së enjtes Buxhetin 2026 dhe Paketën Fiskale që e shoqëronte, ku parashikohen dy nisma për falje dhe shuarje të detyrimeve ndaj tatimeve dhe doganave dhe “Marrëveshjen e paqes fiskale”, një amnisti për fitimet e padeklarura të subjekteve tregtare.
Paqja fiskale” parashikon që bizneset mund të deklarojnë fitimet e mbajtura jashtë bilanceve financiare, kundrejt një tatimi që varion nga 5 deri në 15 përqind.
Nismat u kontestuan gjërësisht nga opozita, Komisioni Europian, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Dhoma Amerikane e Tregtisë, duke i konsideruar ato si një rikthim tek ideja e vjetër e ‘amnistisë fiskale’, një nismë e cila u refuzua nga Bashkimi Europian.
Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë ka shprehur shqetësime serioze lidhur me propozimin e qeverisë shqiptare për “Paqen Fiskale”, duke theksuar nevojën për masa mbrojtëse kundër pastrimit të parave dhe uljen e përjashtimeve tatimore.
Në një përgjigje ndaj interesit të mediave, Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë tha para disa ditësh se gjatë një takimi me qeverisë shqiptare në vjeshtë, Komisioni Europian kishte theksuar “shqetësime serioze që lidhen me dekurajimin e pajtueshmërisë tatimore dhe përsëriti nevojën për vendosjen e masave mbrojtëse të forta kundër pastrimit të parave në propozim, ndërkohë që vazhdon të angazhohet në uljen e numrit të madh të përjashtimeve tatimore”.
Edhe drejtuesja e FMN-së, Anke Weber shprehu shqetësimin se “disa prej elementeve të propozimit mund të minojnë progresin e fundit të Shqipërisë në administrimin e tatimeve dhe të krijojnë disa rreziqe për përmbushjen dhe drejtësinë fiskale”.
Mazhoranca refuzoi dhjetra amendamente që erdhën nga deputetët e opozitës dhe nga deputeti socialist, Erion Braçe, duke miratuar variantin e ardhur nga qeveria. Amandamentet kërkonin kryesisht përfshirjen e mekanizmave të transparencës për përfituesit e faljes dhe shuarjes së detyrimeve dhe hetimin e burimit të parave që do të rideklaroheshin dhe përjashtimin nga falja të kompanive që përfitojnë kontrata konçensionare.
Duke kundërshtuar nismën, deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, tha në Kuvend se “paqja fiskale është një kanal zyrtar për pastrimin e parave” dhe se “BE nuk e mbështet”.
Ndërkohë, mazhoranca me propozim të kreut të grupit, Taulant Balla rrëzoi një ndryshim të miratuar nga Komisioni i Ekonomisë si propozim të deputetit Braçe që parashikonte se kompanitë që do të përfitojnë nga paqja fiskale duhet të deklarojnë burimin e parave dhe pronarin përfitues.
Braçe i mbrojti propozimet e tij si një filtër ndaj evazionit fiskal.
PS rrëzoi gjithashtu propozimet e deputetit demokrat Enno Bozdo që kërkonin publikim të listës së përfituesve nga falja e detyrimeve, përjashtimin nga falja të kompanive që zotërohen nga individë që nëpërmjet kompanive të tjera në pronësi të tyre, kanë përfituar fonde publike.
Edhe propozimet e deputetëve të partisë “Mundësia” Agron Shehaj dhe Erald Kapri që kërkonin të përjashtojeshin subjektet që janë të përfshirë në hetim apo të dënuar në kushtet e krimit të organizuar apo narkotrafikut, nuk u pranuan.
Me debate u shoqërua dhe projektligji tjetër “Për fshirjen, shuarjen dhe pagesën e detyrimeve tatimore ndaj administratës tatimore qendrore e të detyrimeve të pagueshme në doganë”, që parashikon fshirjen e plotë të detyrimeve për ato borxhe që kanë mbi 10 vite të papaguara.
Për detyrimet që i përkasin periudhës 1 janar 2015 deri më 31 dhjetor 2019, tatimpaguesit mund të përfitojnë shuarje të pjesshme me kushtin nëse paguajnë 50% të detyrimit deri më 30 qershor 2026 dhe kush paguan 75% të detyrimit deri më 31 dhjetor 2026 me këste mujore, 25% e mbetur i fshihet automatikisht.
Gjobat dhe kamatvonesat për periudhat përkatëse fshihen plotësisht për të gjitha kategoritë.
Sipas bilancit të qeverisë rezulton se ka 202 387 tatimpagues debitorë me detyrime tatimore të papaguara në shumën 162 miliardë lekë, ndërsa sqarohet se në falje nuk do të përfshihen detyrimet e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.
Buxheti 2026 ndërkohë u miratua me disa ndryshime në zërat e shpenzimeve sipas propozimeve të komisioneve përkatëse parlamentare, pas shqyrtimit dhe dëgjesave me institucionet e pavarura, por amendimet e opozitës nuk u pranuan as për ligjin e Buxhetit.
Kryetarja e Komisionit të Ekonomisë, Milva Ekonomi, tha se këto amendamente cënonin parametrat fiskalë, pasi rrisnin me 278.9 miliardë lekë shpenzimet. /Reporter.al









