S’ka ndodhur kurrë më parë”/Argumentet e 3 gjyqtarëve kundër Ballukut në Kushtetuese

S’ka ndodhur kurrë më parë”/Argumentet e 3 gjyqtarëve kundër Ballukut në Kushtetuese

Si arsyetuan ata që mendonin se pezullimi i Ballukut dihej të mbetej në fuqi

Në një mbledhje që zgjati rreth 2 orë Gjykata Kushtetuese vendosi të rikthejë në detyrë zëvendëskryeministren Belinda Balluku deri në marrjen e një vendimi përfundimtar. Në favor të kërkesës së qeverisë votuan 5 anëtarët: Sonila Bejtja, Fiona Papajorgji, Genti Ibrahimi, Sandër Beci dhe Marjana Semini ndërsa kundër, Marsida Xhaferllari, Asim Vokshi dhe Ilir Toska.

Shumica që e ktheu Ballukun në detyre argumentoi se pezullimi i saj “rrezikon të sjellë pasoja që prekin interesat shtetërore gjatë ushtrimit të kompetencave kushtetuese të pushtetit ekzekutiv në drejtim të përcaktimit të politikave të përgjithshme shtetërore”.

Por në vendimin e zbardhur të Gjykatës Kushtetuese është edhe mendimi i pakicës. Sipas tre gjyqtarëve, ky argumentim nuk qëndron “pasi nuk verifikohet prania e pasojave të pariparueshme në masë të rëndë, pra në atë masë që të shkojë përtej masës normale të kufizimit, në veçanti në pikëpamje të urgjencës”.

Tre gjyqtarët thonë se argumenti i qeverisë se “Këshilli i Ministrave del jashtë funksionit për shkak të pezullimit nga detyra të një prej anëtarëve të tij, nuk është bindës për sa kohë bëhet fjalë për organ kolegjial, i cili i merr vendimet në mënyrë kolegjiale, me shumicën e votave”.

Xhaferllari, Vokshi dhe Toska shprehen se qeveria “nuk tregon që nuk ka mjete të tjera në dispozicion më pak të dëmshme për të adresuar situatën e krijuar”.

Pakica në mbledhjen e Kushtetueses shprehet se kjo Gjykatë nuk ka vendosur asnjëherë më parë të pezullojë ekzekutimin e vendimeve gjyqësore, jo vetëm kur janë ende në ankim e sipër nga palët, por edhe kur ato janë bërë përfundimtare për efekt të kontrollit kushtetues, pra kur kanë ezauruar rrugën e rregullt të ankimit gjyqësor në gjykatat më të larta.

“Megjithatë rasti konkret është edhe më delikat, pasi bëhet fjalë për vendime gjyqësore të cilat janë ende në proces kontrolli nga sistemi i gjykatave të zakonshme, aktualisht në gjykatën e posaçme të shkallës së dytë. Në këtë pikëpamje, vendimet gjyqësore duhet të ndjekin rrugën ligjore procedurale të ankimit në gjykatat e zakonshme dhe ndërhyrja nga Gjykata me vendim për pezullimin e efekteve të tyre në vetvete dëmton mirëadministrimin e drejtësisë” – shprehen në qëndrimin e tyre 3 gjyqtarët e kushtetueses.

Sipas tyre, kjo bie ndesh me kushtetutën që mbron integritetin e veprimtarisë së gjykatave nga çdo ndërhyrje gjatë kohës që çështja është në juridiksion gjyqësor.

“Nën këtë optikë, ne gjyqtarët në pakicë çmojmë se në kontekstin e fakteve të paraqitura nga kërkuesi, pezullimi i vendimeve gjyqësore të shkallës së parë, që presin të shqyrtohen në apel shkakton pasoja të tilla, që jo vetëm nuk zgjidhin ndonjë mosmarrëveshje kushtetuese, por dëmtojnë ekuilibrin e drejtë kushtetues që duhet të ekzistojë midis interesave që janë të pranishëm në çështjen konkrete” – shprehen gjyqtarët në pakicë.

Marsida Xhaferllari dhe Asim Vokshi çmojnë se vendimi i GJKKO nuk duhet të ishte pezulluar edhe për faktin se ishin kundër kalimit të çështjes së kërkuar nga Rama për shqyrtim në seancë plenare, me argumentin se nuk plotësohen kriteret paraprake të pranueshmërisë.

Përveçse këto argumenta nuk u morën parasysh ajo që bëri përshtypje qe se pa kaluar vetëm pak orë nga vendimi i publikuar në faqen e Gjykatës Kushtetuese ai hyri në fuqi me botimin në Fletoren Zyrtare. Është një rast i paprecedentë që një vendim i Kushtetueses të zbardhet brenda pak orësh për më tepër që ishte edhe mjaft kompleks. (VENDIMI I PLOTE)

©LAPSI.al

Share it :