Rama i ndërton urë personale Bamir Topit, u bllokon rrugën banorëve, kacavirren si në mesjetë..
Skandalet e kësaj qeverie duket se nuk njohin kufij. Jo vetëm vjedhje fondesh, por qytetarëve të Tiranës u është vjedhur edhe rruga për të ndërtuar një urë personale për një individ, politikanin Bamir Topi. Për shkak të ndërtimit të urës personale për Bamir Topin, banorët e Kodrës së Priftit duhet të kacavirren si në mesjetë duke rrezikuar edhe jetën. Ndërkohë, investimi miliona euro për këtë urë, mund t’i kishte dhënë zgjidhje infrastrukturës për të gjithë banorët e kësaj zone.
jo është situata me të cilën përballen çdo ditë qindra banorë të Tiranës. Edhe pse jetojnë në një zonë jo shumë larg qendrës së kryeqytetit, ata duhet të kalojnë në rrugën e improvizuar si në mesjetë.
Pas ankesës së banorëve të zonës, Syri Tv kreu një vëzhgim në terren, ku rezulton se banorëve të zonës së Kodrës së Priftit në Tiranë, u është bllokuar edhe rruga që përdornin deri dje, pasi duhej të ndërtohej një urë, që i shërben vetëm një personi, politikanit Bamir Topi.
Veç ndërtimit të urës miliona euro, institucionet janë kujdesur edhe të vendosin sinjalistikë rrugore, që të pengojnë kalimin për çdo banor të zonës.
Siç thonë edhe vetë banorët, nëse këto para do të ishin investuar siç duhet e gjithë zona do të kishte gjetur shpëtim për të gjithë, e jo vetëm për interesat e një personi.
Më herët në vendin ku është ndërtuar ura ishte një rrugë, e cila edhe pse jo me standardet e duhura, të paktën u shërbente këtyre banorëve që të lidheshin me pjesën tjetër të qytetit. Por në vend të rikonstruksionit të rrugës, në atë vend u zgjodh ndërtimi i një ure, duke u bllokuar aksesin të gjithë banorëve, të cilët tashmë duhet të kacavirren mes ferrave dhe këmbëve të urës, për të aksesuar infrastrukturën publike, e cila duhet të ishte e drejtë për të gjithë.









