Dështimet për lavdi e prestigj të Edi Ramës janë kosto që e paguajnë shqiptarët!

Dështimet për lavdi e prestigj të Edi Ramës janë kosto që e paguajnë shqiptarët!

Nga Enver Bytyci

Sociologu i shquar i politikës, Max Weber, ka shpjeguar se politika dhe politikanët synojnë pushtetin. Ndryshe nuk do të quheshin të tillë. Porse ai thekson se ka dy lloj politikanësh: – Në njërën anë politikanë që synojnë pushtetin dhe vijnë në pushtet për të punuar për interesat e qytetarëve dhe të vendit. Nga ana tjetër, politikanë që vijnë në pushtet për interesat e veta, për të vënë pasuri e për të patur prestigj. Në historinë politike të Shqipërisë dhe të shqiptarëve kjo kategoria e dytë e politikanëve ka qenë më shumë e pranishme, sesa ajo kategoria e parë. Pra. Politikanët e makutërisë dhe të “prestigjit” në bollëk kanë qenë më të shumtët. Ndërsa politikanët që i kanë shërbyer vendit dhe qytetarëve më të paktët. Natyrisht që edhe ata që i shërbejnë vendit dhe qytetarëve bëjnë gabime, tërhiqen në raste të caktuara nga ndonjë interes personal ose partiak. Por kur në shumicën e rasteve vihen në funksion të interesit të vendit e të kombit, pra edhe të qytetarëve, ata bëhen personazhe pozitive të politikës.

Edi Rama është politikani sui generis i politikës shqiptare jo vetëm prej themelimit të shtetit e deri më sot, por edhe në historinë e gjatë politike në shekuj. Është politikani më i përkushtuar për të bërë pasuri e njëkohësisht për të arrit kuotat më të larta të prestigjit në historinë e Shqipërisë. Për nga pasuria ai matet me miliarderët, për nga prestigji ai kërkon të sfidojë edhe Skënderbeun, Nënë Terezën apo Ibrahim Rugovën. E sheh kudo, duke orkestruar foton e samitit të NATO-s, duke e kapur për xhakete presidentin amerikan dhe duke i folur atij me këmbë e duar si manekin. E sheh me atlete, me kollare unike shumëngjyrëshe, me pamje kllouni e me brekushe, me dajre dhe me timon në dorë. Mjafton të tërheqë vëmendjen e publikut e mundësisht të personaliteteve dhe medieve më prestigjioze të botës, sidomos asaj perëndimore.

Edi Rama gjatë gjithë kohës në pushtet si ministër, kryetar i Bashkisë së Tiranës apo prej 13 vitesh kryeministër i vendit asnjë minutë nuk ka menduar për qytetarin, por vetëm për prestigjin dhe pasurinë e tij personale e familjare. Më 2 dhjetor të këtij viti, kur u ul fluturimi ZB 1003 në Rinas mori fund historia 7 vjeçare e linjës ajrore “Air Albania”! Ky ishte fluturimi i fundit i kësaj kompanie. Por ne na kujtohet se si në vitin 2017 kryeministri i Shqipërisë e themeloi me urgjencë dhe tam – tame të mëdha këtë linjë. Na kujtohen emrat e Naimit, Migjenit, Lasgushit apo Fan Nolit, me të cilët ai mburrej se po i përjetësonte ata. Në fakt donte të përjetësohej vetë emri i tij. Ishte një krijesë e pabazuar në kritere dhe kushtet e ekonomisë së tregut, ndaj dhe sot Air Albania u zhduk, nuk ekziston më. Prestigji i 2017 u shndërrua në një zhgënjim të madh dhe në dështimin e turpshëm të kryeministrit të Shqipërisë, po ashtu kosto për shqiptarët. Sa miliona euro ka shpenzuar kryeministri ynë me Air Albanian në dispozicion?!

Në ndjekje të lartësive të lavdisë dhe të pushtetit, në përpjekje për t’u dukur si “më i madhi”, “më i zoti”, “më i përkushtuari”, “më i gjati”, e kemi parë Edi Ramën në kryqëzimin e superstrave në Kashar, tek përshëndeste bashkë me Belën kalimin e makinave me shpejtësinë 130 km në orë. Ishte një rrahje gjoksi, aq sa na mbushi mendjen edhe ne skeptikëve, se kësaj radhe vërtet kishte bërë një punë cilësore. Por kaluan vetëm pak vite dhe atë 20 km autostradë, siç quhet, janë kthyer në ferrin e automjeteve dhe drejtuesve të tyre. Duket qartë se vepra u vu në punë pa u koaliduar. Sepsepër Ramën nuk ka rëndlsi cilësia e rrugëve, pallateve, projekteve! Me rëndësi është fasada, me të cilën kryeministri mburret në ndjekje të instinktit të tij për prestigj. Të njëjtën gjë mund ta thuash për Plloçën, ose për çdo segment rruge që ai mundi ta plotësonte, pasiqë shumica prej tyre ishin nisur prej Sali Berishës.

Mburrja më e madhe e Edi Ramës janë samitet e ndërkombëtarëve, sidomos atyre evropianë në Tiranë. Ka mundur të lobojë dhe të organizojë disa sosh gjatë mandatit të tij si kryeministër. Është mburrur dhe ka ngritur gjoksin si gjel para shqiptarëve për atë që ka shfaqur në ekranet televizive. Por vetëm për prestigjin e tij. Shqipëria nuk ka përfituar as gjysmën e fondeve të Serbisë për zhvillimin ekonomik, social e kulturor të saj. Madje janë më shumë se 100 milion euro që Edi Rama duhet t’ia kthejë Bashkimit Evropian, si para të vjedhura e të shpërdoruara për bujqësinë. Vetëm Beketit duhet t’i paguajë 130 milionë euro si gjobë për teket e tij në kërkim të prestigjit në duelin me Agon Channel.

Ndaj dhe lavdinë e prestigjin e Edi Ramës shqiptarët e paguajnë me taksat e tyre e madje pa guxuar që t’i kërkohet llogari atij për këto marifete anti-shqiptare!

Share it :