Rama nuk ndalet ndaj Drejtesise/ Ca trimosha të BKH-së më erdhën me “patllake” në Kryeministri!
Kryeministri Edi Rama ka komentuar një episod ku, sipas tij, agjentë të BKH kanë hyrë në godinën e Kryeministrisë, duke mos respektuar madje as rregulloren e sigurisë së lartë të Gardës së Republikës.
Në podkastin e tij “Flasim”, Rama theksoi se është koha për një reflektim serioz të drejtësisë, profesional dhe ndërinstitucional.
Sipas Ramës agjentët nuk pranuan as të linin tek dera “patllaken”, duke nënkuptuar armën.
“Por unë, nuk do ta ndjek kurresesi logjikën e mbrapshtë të dënimit me indicie, as në këtë rast, po do të mbetem tek bindja se këto dy indicie tejet shqetësuese nuk provojnë se protagonistëve të pavarësisë së drejtësisë u ka marrë koka erë dhe u është mbushur mendja se ata janë shteti, ligji e drejtësia, si puna e ca trimoshave të BKH-së, për të cilët kam dëgjuar shumë çudira, po kishin ardhur një ditë në godinën e Këshillit të Ministrave, e nuk donin ta linin patllakentek dera sipas rregullores së sigurisë së lartë, të Gardës së Republikës.
Pra, nuk dua kurresesi të them se ferrat e mendësive e sëmundjeve të vjetra, e kanë marrë uratën e drejtësisë së re, por dua të ndaj me të gjithë bindjen se ka ardhur koha e një reflektimi serioz, profesional dhe ndërinstitucional, për të ndarë beben e sapolindur nga ujërat e pistë, në një proces historik, ku duhet të garantojmë medoemos suksesin e Reformës në Drejtësi, duhet të garantojmë pavarësinë e gjyqësorit, po ku po ashtu, nuk mundet kurrësesi të lejojmë medoemos që kura të bëhet problem më i madh se sëmundja, duke rrezikuar liritë, të drejtat dhe frymëmarrjen e administratës e të ekonomisë së vendit”, tha Rama.









