Eksodi i të rinjve nuk ndalet/ Rritet numri i familjeve shqiptare të prekura nga emigracioni
Migracioni vazhdon të jetë një nga shtyllat kryesore që formëson ekonominë dhe shoqërinë shqiptare.
Sipas Anketës së Migracionit të Familjeve 2024, realizuar nga INSTAT në bashkëpunim me Bankën Botërore, rreth 37% e familjeve në Shqipëri kanë të paktën një anëtar që aktualisht jeton jashtë vendit ose ka migruar dhe është kthyer, duke konfirmuar përmasat masive dhe afatgjata të emigracionit shqiptar.
Anketa vlerëson se rreth 1.6 milionë shqiptarë jetojnë jashtë vendit, ndërsa mbi 108 mijë persona janë kthyer në Shqipëri gjatë 12 viteve të fundit, duke e bërë migracionin një cikël të vazhdueshëm dhe jo një fenomen të përkohshëm.
Sipas anketës rreth 22 për qind e familjeve kanë anëtarë aktualisht jashtë Shqipërisë, ndërsa 20 për qind kanë të paktën një migrant të kthyer.
Të dhënat tregojnë se emigracioni është kryesisht një fenomen i të rinjve në moshë pune, veçanërisht meshkuj. Gati tre të katërtat e emigrantëve aktualë janë meshkuj dhe shumica i përkasin grup-moshës 25–44 vjeç, pikërisht bërthama më produktive e tregut të punës.
Në aspektin arsimor, emigrantët janë më të arsimuar se popullsia që mbetet në vend: mbi dy të tretat kanë përfunduar arsimin e mesëm dhe rreth 18% kanë arsim të lartë, me diferenca të theksuara sipas vendit pritës. SHBA-ja dhe Gjermania tërheqin emigrantët më të arsimuar, ndërsa Greqia mbetet destinacioni kryesor për emigrantët me arsim më të ulët.
Para largimit, shumica e emigrantëve janë të punësuar në Shqipëri, por kryesisht në profesione me aftësi të ulëta ose të mesme dhe me paga më të ulëta se mesatarja.
Në të njëjtën kohë, pritshmëritë për jetën jashtë rezultojnë të fryra, emigrantët presin të fitojnë mesatarisht rreth 3,900 dollarë në muaj, por të ardhurat reale janë rreth 2,200 dollarë, ndërsa kursimet reale janë pothuajse trefish më të ulëta se sa ishin parashikuar.
Megjithëse emigracioni rrit ndjeshëm të ardhurat, emigrantët fitojnë mesatarisht 2.5 herë më shumë se sa në Shqipëri, përfitimet shoqërohen me pasiguri të konsiderueshme. Një në tre emigrantë punon pa kontratë të shkruar dhe mbi një e katërta nuk përfiton sigurime shoqërore apo pushime të paguara, duke e bërë punësimin më të pasigurt krahasuar me popullsinë vendase në vendet pritëse.
Një tjetër problem i theksuar është nënshfrytëzimi i kapitalit njerëzor, pasi rreth një e treta e emigrantëve aktualë dhe afro 80% e emigrantëve të kthyer me arsim të lartë punojnë në profesione që kërkojnë kualifikime më të ulëta se arsimi i tyre.
Remitancat mbeten një nga përfitimet më të drejtpërdrejta të emigracionit për ekonominë shqiptare. Rreth gjysma e familjeve me emigrantë kanë marrë remitanca gjatë vitit të fundit dhe për këto familje, dërgesat nga jashtë përbëjnë mesatarisht 41% të të ardhurave totale.
Megjithatë, anketa tregon se remitancat përdoren kryesisht për konsum bazë, si ushqimi, shpenzimet e përditshme dhe kujdesi shëndetësor, ndërsa investimet produktive në biznes apo bujqësi janë pothuajse të papërfillshme. Një tjetër problem është se vetëm rreth 30% e remitancave dërgohen përmes kanaleve formale, ndërsa pjesa më e madhe qarkullon përmes rrjeteve informale, duke kufizuar ndikimin e tyre në zhvillimin financiar dhe formalizimin e ekonomisë.
Anketa hedh dritë edhe mbi rikthimin e emigrantëve, një proces që është përshpejtuar vitet e fundit. Rreth 45% e emigrantëve të kthyer janë rikthyer pas vitit 2020, shpesh për arsye ekonomike ose për shkak të pasigurisë në vendet pritëse. Fillimisht, emigrantët e kthyer përballen me vështirësi në punësim, por me kalimin e kohës arrijnë norma punësimi më të larta se popullsia jo-emigrante. Vetëpunësimi shfaqet si një rrugë e rëndësishme riintegrimi, veçanërisht për gratë dhe për ata që kanë kaluar periudha të gjata jashtë vendit, duke treguar potencial për krijimin e vendeve të reja të punës.
Elsa Dhuli, Drejtoreshë e Përgjithshme e INSTAT, u shpreh: “Migracioni është një realitet strukturor për shoqërinë shqiptare dhe kjo pasqyrohet qartë edhe në shifrat e anketës. Mesazhi kryesor është i qartë: migracioni sjell njëkohësisht përfitime dhe kosto, dhe balanca mes tyre varet nga politikat që ndërmerren. Statistikat zyrtare të prodhuara nga INSTAT nuk janë thjesht një pasqyrim i realitetit, por një mjet konkret për vendimmarrësit. Ato duhet të shërbejnë për të identifikuar problematikat, për të orientuar ndërhyrjet publike dhe për të vlerësuar efektin e politikave, me qëllim që migracioni të kontribuojë më shumë në mirëqenien sociale dhe zhvillimin ekonomik të vendit.
Ingrid Macdonald, Koordinatore Rezidente e OKB-së në Shqipëri, u shpreh: “Të kuptuarit se pse njerëzit lëvizin, ku lëvizin dhe si kontribuojnë është thelbësor, veçanërisht për një vend si Shqipëria, ku migracioni ka formësuar prej kohësh shoqërinë. Të dhënat e besueshme janë një domosdoshmëri që u mundësojnë politikëbërësve të kuptojnë ndryshimet në kohë reale, të parashikojnë nevojat e ardhshme dhe të hartojnë përgjigje gjithëpërfshirëse, të përqendruara te njerëzit dhe sa më efektive.”
Evis Sulko, Zëvendës Drejtuese e Zyrës së Grupit të Bankës Botërore për Shqipërinë, u shpreh: Anketa e Migracionit pranë Familjes përfaqëson një hap të rëndësishëm në forcimin e ekosistemit të të dhënave mbi migracionin në Shqipëri. Përmirësimi i mënyrës se si migracioni matet dhe kuptohet mbështet vendimmarrje më të mira politike dhe ndihmon që migracioni të kontribuojë pozitivisht në zhvillimin afatgjatë të Shqipërisë.”
Sonja Kurz, Drejtore e GIZ Albania, tha: “Migracioni ka formësuar prej kohësh zhvillimin social dhe ekonomik të Shqipërisë dhe, ndonëse ofron mundësi të mëdha, ai paraqet edhe sfida komplekse. Pikërisht për këtë arsye, institucione të forta, politika të koordinuara dhe të dhëna të besueshme janë themelore. Për ne si partner zbatues, të dhënat solide janë thelbësore për të dizajnuar programe efektive dhe për të arritur ndikim real.” • Alma Jani, Drejtuese e Zyrës së IOM në Shqipëri, u shpreh: “Për herë të parë, Shqipëria përfiton nga një analizë e kombinuar sasiore dhe cilësore e migracionit. Kjo qasje na lejon të kuptojmë rrugët e migracionit në mënyrë më gjithëpërfshirëse, duke lidhur të dhënat me perspektivat e institucioneve, komuniteteve dhe diasporës, dhe duke mbështetur politika të orientuara drejt së ardhmes.”/Monitor








