Berisha: Rama ka marrë zemër sepse Kushtetuesja ka mbyllur çdo mundësi për hetimin e ministrave
Kryetari i PD, Sali Berisha deklaroi se Edi Rama ka marrë zemër pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila ka mbyllur çdo mundësi për hetimin penal të ministrave.
Berisha u shpreh se ky vendim i ka dhënë Ramës garanci të plotë se institucionet e drejtësisë nuk mund të veprojnë ndaj anëtarëve të qeverisë, duke bllokuar masën e vetme që kishte mbetur në dorë të prokurorisë pezullimin nga detyra.
“Kjo i dha zemër Edi Ramës.
Shikoni pse foli dje ai.
Ai foli dje sepse pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, mbyllet absolutisht çdo mundësi e institucionit të hetimit të hetojë ministra.
Ai mori garanci të plotë për këtë, sepse në rast se nuk ka pezullim, imunitetin dhe arrestimin ai nuk e lejon kurrë, siç nuk e lejoi në rastin e Saimir Tahirit.
Pra, ajo masë e vetme që u kishte ngelur në duar institucionit të prokurorisë, ishte pezullimi.
Dhe këtë, pasi pariti Gjykatën Kushtetuese gjer në tjegulla, e bllokoi një masë të tillë.
Një akt si ky nuk ka ndodhur kurrë.
Por unë kam bindjen më të thellë se qytetarët shqiptarë me datën 22 dhjetor do të mblidhen në Tiranë për t’i dhënë përgjigjen më të merituar vendimit të Edi Ramës për të mos lejuar hetimin e parave që ka vjedhur me Belinda Ballukun”, tha Berisha.








