SPAK-u dhe “dosja” e re, lufta për zyrën…….
Nga Av Arben Llangozi
Në SPAK ka plasur një konflikt i brendshëm që nuk ka lidhje me hetime apo dosje të bujshme, por me diçka shumë më konkrete dhe simbolike: zyra. Pas zgjedhjes së drejtuesit të ri të SPAK, z. Klodian Braho, rregulli administrativ dhe logjika institucionale janë të qarta.
Zyra që ka mbajtur z. Braho para zgjedhjes së tij i kalon z. Altin Dumani, ndërsa zyra e drejtuesit, ku deri tani ka qëndruar z. Dumani, i kalon drejtuesit të ri. Pra, jo vetëm funksioni, por edhe hapësira duhet të ndërrohet. Kjo është mënyra normale se si funksionon çdo institucion që respekton hierarkinë dhe vazhdimësinë.
Por, sipas burimeve pranë SPAK, ky shkëmbim i thjeshtë zyrash nuk është pranuar nga z. Dumani. Thuhet se ai ka refuzuar të marrë zyrën e mëparshme të z. Braho dhe i ka kërkuar kancelarisë një zyrë tjetër, konkretisht në zonën ku ndodhen zyrat e drejtuesve, të ashtuquajturit “shefa”. Me fjalë të tjera, konflikti nuk është për mungesë hapësire, por për vendndodhjen e saj.
Arsyet për këtë kërkesë, sipas të njëjtave burimeve, janë dy dhe të lidhura drejtpërdrejt me pozicionimin personal brenda institucionit. Së pari, zyra e z. Braho ndodhet pranë z. Arben Kraja, z. Adnan Xholi dhe z. Elvin Gokaj, prokurorë me të cilët z. Dumani thuhet se ka pasur konflikte dhe mosmarrëveshje. Prania në të njëjtin korridor, derë më derë, shihet si e papranueshme, çka e kthen hartën e zyrave të SPAK në një hartë marrëdhëniesh personale, jo funksionesh.
Së dyti, dhe ndoshta arsyeja më domethënëse, z. Dumani kërkon të mbetet pranë zyrave të drejtuesve për arsye imazhi dhe ndikimi. Qëndrimi “pranë shefave” nënkupton vazhdimësi pushteti, dukshmëri dhe akses, sidomos në momentet kur në SPAK vijnë delegacione ndërkombëtare. Të jesh në atë korridor do të thotë të të shohin, të të takojnë dhe të të konsiderojnë ende si figurë qendrore, edhe pse formalisht drejtimi i institucionit ka kaluar te një tjetër.
Në thelb, konflikti për zyrën nxjerr në pah një problem më të thellë, vështirësinë për të ndarë postin nga simbolika e pushtetit. Në një institucion normal, zyra ndjek funksionin. Kur funksioni ndryshon, ndryshon edhe dera. Në SPAK, të paktën sipas këtyre raportimeve, dera duket se peshon po aq sa posti, në mos më shumë.
Nëse zyra e z. Braho duhet logjikisht t’i kalojë z. Dumani dhe zyra e drejtuesit t’i kalojë z. Braho, atëherë çdo shmangie nga ky rregull e kthen SPAK-un nga një institucion që predikon standarde në një institucion që negocion privilegje. Dhe kjo, për një strukturë që ka në dorë besimin publik, është një luks që nuk duhet ta lejojë.









