Intrigat e një betejë të heshtur; Rama, SPAK dhe Uncle SAM

Intrigat e një betejë të heshtur; Rama, SPAK dhe Uncle SAM

Klodian Tomorri
I sigurtë se pushteti i tij ishte i pacënueshëm përballë një opozite impotente, por edhe i inkurajuar ndoshta nga ndryshimet e mëdha në politikën e jashtme amerikane pas fitores së Donald Trump, Edi Rama nisi të këndojë një këngë të rrezikshme, përpara zgjedhjeve të këtij viti. Atë se padroni i reformës në drejtësi ishte vetëm ai.

“Këta thonë Amerika e solli këtë, po tani që Amerika ka dalë nga rreshti, për arsyet e veta, kush është garanti i drejtësisë së re, Afrimi apo Largimi? Vetëm Partia Socialiste,” u deklaronte kryeministri vartësve të tij në mbledhjen e grupit Parlamentar.

Madje në dialogjet sy më sy më popullin, kryeministri shkoi edhe më larg, duke njoftuar se amerikanët e kishin braktisur SPAK-un.

“Amerika i kishte njerëzit e vet, që asistonin SPAK-un. Shkonin, hynin e dilnin në mëngjes dhe pasdite atje tek stacioni i Trenit. Nuk janë më. I ka tërhequr Amerika!” deklaronte Rama në shkurt të këtij viti.”

Dhe meqë fjala është tek amerikanët, ata kanë një shprehje për kësi rastesh; This didn’t age ëell.

Pyetja “ku i keni amerikanët”, që Edi Rama përsëriste thuajse me vetkenaqësi para zgjedhjeve, mori një përgjigje thuajse asgjësuese javën që shkoi, teksa duart e gjata të qeverisë për të ndikuar zgjedhjen e drejtuesit të SPAK u prenë gati dhunshëm.

I vetmi vend ku amerikanët nuk janë prej disa kohësh është vetëm zyra e Edi Ramës. Por për shqiptarët ata janë gjithmonë aty.

Por kjo është një lojë me shumë lojtarë. Doktori i pazbutur, që Altin Dumanin e bënte një herë ushtar të Ymer Lalës dhe një herë tjetër fis me Troplinët, ka filluar të moderohet dhe SKAPI nuk është më vetëm SKAP, por edhe SPAK, ndërsa zgjedhja e Klodian Brahos në krye të Prokurorisë së Posaçme ishte një proçes plotësisht kushtetues. Ndoshta edhe ne postën e Doktorit ka mbërritur ndonjë mesazh i shkurtër nga përtej oqeanit me përmbajtjen “Vazhdimi i sulmeve ndaj SPAK, nuk është ide e mirë.”

Megjithatë, përtej prapaskenave politike, debati dominant në opinionin publik gjatë këtyre ditëve mbetet ai se pse Shtetet e Bashkuara preferonin Klodian Brahon në krye të SPAK dhe pse prokurori nga Skrapari perceptohej si ai që ishte më larg ndikimit të qeverisë?

Sigurisht, përballë një kandidati fijet e të cilës çonin tek Balluku, një tjetri që lobohej nga qeveria dhe grupimet e fuqishme të biznesit, si dhe një tjetri që nuk e dinte as vet se pse ishte në garë, zgjedhja ishte natyrale.

Përtej kësaj Braho kishte dhënë publikisht prova se nuk zbatonte me verbëri direktivat e qeverisë, kur kthehu mbrapsht mesazhin “shefi e do në burg Arben Ahmetajn,” që iu dërgua përmes një deputeti nga Durrësi, mik për kokë me të. Ky është një sekret tashmë publik në Tiranë.

Por jo vetëm kaq. Prokurori i ftohtë nuk kishte kursyer as një koleg të tij, të cilin thuhet se e kishte edhe më shumë se aq, në dosjen e famshme Toyota Auris.

Për fatin e mirë të shqiptarëve amerikanët u gjendën sërish pranë Shqipërisë, duke mos e lënë SPAK-un të binte në dorën e qeverisë. Kjo do të ishte jo vetëm e rrezikshme, por edhe fatale për projektin e tyre dhe fatet e Shqipërisë. Tani pikëpyetja e madhe është ajo se çfarë ndodhë më tej.

Altin Dumani tashmë ka fituar medaljen e njeriut, i cili shembi mitin e pandëshkueshmërisë në Shqipëri. Kjo u pa qartë edhe në falënderimin publik që Shtetet e Bashkuara i bënë në mbylljen e mandatit të tij. Por vetëm kaq. Mandat të dytë dhe foto takimesh në SHBA nuk ka. Sepse me sa duket as kjo nuk ishte mjaftueshëm dhe ndoshta steka duhet të shkojë më lart.

Pyetja është se çfarë mund të bëjë më tej Klodian Braho? Dhe indicien e parë, drejtuesi i sapozgjedhur i SPAK e dha që në paraqitjen e platformës së tij, kur tha se BKH duhet t’i bëjë vetë arrestimet. Ky është një ndryshim shumë i rëndësishëm për të hequr nga rruga e SPAK, qeverinë dhe policinë, të cilat kanë dekonspiruar jo pak aksione.

E sigurtë është se SPAK do të vazhdojë të përballet me kritika dhe sulme publike. Shqipëria do të jetë herë republika e prokurorëve dhe herë vendi ku SPAK operon me dy standarde. Por dilema më e madhe mbetet ajo se për çfarë u ndërtua SPAK? Për të vënë drejtësi apo për të pastruar fushën e një klase politike, që e kishte kapur prej fyti Shqipërinë.

Eksperienca e Rumanisë, Kroacisë dhe shumë vende të tjera e ka përgjigjen. Me sa duket steka duhet të shkojë më lart. Dhe personi më i palumtur në të gjithë këtë nuk ka se kush të jetë tjetër përveçse Edi Ramës. Nëse rrethimit të amerikanëve do t’i shtohej edhe ai SPAK, ndoshta fabula që në Shqipëri jam vetëm unë mund të mos mjaftojë më.

Share it :